Infektologu tregon për rreziqet dhe pasojat e kontaminimit të ujit në Deçan

Aktuale

Infektologu tregon për rreziqet dhe pasojat e kontaminimit të ujit në Deçan

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 11:30
Deçan

Disa ditë më parë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan pranoi brenda një kohe shumë të shkurtër qindra qytetarë me simptoma helmimi, që dyshohej se ishte nga uji i pijes. Qytetarët që kërkuan ndihmë në QKMF kishin simptoma si: temperaturë të lartë, të vjella, diarre e marramendje.

Dyshimet e para ishin se helmimi ishte shkaktuar nga uji, nga mostrat e dërguara jashtë shtetit, rezultatet kanë nxjerrë se pacientët janë të infektuar me dy lloje të baktereve, ajo E.Coli dhe Norovirus.

Infektologu, Hamdi Ramadani, ka thënë se këto janë baktere shumë patogjene dhe të rënda, ndërkaq nëse do të ishin më të zhvilluara, sidomos tek fëmijët do të mund të jenë të rrezikshme.

“Siq e dini tani e sa ditë vendi ynë dhe Deçani me rrethin në veçanti ishte përballë me një shpërthim masiv të një epidemie, situata u paraqit e vrullshme me shumë të infektuar dhe shumë pacientë, me një simptomatologji të sindromit toxoinfectio alimentar apo helmimit me ujin e pijshëm”, tha Ramadani.

Njëherit, Ramadani ka shtuar se qytetarët e Deçanit kanë pasur fat që bakteret nuk janë aq të zhvilluara, sepse siç tha ai tek fëmijët e kanë efektin shumë më të rëndë.

“Ajo që është me rëndësi ishte niveli i mirë i trajtimit, kjo epidemi për fat përfundoj mirë dhe me pak pasoja. Këtu duhet shtuar se autoritetet shëndetësore në nivel vendi kanë qenë të mobilizuar në ndihmë të sëmurëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan. Tash u tejkalua kjo epidemi dhe u vërtetua se ishte uji i kontaminuar me baktere dhe viruse noravirus si dhe forma toxikogjene e E Coli EETP baktere e njohur për mjekësi që shkakton një infekcion të rëndë dhe helmim të popullatës nëse vjen me rrugë të ujit ose rrugë tjera”, tha infektologu Ramadani.

Ramadani u shpreh se “Me përvojën time, unë nuk mbajë mend se ka pasur brenda 2 ose 3 dite ndonjëherë një numër kaq të madh të pacientëve, ka në vende të tjera, por tek ne nuk më kujtohet kemi pasur raste të tilla”.

“E Coli dhe Noravirus, këto janë baktere shumë patogjene dhe të rënda, por mënyra e trajtimit ishte e mirë dhe nuk pati raste me ecuri të keqe. Ndërsa si erdhi deri te kontaminimi i ujit të ujësjellsit mbetet të hulumtohen rrethanat. Duhet hulumtuar mirë rastin se si ka ndodhur, nga kush, me dashje apo pa dashje. Sistemi i ujit ka mundur të jetë joadekuat dhe të kryqëzohet me ujëra të zeza, kjo mbetet të vërtetohet nga autoritete të vendit komuna, instituti sanitar dhe ai kombëtar”, shpjegoi Ramadani.

Infektologu Ramadani tha se për fat të mirë ecuria e kësaj epidemie është në përmirësim e sipër.

“Që në fillim ka qenë e qartë se bëhet fjalë për një shpërthim epidemik, për një epidemi, nga kontaminimi i ujit, ku aty banorët kanë konsumuar atë ujë për nevoja të tyre, për pije dhe për të tjera. Edhe pse vonë është bërë një diagnozë laboratorike, është e vonuar, siç e dini vazhdimisht IKSHPK-ja, ka bërë të ditur që po zhvillohet një koloni bakteriesh të quajtura E.Coli, por edhe forma të tjera të baktereve të cilat ne i quajmë baktere toksike”, ka thënë ai.

Ramadani u shpreh se tashmë janë lehtësuar edhe mundësitë për të trajtuar pacientët, pasi dihet se si mund të trajtohen pacientët duke ditur edhe llojin e infeksionit.

Sipas tij, është dashur që këto analiza të bëhen më herët, por laboratori përkatës ka dashur të ketë më shumë të dhëna për të dhënë një rezultat final.

“Trajtimi i helmimit ishte i drejtë, terapia rehidruese orale ose parenterale varsisht nga shkalka e infekcionit, ku ndikon pesha, sëmundja, temperatura etj. Kurse ndaj E Colit në disa raste mund të përdoren dhe antibiotik specifik për këtë baktere gentamycina, me rrugë parenterale ose preparate tjera. Nuk duhet menduar në pasoja të epidemisë sepse me kalimin e sëmundjes edhe situata shëndetësore normalizohet, tha Ramadani.

Njëherit, Ramadani ka shtuar se duhet pasur kujdes të shtuar nga helmimet sidomos nga ai i ujit.

“Mbrojtje dhe kujdesë të shtuar e permanent, sepse është rrezik të kemi helmime me ujin, pra hidrik që edhe ndodhi. Këto objekte duhet të mbikqyren, të ruhen me persona të sigurtë qoftë edhe policor, që aty afër askush nuk mundet të jetë i pranishëm. Por edhe stafi i sistemit të ujësjellsit poashtu duhet të jetë konform me shërbimin sanitar i cili duhet kontrrolluar mirë dhe sipas udhëzimeve shëndetësore”, ka shtuar ai.

Sipas Ramadanit , “Ky është një mësim për herën tjetër që mos të kemi raste apo epidemi kaq të mëdha nga uji i kontaminuar i ujësjellseve. Është e rëndësishme të shikohet dhe të inspektohet qdo ujësjelles, uji të jetë i mirë edhe nga aspekti higjenik”.

Ramdani po ashtu tha se “Organet përkatëse mjekësore dhe të sigurisë duhet ta hulumtojnë si ka ardhur ky kontaminim i ujit, mënyra si ka qenë e kontaminimit”.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Agjencisë Kosovare të Pyjeve me seli në Deçan, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arrestimi i tij dyshohet se lidhet me rastin e helmimit të rreth 1 mijë e 500 qytetarëve në fshatrat e kësaj komune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat