A do të lirohet Hashim Thaçi nga paraburgimi? Flasin nga Specialja

Aktuale

A do të lirohet Hashim Thaçi nga paraburgimi? Flasin nga Specialja

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 16:03
Hashim Thaçi

Dy shtete të mëdha thuhet se kanë ofruar garanci për ish-Presidentin Hashim Thaçi i cili ndodhte në paraburgim në Hagë.

Kështu thuhet në parashtresat e avokatit të ish-Presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, Gregory Keohe.

”Më e rëndësishmja, që nga Vendimi i Parë, mbrojtja për Z. Thaçi tani ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete, (“Shtetet e Treta”), njëra prej të cilave është një shtet kontribuues, për të lehtësuar lirimin e z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse”.

Megjithatë ende nuk dihet se cilat nga vendet kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit, teksa për këtë ishte përmendur edhe Sllovenia.

E, në rast se ndodhë që ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi të lirohet atëherë me ligj i bie që Thaçi mund të mbrohet në liri.

Lidhur me këtë media ka kërkuar përgjigje në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, pa dashur të japë përgjigje se a është e vërtetë që dy shtete kanë dhënë garanci për lirimin e ish-presidentit Thaçi, ka thënë se mund të drejtohemi vetëm tek përmbajtja e regjistrimeve publike.

Ndërsa, i pyetur se nëse kjo është e vërtetë sa janë gjasat që ish-presidenti Thaçi të lirohet, Doyle, ka deklaruar se çdo dy muaj gjyqtari i procedurës paraprake shqyrton çështjen nëse ekzistojnë ende arsyet ku merret vendimi për zgjatje të paraburgimit apo ndërprerje.

“Ligji parashikon që çdo dy muaj Gjyqtari i Procedurës paraprake ose Trupi gjykues i marrë me çështjen do të shqyrtojë nëse ekzistojnë ende arsyet e paraburgimit dhe do të marrë një vendim me të cilin paraburgimi zgjatet ose ndërpritet. Vendime të tilla do të varen nga gjyqtari përkatës ose kolegji i gjykatësve”, ka deklaruar Doyle.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat