Ambasadori i Kosovës në Kroaci u përlot pasi mbërriti në spitalin ku po trajtohen të lënduarit nga aksidenti fatal

Aktuale

Ambasadori i Kosovës në Kroaci u përlot pasi mbërriti në spitalin ku po trajtohen të lënduarit nga aksidenti fatal

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 15:40
Gëzim Kasapolli

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka qenë në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona që u lënduan nga aksidenti në autostradën A3 Zagreb – Lipovac, i autobusit të “Deva Tours”, që ua mori jetën 10 personave.

Ai është parë i përlotur, teksa ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se ata dhe të aksidentuarit që mbetën të lënduar “janë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani”.

“Fatkeqësisht kemi ardhur për shkak të një aksidenti të tmerrshëm. Unë thjesht do të doja ta falënderoja Qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe të gjithë autoritetet që na ndihmuan në këtë kohë. Unë vetëm mund të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe t’u kërkoj atyre që të kenë mirëkuptim edhe për ne. Ne të gjithë do të jemi pranë tyre në këto kohë të vështira”, tha Kasapolli.

Image

Ai shtoi se autobusi ishte i një kompanie turistike nga Kosova, ndërsa foli me shumë ndjeshmëri për ata që vdiqën dhe të tjerët që mbetën të lënduar.

“Këta janë të gjithë njerëz tanë që punojnë në Gjermani dhe që po vinin për pushime në Kosovë”, tha Kasapolli.

Pas kësaj, në një lidhje direkte për RTK-në nga Slavonski Brod, Kasapolli ka dhënë detaje nga vetëaksidenti i autobusit me targa të Kosovës, që ndodhi në mëngjesin e sotëm, e ku kanë humbur jetën nëntë pasagjerë dhe njëri nga shoferët e autobusit.

“Për momentin ndodhem në spitalin e Slavonski Brodit. Këtu për momentin janë 44 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Disa prej tyre tashmë e kanë kryer operimin dhe gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ambasadori Kasapolli.

Ai tha se i ka vizituar të gjithë të lënduarit të shtrirë në repartet e spitalit në Slavonski-Brod, teksa ka njoftuar se janë duke e bërë identifikimin e viktimave dhe të lënduarve.

“Ne e kemi listën e të gjithë pasagjerëve dhe së bashku me autoritetet kroate jemi duke i identifikuar secilin veç e veç. Por disa janë në terapi dhe ende nuk kemi arritur të bëjmë identifikimin e tyre”, ka shtuar ambasadori Kasapolli, i cili ka bërë me dije se pasagjerët e këtij autobusi ishin bashkatdhetarë tanë nga rajone të ndryshme të Kosovës.

Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh ishin po ashtu në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur, ndërsa ai i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin, po qëndron në stacionin rajonal të Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat