Arrestohet shoferi i autobusit që u aksidentua në Kroaci

Aktuale

Arrestohet shoferi i autobusit që u aksidentua në Kroaci

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 14:29
Dukagjin Lyta, shoferi që po voziste autobusin kur ndodhi aksidenti

Zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal në Kroaci, Sllavko Pranjiq, ka thënë se është arrestuar shoferi i autobusit, që ka dalë nga rruga, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Sllavonski Brod.

Si pasojë e aksidentit kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 janë të plagosur, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë Pranjiq.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Më herët, drejtori i Mbrojtjes Civile Kroate, Damir Trut, u ka thënë gazetarëve se nëntë pasagjerë dhe një shofer kanë vdekur, duke deklaruar se në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh, ka thënë në vendin e aksidentit se, në autobus kanë qenë 15 të mitur, prej të cilëve, një vajzë e plagosur rëndë.

Policia kroate e ka konfirmuar më herët se autobusi ka qenë me targa të Kosovës.

"Gjatë hetimit, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një autobus me tabela të Kosovës dhe sipas informacionit që kemi aktualisht, dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor", ka thënë zëdhënësi i Policisë në Brod Posavina, Damir Breziq, për Radio Televizionin Kroat (HRT).

Zyrtarët më të lartë shtetërorë në Kosovë dhe Kroaci, kanë ngushëlluar familjarët e viktimave, ndërsa të plagosurve u kanë dëshiruar shërim të shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat