Helmimi nga uji në Deçan, ende nuk është bërë raporti përfundimtar

Aktuale

Helmimi nga uji në Deçan, ende nuk është bërë raporti përfundimtar

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 12:48
Ilustrim

Mbi 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar ndihmë shëndetësore javë më parë në komunën e Deçanit, pas dyshimeve se janë helmuar me ujë të pijshëm. Të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik konstatuan se në ujë janë gjetur disa baktere, por që këto analiza nuk u pranuan nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, të cilët edhe kërkuan përsëritjen e analizave të ujit.

Me gjithë këto zhvillime, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, dy ditë më parë ndërpreu gjendjen emergjente, duke theksuar se tashmë situata është duke shkuar drejt normalizimit.

Për të folur rreth kësaj situate dhe dyshimeve se pse ka ardhur deri te helmimi ka folur koordinatorja në Qendrën e Monitorimit të Ujit në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, Burbuqe Nushi-Latifi.

Ajo në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi, ka thënë se ky institucion është duke u marrë me rastin, dhe dyshimet e mundshme që kanë sjellë gjendjen në komunën e Deçanit.

Nushi- Latifi gjatë intervistës ka thënë se për rastin në Deçan janë njoftuar më 10 korrik, ditë e shtunë.

“Ditën e shtunë jemi njoftuar që po ka disa pacientë me simptoma të gastritokolitit dhe normal dyshimi shkon te uji, se është procedurë profesionale te këto raste të sëmundjet hidrike, së pari analizohet uji. Natën e parë janë raportuar në Qendrën e Mjekësisë familjare në Deçan rreth 200 raste, dhe këto 200 raste në ditët në vazhdim janë rrit dhe kanë mbërri diku deri në 1 mijë e 500, e ndoshta edhe deri në 2 mijë janë raste të pa filtruara, qa do të thotë të pa filtruara që i njëjti pacient është lajmëruar tri herë, herën e parë për ankesë, herën e dytë me marrë infuzionin dhe herën e tretë gjithashtu”, ka thënë ajo.

Në vazhdimësinë e bisedës, Nushi – Latifi deklaroi se raporti i fundit që kanë pranuar nga Qendra Rajonale në Pejë, thotë se deri më sot janë anketuar 557 pacientë nga komuna e Deçanit, të cilët kanë shprehur shqetësime shëndetësore.

“Ata kanë pasur simptoma, siç janë mundim, vjellje, dhimbje barkut, si dhe të njëjtën kohë 861 anketa epidemiologjike tek personat të cilët nuk kanë shqetësime, mirëpo e kanë pi të njëjtin ujë, pra janë mostër kontroll. Nuk kemi pasur raste të rënda, nuk po deklaroi që uji nuk ka mundur të mos participojë, pse po e them këtë është se në në Institut jemi ende në hulumtim. Çdo ditë jemi dukë bërë mostra, duke bërë anketa, janë duke u gjet burimet dhe shkaku. Sa i përket cilësisë së ujit, e gjithë kjo ka ndodhë në një sistem vetanak, i cili furnizon diku shtatë fshatra të Deçanit, ky ujë nuk ka pasur klor, është sistem i ndërtuar prej komunës. Ka dështime prej fillimit, ka pasur ngecje në funksionalizim, ende nuk ka klorizim të mirëfilltë në atë vend, përkundër faktit se uji është burimor. Në bazë të dhënave shkencore, nuk pritet me pas ndotje të madhe krahasuar me ujërat sipërfaqësore”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës, ajo tha se ende nuk është bërë raporti përfundimtar, duke numëruar kështu disa faktor që mund të kenë ndikuar në ndotje.

“Ende nuk është bërë raporti përfundimtare, vetë faktori që s’ka klor është potencial për ndotje. Në sezone verore kur niveli ujit bie, pritet të ketë ndërhyrje sekondare, ndotje sekondare. Kyçjet ilegale,është potencial i rrezikshmërisë për me bo ndotje, komunikimi i bunarëve individuale, bunarët nuk janë të mbikëqyra… Çdo e reshur e ndryshon cilësinë, ky uji i bunarit jo vetëm se e ndot sistemin individual por komplet sistemin e fshatrave. Janë të reshurat që kanë ndodhur më herët, kyçjet ilegale, jo klorizimi i rregullt, jo mirëmbajta e rrjetit, dëmtimet në rrjet”, tha ajo.

Ndryshe, për situatën e krijuar në Deçan ka pasur reagime të shumta, ndërkaq Qeveria kishte marrë vendim që të ndajë 150 mijë euro për Komunën e Deçanit, ndërkaq lidhur me rastin Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetimet edhe ndaj disa personave, që mund të kenë pasur lidhshmëri me helmimin e ujit.

Në këtë intervistë është diskutuar edhe për cilësinë e ujit në Kosovë dhe se a është pijshëm uji që vjen nga kompanitë rajonale të ujësjellësve në nivel vendi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat