Ja çka shpreson Borrell nga takimi Kurti-Vuçiq

Aktuale

Ja çka shpreson Borrell nga takimi Kurti-Vuçiq

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 15:07
Josep Borrell

(E plotësuar 15:36) - Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, para takimit të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pati një adresim të shkurtër në të cilën shprehu optimizmin për takimin e sotëm. Ai tha se pavarësisht të kaluarës së dhimbshme mes vendeve duhet të shikohet nga e ardhmja pasi ajo është më e rëndësishme.

Borrell tha se takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk ishte shumë i frytshëm por uroi që gjërat të ndryshojnë sot.

Ai tha se diskutimet do të vazhdojnë mbi progresin e arritur deri më tani, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për të vazhduar zhvillimin e dialogut.

Borrell: Diskutimet vazhdojnë mbi progresin e arritur deri më tani

“Është mirë që jemi në gjendje të takohemi përsëri para pushimit të verës dhe vetëm një muaj pas takimit tonë të parë që kishim në qershor. Unë mendoj se mbajtja e kontakteve të rregullta është thelbësore dhe tregon përkushtim për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ne do të vazhdojmë sot diskutimet tona mbi progresin e arritur deri më tani, për hapat e ardhshëm para nesh dhe rrugën përpara për të vazhduar zhvillimin e këtij dialogu”, tha Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, deklaroi se pret që të dy palët t'i qasen takimit në një mënyrë konstruktive dhe pragmatike.

Borrell u shpreh se të dy vendet duhet të shohin nga e ardhmja, pasi kjo është më e rëndësishme se e kaluara.

Borrell: E ardhmja më e rëndësishme se e kaluara

“Kosova dhe Serbia duhet të mbyllin përfundimisht kapitullin e së kaluarës së tyre të dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse juridikisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe duke shikuar përpara drejt së ardhmes evropiane për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shohim përpara. Dhe kur shohim përpara, ajo që shohim në fund të rrugës është perspektiva evropiane”, deklaroi Borrell.

Ky është takimi i dytë mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit në Bruksel, pasi i pari ishte zhvilluar në qershor pa ndonjë rezultat konkret me palën kosovare që paraqiti katër pika. 

***

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka theksuar se shpreson që takimi i sotëm mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të jetë i frytshëm.

Borrell para takimit me dy liderët ka thënë se takimi i kaluar nuk ishte i frytshëm.

“Sot do të jem nikoqir i takimit të dytë të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është takimi i dytë qysh prej zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës.

Takimi i parë nuk ishte shumë i frytshëm, të shpresojmë se sot do të jetë takim me më shumë rezultate”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat