Zbardhet dokumenti: Kjo është përmbajtja e deklaratës së Kurtit që Vuçiq refuzoi ta nënshkruante

Aktuale

Zbardhet dokumenti: Kjo është përmbajtja e deklaratës së Kurtit që Vuçiq refuzoi ta nënshkruante

Nga: M.L. Më: 20 korrik 2021 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

Ditën e djeshme (e hënë) nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u zhvillua raundi i radhës i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”, shkruan Reporteri.net.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, u shpreh se nuk po beson “se njerëzit po kthehen 150 vite prapa dhe po flasin për të kaluarën”, duke iu referuar kryeministrit kosovar.

Sipas tij, Kurti e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve.

Vuçiq tha dje pas përfundimit të takimit nga Brukseli se ka pranuar propozimet e palës ndërmjetësuese për temat e dialogut, ndër to edhe për të pagjeturit e luftës.

“Ishin tri pika, të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të eskalojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht”, ka thënë Vuçiq.

Tutje Vuçiq ka akuzuar Kurtin se gjatë gjithë kohës ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtim të Serbisë dhe të BE-së.

Deklarata e plotë në shqip e Kurtit të cilën e prezantoi në Bruksel

Ne, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë

Duke kuptuar detyrën dhe përgjegjësinë tonë të vendosur ndaj qytetarëve tanë, fqinjëve rajonalë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të parandaluar çdo konflikt të ri ushtarak, armiqësi ose dhunë midis vendeve tona;

Duke shprehur zotimin tonë të përbashkët për të tejkaluar trashëgiminë e konflikteve të kaluara, ruajtur paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë, si dhe për të punuar drejt një të ardhme të begatë për qytetarët tanë;

Të vetëdijshëm për dëshirën e përhapur në rajon dhe më gjerë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare midis vendeve tona si parakusht të domosdoshëm për sigurinë rajonale, stabilitetin dhe avancimin e projektit të integrimit evropian në rajonin tonë;

Të zotuar për marrëdhënie me njëri-tjetrin në përputhje me parimet e bashkëjetesës paqësore, bashkëpunimit dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve pa cenuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-të.

Të bindur se të gjitha çështjet e pazgjidhura që rezultojnë nga shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë dhe procesi në vazhdim i dialogut të lehtësuar nga BE, mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit pa konfrontim dhe konflikt;

Të vendosur për angazhim konstruktiv dhe me mirëbesim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme pa ndonjë vonesë.

Pajtohemi dhe solemnisht miratojmë si më poshtë:

“DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR MOS-AGRESION, MOS-LUFTË DHE ZGJIDHJE PAQËSORE TË KONFLIKTEVE”

NENI I

Mos-agresion

Ne zotohemi reciprokisht që të përmbahemi nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri- tjetrit si dhe solemnisht marrim përsipër të bëjmë përpjekje me mirëbesim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në një mënyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë.

Do të përmbahemi nga sulmet ndaj njëri-tjetrit, agresioni ushtarak, armiqësitë e armatosura ose konflikti i dhunshëm si mjete për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje që mbetet e pazgjidhur apo ndonjë mosmarrëveshjeje në të ardhmen.

Marrim përsipër që të bëjmë përpjekje të mirëfillta për të zgjidhur, përmes mjeteve ekskluzivisht paqësore, të gjitha mosmarrëveshjet aktuale ose të ardhshme apo çështjet që mund të nxitin mosmarrëveshje mes nesh.

NENI II

Respektimi i kufijve

Të dyja palët zotohen t’i respektojnë në mënyrë rigoroze kufijtë e njëra-tjetrës dhe nuk do të bëjnë asnjë përpjekje, as tani, as në të ardhmen, për të pushtuar, kapur, aneksuar ose kontrolluar territorin e njëra-tjetrës, pjesërisht ose plotësisht.

Të dyja palët do të përmbahen nga çfarëdo mbështetjeje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për çfarëdo ndërhyrje të jashtme ose trazirë të brendshme kundër palës tjetër me qëllim të pushtimit, kapjes, aneksimit ose kontrollit të territorit të njëra-tjetrës, pjesërisht ose plotësisht.

Për të promovuar besimin e ndërsjellë dhe për të ndërtuar besim, palët do të përpiqen për nivelin më të lartë të transparencës në lidhje me çdo lëvizje ose operacion të personelit të tyre ushtarak dhe të sigurisë, veçanërisht në zonat ndërkufitare.

Pavarësisht qëndrimeve tona përkatëse për çështjen e njohjes reciproke, të dyja palët bien dakord të përdorin kanale zyrtare dhe jozyrtare të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi të sigurisë drejtuar kundër tyre nga aktorët e jashtëm.

NENI III

Reciprociteti në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave

Palët do të punojnë së bashku për të krijuar sistemin më të përparuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave për komunitetin shqiptar në Serbi dhe komunitetin serb në Kosovë me qëllim të arritjes së paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme midis vendeve tona duke respektuar plotësisht parimin e reciprocitetit dhe në përputhje me vlerat evropiane dhe aktet ndërkombëtare.

Palët zotohen të punojnë në frymën e bashkëpunimit për të zgjidhur çdo çështje që lidhet me komunitetet përkatëse pakicë me synimin për të arritur një akomodim të ekuilibruar në përputhje me parimin e reciprocitetit. Për të arritur nivelin më të lartë të akomodimit për komunitetet pakicë, palët do të udhëhiqen nga aktet e mëposhtme ndërkombëtare:

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948;

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i vitit 1966;

Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave që u Përkasin Pakicave Kombëtare ose Etnike, Fetare dhe Gjuhësore, e miratuar nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme 47/135 e datës 18 dhjetor 1992;

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Protokollet e saj, e vitit 1959;

Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare e vitit 1992;

Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare e vitit 1998;

Karta Evropiane e Këshillit të Evropës për Vetëqeverisjen Lokale e datës 15 tetor 1985;

Konventa Bazë e Këshillit të Evropës për Bashkëpunimin Ndërkufitar midis Komuniteteve ose Autoriteteve Territoriale e datës 21 maj 1980;

Raporti i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës mbi Trajtimin Preferencial të Pakicave Kombëtare nga ana e Shtetit të tyre të Origjinës (Venecia, 19-20 tetor 2001);

Rekomandimet e Bolzano/Bozen të OSBE-së mbi Pakicat Kombëtare në Marrëdhëniet Ndërshtetërore, të datës 2 tetor

Në marrëdhëniet midis tyre, të dyja palët do të përmbahen nga të thirrurit në komunitetet të tyre përkatëse pakicë si pretekst për përdorimin e forcës kundër njëra-tjetrës dhe do të hedhin poshtë në mënyrë solemne çdo rekurs drejt dhunës kundër komuniteteve të tyre përkatëse pakicë në mënyrë që të arrijnë ndonjë synim ose qëllim politik.

Çdo incident që përfshin anëtarët e komuniteteve përkatëse pakicë do të zgjidhet përmes angazhimit konstruktiv midis palëve dhe/ose ndërmjetësimit ndërkombëtar në përputhje me nenin

Asnjë konsideratë ose justifikim në lidhje me statusin e komuniteteve përkatëse pakicë nuk mund të shfrytëzohet si arsye për kërcënimin ose përdorimin e forcës në kundërshtim me nenin I.

NENI IV

Zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve

Palët zotohen t’i zgjidhin drejtpërdrejt të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre të ndërsjella me mirëbesim dhe në frymë bashkëpunimi, për të arritur një zgjidhje në kohë dhe të drejtë, mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.

Në rast të mosarritjes së një zgjidhjeje me anë të ndonjë prej mënyrave paqësore të lartpërmendura, palët, në secilin rast, në bazë të marrëveshjes reciproke, do të kërkojnë një zgjidhje me mënyra të tjera paqësore, përfshirë ndërmjetësimin, arbitrazhin ose lehtësimin nga organizatat ndërkombëtare ose palët e treta, dhe asnjëherë nuk do të përdorin forcë me qëllim të arritjes së një vendimi për mosmarrëveshje të tilla.

NENI V

Mbështetja e ndërsjellë e procesit të integrimit evropian

Pavarësisht nga qëndrimi përkatës i palëve sa i përket njohjes, ato ripohojnë angazhimin e tyre të përbashkët për të qenë anëtare të plota të Bashkimit Evropian në mënyrë që t’i integrojnë shoqëritë dhe ekonomitë e tyre në komunitetet euro-atlantike pa asnjë vonesë.

Për këtë qëllim, palët do të përmbahen nga çfarëdo veprimi ose ndërhyrjeje, qoftë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, individuale ose kolektive, me qëllim të pengimit të palës tjetër nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pavarësisht nga progresi i tyre individual në procesin e anëtarësimit në BE.

Pavarësisht nga marrëdhëniet mes tyre, palët në mënyrë reciproke zotohen të mos ndërmarrin asnjë veprim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që do ta pengonte anëtarësimin e palës tjetër në organizatat dhe iniciativat rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

NENI VI

Dispozitat përfundimtare

Kjo deklaratë e bërë në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe nënshkruhet në prani dhe dëshmi të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në rast të mospërputhjeve, teksti në gjuhën angleze mbizotëron.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat