E rëndë: Aksidentohet autobusi nga Kosova në Kroaci, 10 të vdekur e 44 të lënduar

Aktuale

E rëndë: Aksidentohet autobusi nga Kosova në Kroaci, 10 të vdekur e 44 të lënduar

Nga: Bota sot Më: 25 korrik 2021 Në ora: 10:22
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 15:30) - ​Publikohet numri për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth gjendjes së familjarëve të tyre të aksidentuar në Kroaci

+383 (0) 38 200 76 000, është numri në të cilin mund të kontaktojnë gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës dhe gjendjes së të aksidentuarve në Kroaci.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë derisa ka publikuar këtë numër ka thënë se janë pranë familjarëve të viktimave dhe të të lënduarve.

“Ministria e Punëve të Brendshme me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për aksidentin tragjik të bashkatdhetarëve tanë në Kroaci. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjarët e të vdekurve në këtë aksident, njëkohësisht iu urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Jemi pranë tyre për të kaluar këto momente të vështira. Me këtë rast, ju njoftojmë që Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe me gjithë aktorët tjerë janë të angazhuar në menaxhimin sa më të efektiv të situatës dhe koordinimin e gjithë veprimeve për të lehtësuar gjithë të prekurit në këto momente të vështira. Si Ministri, jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet Kroate të cilët shfrytëzojmë rastin ti falënderojmë për ndihmën e dhënë në menaxhimin e situatës së krijuar. Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000”, thuhet në komunikatën e MPB-së. 

***

Arrestohet shoferi i autobusit që u aksidentua në Kroaci

Zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal në Kroaci, Sllavko Pranjiq, ka thënë se është arrestuar shoferi i autobusit, që ka dalë nga rruga, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Sllavonski Brod.

Si pasojë e aksidentit kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 janë të plagosur, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë Pranjiq.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Më herët, drejtori i Mbrojtjes Civile Kroate, Damir Trut, u ka thënë gazetarëve se nëntë pasagjerë dhe një shofer kanë vdekur, duke deklaruar se në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh, ka thënë në vendin e aksidentit se, në autobus kanë qenë 15 të mitur, prej të cilëve, një vajzë e plagosur rëndë.

Policia kroate e ka konfirmuar më herët se autobusi ka qenë me targa të Kosovës.

"Gjatë hetimit, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një autobus me tabela të Kosovës dhe sipas informacionit që kemi aktualisht, dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor", ka thënë zëdhënësi i Policisë në Brod Posavina, Damir Breziq, për Radio Televizionin Kroat (HRT).

Zyrtarët më të lartë shtetërorë në Kosovë dhe Kroaci, kanë ngushëlluar familjarët e viktimave, ndërsa të plagosurve u kanë dëshiruar shërim të shpejtë.

Nga Prokuroria kroate tregojnë se çka deklaroi shoferi i autobusit në Polici

Zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjic, ka thënë se shoferi i autobusit që u aksidentua mëngjesin e sotëm në Kroaci ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.

“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani,” tha Pranjiç, shkruan portali kroat Dnevnik.hr.

Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë,” shtoi Pranjiç.

Sipas të dhënave të fundit të MPJD’së, në këtë aksident kanë vdekur 10 persona, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe 15 prej tyre janë më lëndime të rënda.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.

MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Ministria u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, derisa ka thënë se do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme.

MPJD-ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkëatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme znj.Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve”, thuhet tutje në komunikatë.

 MPJD konfirmon: 10 të vdekur nga aksidenti në Kroaci, 15 me lëndime më të rënda

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njoftoi se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, thuhet në komunikatën e MPJD.

MPJD-ja shprehu keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkatdhetarëve tanë dhe i shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe i dëshiroi shërim të shpejtë të lënduarve.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlic Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve.

Konfirmon ambasadori: Në autobus ishin të gjithë shqiptarë ng Kosova që jetojnë në Gjermani, po vinin për pushime

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, ka thënë se në autobusin që po vinte nga Frankfurti në Prishtinë, ishin të gjithë mërgimtarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Në aksidentin në Slavonski-Brod që ndodhi në mëngjesin e sotëm, kanë humbur jetën nëntë pasgjerë dhe një shofer. Janë lënduar 45 persona tjerë. Autobusi ishte vetaksidentuar, sipas informatave në Kroaci.

Image

“Për fat të keq, ka ndodhur një aksidnet i tmerrshëm dhe dua të falënderojë Qeverinë e Kroacinë dhe të gjitha shërbimet. Shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe i lus që të kenë forcën dhe mirëkuptimin sepse ne, të gjitha institucionet në Kroaci e Kosovë, do të jemi me ta në këtë kohë të vështirë.

Të gjithë janë njerëz që punojnë në Gjermani dhe donin të kalonin pushimet në Kosovë. Sa i përket autobusit, është kompani nga Kosova. Ne folëm me familjrët e të plagosurve dhe të vrarëve”, ka thënë Kasapolli, raporton “Jutarnji.hr”.

Dyshohet se janë nga rrethi i Gjakovës disa nga viktimat e aksidentit në Kroaci 

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot rreth orës 06:00, në Slovenski Brod, në Kroaci.

Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar edhe rreth 30 pasagjerë të tjerë të autobusit të kompanisë së Kosovës “Deva Tours”.

Media Kosova mëson se disa nga viktimat dyshohet të jenë nga rrethina e Gjakovës.

Dhjetë nga personat e lënduar janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ky autobus ishte nisur nga Gjermania për në Kosovë.

Spitali ku janë dërguar të lënduarit, nuk ka kushte për trajtimin e lëndimeve të rënda.

Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur pasi që shoferin e autobusit e ka zënë gjumi, derisa ishte duke vozitur.

Të gjitha viktimat e konfirmuara deri tani janë nga Kosova dhe gjendeshin në autobus kur ndodhi aksidenti.

***

Ministri kroat i Shëndetësisë: 15 të mitur në aksident, një vajzë në gjendje të rëndë

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Beros, ka dalë në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik i autobusit nga Kosova në Kroaci.

Ai ka njoftuar se kishte 15 të mitur në autobus dhe se një vajzë është në mesin e të plagosurve rëndë, përcjell Bota sot.

Policia njoftoi se aksidenti i autobusit nga Kosova ndodhi sot rreth orës 6.20 të mëngjesit, në autostradën afër Slavonski Brod.

Të paktën 10 vetë u vdiqën në aksident, ndërsa 44 të tjerë u lënduan, tha policia, e cila po heton rrethanat nën të cilat ndodhi aksidenti i trafikut.

Sipas informacionit të fundit të marrë nga Jutarnji list, kishte 69 persona në autobus.

Kreu kroat i Mbrojtjes Civile konfirmon: 8 persona gjendje të rëndë, kishte edhe fëmijë në autobus

Kreu kroat i Mbrojtjes Civile, Damir Trut, iu drejtua publikut pas aksidentit tragjik të autobusit  të Kosovës në Kroaci, nga i cili vdiqën 10 veta, të cilët ishin nisur nga Frankfurti për në Prishtinë. Ai tha se në autobus kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë autobusi.

“Kishte 67 pasagjerë dhe 2 shoferë në autobus. Për fat të keq, 9 pasagjerë dhe një shofer vdiqën”, tha Trut.

Ai theksoi se 44 persona që ishin brenda autobusit janë pranuar në spitalin rajonal, tetë prej të cilëve të lënduar rëndë.

Ai tha se katër prej tyre iu nënshtruar operimit.

“44 pasagjerë u pranuan në spital në Slavonski Brod. Tetë prej tyre u plagosën rëndë, katër u operuan”, tha Trut, duke shtuar se ka pasur edhe fëmijë në autobus.

Ai tha se nuk mund të tregojë nëse ka edhe fëmijë në mesin e 10 të vdekurve.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samardzhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Mediumi kroat: Ky është shkaku i aksidentit ku humben jetë 10 persona

Të paktën 10 persona kanë vdekur në një aksident afër Slavonski në Koraci, dhe të paktën 40 persona po marrin trajtim mjekësor.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Mes të vdekurve është shoferi ‘tjetër’, i cili nuk po e voziste autobusin në atë kohë, raporton ky medium.

Shefi i stacionit të policisë rrugore të Slavonski Brod, Franjo Galiq the se ky aksident ishte nga më të rëndët që ka parë ai.

“Ka të paktën 10 të vdekur. Nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të lënduarve”, shtoi ai.

Në mesin e vdekurve edhe shoferi i autobusit që u aksidentua në Kroaci

Shoferi i autobusit “Deva Tours”, që është aksidentuar ne Kroaci ka ndërruar jetë.

Naser Sylmetaj është viktima e parë e identifikuar. Familjarë e miq kanë filluar të shprehin ngushëllime nëpër rrjete sociale

Sipas mediave kroate dhjetë persona kanë ndërruar jetë në autobusin i cili kishte dhjetë pasagjerë.

Nga kompania “Deva Tours”, kanë thënë se të gjithë udhëtarët ishin mërgimtarë.

Ndërsa, raportohen për mbi tridhjetë të lënduar.

Ndërsa, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka shprehur ngushëllime për viktimat duke thënë se “Kroacia qëndron me Kosovën”.

Për ngjarjen kanë reaguar edhe krerët institucionalë të Kosovës si presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.

***

Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me aksidentin e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kroaci, ku humbën jetën 10 persona, ndërsa 45 të tjerë mbetën të lënduar.

Sipas raportimeve të mediave kroate, autobusi ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë.

Deri tani, nuk dihet nëse ka fëmijë në mesin e të vdekurve apo plagosurve.

Por, mediat kroate raportojnë se rreth 20 persona dyshohet se kanë mbetur ende të bllokuar brenda autobusit.

Autobusi ishte nisur nga Frankfurti për Kosovë

Të paktën dhjetë persona kanë vdekur dhe rreth 45 u lënduan si pasojë e aksidentit të një autobusi me targa të Kosovës, në Slavonski Brod, në Kroaci.

Siç raporton media kroate jutarnji.hr, përcjell Bota sot, autobusi i aksidentuar ishte nisur nga Frankfurti për në Kosovë.

Aksidenti ndodhi në autostradën A3 pranë Slavonski Brod të dielën në mëngjes, njoftoi policia kroate.

Si pasojë e aksidentit, është bllokuar trafiku dhe automjetet raportohet se po lëvizin në rrugët alternative.

Ministri Beros dhe kreu i Trutit të Mbrojtjes Civile do të shkojnë në vendin e tragjedisë.

Shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galić, dha një deklaratë nga vendi i aksidentit:

“Në orën 6:22 të mëngjesit, Departamenti i Policisë Brod-Posavina mori një raport se një autobus ishte aksidentuar. Me të arritur në vendin e ngjarjes, u përcaktua se ishte një autobus me targa të Kosovës në linjën e rregullt Frankfurt - Prishtinë. Një hetim është duke u zhvilluar.

Disa njerëz u vdiqën dhe rreth 45 u dërguan në spital. Çdo informacion i mëtejshëm do të jetë në dispozicion pasi të ketë përfunduar hetimi”, tha Galic.

Ai nuk mund të thoshte saktësisht se sa njerëz u vranë, por në kohën e dhënies së një deklarate nga Administrata e Policisë ata thanë se të paktën dhjetë njerëz kishin vdekur.

Flet polici kroat nga vendi i ngjarjes, tregon sa persona ishin në autobusin e aksidentuar

Një autobus me targa të Kosovës është aksidentuar sot në Kroaci, ku si pasojë kanë vdekur 10 persona, janë lënduar 30 dhe shumë të tjerë ende janë të bllokuar brenda autobusit.

Përveç policisë, në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjestarët e ekipit të zjarrëfikësve, ambulanca dhe 30 persona janë dërguar në spital. Njëri nga udhëheqësit e policisë në vendin e ngjarjes ka rrëfyer për rastin.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është ndër aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha Galic.

“Situata është shumë e vështirë dhe ka ende numër të madh të pasagjerëve që iu kërcënohet jeta brenda në autobus”, tha një zëdhënës i policisë.

“Shkaqet e aksidentit mund të merren me mend tani për tani, por asgjë definitive nuk mund të thuhet”, thonë autoritetet kroate.

Tragjedia me viktima në Kroaci, flasin nga kompania e autobusit që u aksidentua

Mediat kroate kanë raportuar për një aksident trafiku në Kroaci, ku i përfshirë ka qenë një autobus nga Kosova.

Siç njofton mediumi kroat, Jutarnji.hr, dyshohet për 10 viktima dhe 30 të lënduar.

Image

Lidhur me këtë rast, nga kompania në fjalë kanë konfirmuar aksidentin, gjersa kanë thënë se ende nuk dihet numri i viktimave.

“Po rasti ka ndodhur sot. Nuk kemi më shumë informacione se sa persona kanë vdekur apo janë lënduar”, thanë nga kompania “Deva Tours” për median.

Image

Siç shkroi gazeta kroate, autobusi i aksidentuar është me tabela të Kosovës dhe se vinte nga Frankfurti në drejtim të Kosovës.

***

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë, ku një autobus nga Kosova është aksidentuar.

Policia kroate ka raportuar për dhjetë të vdekur, bën të ditur “Index.hr”.

Fillimisht zëdhënësi i Policisë kishte thënë se bëhet fjalë për një autobus nga Maqedonia, por më pas ka përmirësuar duke thënë se fjala është për një autobus nga Kosova.

Image

“Gjatë hetimeve, Policia konfirmoi se bëhet fjalë për një autobus të nacionalitetit dhe regjistrimeve të Kosovës dhe se sipas informacioneve aktuale, 10 persona kanë vdekur në aksidentin e trafikut, ndërsa dhjetëra janë transportuar në spitalin në Slavonski Brod”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën A3 rreth orës 6 të mëngjesit. Autobusi ka dal nga rruga.

Image

Raportohet se autobusi ishte i linjës Frankfurt - Prishtinë, e në të ishin 60 persona. Sipas informatave të fundit thuhet se rreth 30 persona janë të shtrirë në spital. Qarkullimi në autostradë është ndaluar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat