Kush e vrau Shaban Manajn?

Aktuale

Kush e vrau Shaban Manajn?

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 23 korrik 2021 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

U bënë 21 vjet nga vrasja e veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaban Manaj. Manaj ishte një nga veprimtarët më të shquar të LDK-së dhe frymës Rugoviane. Vrasja e tij kishte motive politike.

Shaban Manaj u vra më 23 korrik të vitit 2000, pikërisht në prag të zgjedhjeve të para lokale të Kosovës së lirë. Strukturat e LDK-së në Istog kishin vendosur që Manaj të jetë kandidat për kryetar të kësaj komune.

Madje, ai kishte fituar mbështetjen e pakontestueshme edhe të qytetarëve të Istogut, LDK-së dhe Presidentit Rugova. Mbështetja ishte masive! Dikujt duket se i pengoi shumë kjo mbështetje. E rrëmbyen dhe më pas u gjet i vrarë.

Vrasësit nuk u zbuluan asnjëherë se cilët ishin. Plot 21 vjet heshtje për këtë rast nga drejtësia vendore dhe misionet ndërkombëtare të instaluara në Kosovë për sundim të rendit dhe ligjit.

Si Manaj, u vranë pa mëshirë edhe shumë veprimtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjithë kjo heshtje na shtynë të mendojmë për të vetmen dritë në fund të tunelit.

Bëhet fjalë për Gjykatën Speciale, e cila ka në target edhe zbardhjen e vrasjeve dhe sulmeve ndaj kundërshtarëve politik, derisa mandati i saj i hetimeve përfshinë edhe vitin 2000.

Dhomat e Specializuara kanë mandat kohor për të trajtuar vrasjen e Shaban Manajt dhe disa vrasje të tjera me motive politike. Ka dosje e dëshmitarë që do të flasin për këto vrasje.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale në Prill të vitit 2017 ka marrë nën hetim rastin e vrasjes së Shaban Manajt, i cili është gjetur i vrarë me datë 23.07.2000, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës.

“Lidhur me këtë çështje jemi në fazën e mbledhjes së dosjeve dhe të gjitha të dhënave që kanë të bëjnë me hetimin e kryer nga hetuesit e policisë së atëhershme të UNMIK-ut, prokurorëve të saj por edhe të të gjitha të dhënave nga gjykatat lidhur me ecurinë e kësaj çështje.

Pas sigurimit të dhënave më pas do të vendoset për veprimet e mëtejme të kësaj prokurorie”, thuhej në një përgjigje të Prokurorisë për gazetën “Bota sot” lidhur me këtë rast.

E pavarësisht se kanë kaluar 4 vite që nga përgjigja e Prokruroisë, kjo vrasje nuk është zbardhur dhe nuk ka ndonjë informacion se deri ku kanë shkuar hetimet.

Ky dështim i drejtësisë vendore rritë besimin e familjarëve tek Gjykata Speciale .

Pra, duhet t`ua sjellim ndërmend në vazhdimësi skeptikëve të speciales se janë bërë vrasje politike, të cilat duhet të zbardhen nga Gjykata Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat