Analisti politik, Nexhat Haziri, përmes një postimi në Facebook, përsëri i ka reaguar ish-kryetarit të asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili dje ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale, dhe se kjo gjykatë është bërë për t’i dënuar ish-komandantët e UÇK-së.
Në lidhje me këtë, Haziri ka bërë një pyetje publike për Simmons se kujt është duke ia bërë avokatin.
Haziri shprehet se duhesh të jesh veçse i marrë të mendosh se vrasja e ish-zyrtarit të LDK-së, Haki Imeri, që fillimisht ishte kidnapuar nga tre persona me uniformë të UÇK-së, është bërë pa dijen e komandantëve të UÇK-së.
“Duhesh të jesh veçse i marrë të mendosh se vrasja e Haki Imerit (2 nëntor 1999) që fillimisht ishte kidnapuar nga tre persona me uniformë të UÇK-së, është bërë pa dijen e komandantëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës. Konkretisht pa dijeninë e z. Thaçi, Krasniqi, Lushtaku, Selimi, e të tjerëve”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Ja shkrimi i tij:
Kujt po ia bën avokatin z.Simmons ? (III)
Duhesh të jesh veçse i marrë të mendosh se vrasja e Haki Imerit (2 nëntor 1999) që fillimisht ishte kidnapuar nga tre persona me uniformë të UÇK-së, është bërë pa dijen e komandantëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës. Konkretisht pa dijeninë e z. Thaçi, Krasniqi, Lushtaku, Selimi, e të tjerëve.
Raporti i Simmonsit, nuk ishte asgjë më shumë, përveç një tentim (i porositur) për ta kthyer opinionin kosovar kundër Gjykatës Speciale. (n.h)