Ministri Mehaj në shërbim të menaxhimit të tragjedisë në Kroaci: Do jemi pranë tyre

Aktuale

Ministri Mehaj në shërbim të menaxhimit të tragjedisë në Kroaci: Do jemi pranë tyre

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 17:37
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka koordinuar të gjitha aktivitetet pas aksidentit tragjik në Kroaci.

Ai tha se ka autorizuar një oficer të FSK-së, si anëtar i Shtabit Emergjent Qeveritar, i cili do të jetë ndërlidhës me Qendrën tonë operative për të koordinuar ofrimin e të gjitha kapaciteteve tona në shërbim të menaxhimit të tragjedisë.

“Ministria e Mbrojtjes me të gjitha kapacitetet e veta dhe të FSK-së, ju sigurojmë se do të jemi pranë tyre dhe me ta, si një trup i vetëm”, njoftoi Mehaj.

Postimi i plotë:

Qytetarë të dashur,

Që nga mëngjesi, me përgjegjësinë më të lartë zyrtare dhe qytetare, me tërë kapacitetin tim, kam koordinuar të gjitha aktivitetet, në kontakt të pandërprerë, i cili vijon edhe më tej, me ministrin kroat të punëve të brendshme z. Bozinovic, homologun tim kroat, ministrin Banozic, shefin e forcave kroate, admiralin Hranj, ambasadorin tonë, z.Kasapolli, atasheun tonë, kolonel Hoxha.

Gjithashtu në nivel të vendeve fqinje, kam kontaktuar në vazhdimësi me homologët e mi shqiptar, malazez dhe atë boshnjak.

Për koordinim të brendshëm kam kontaktuar dhe jemi në vazhdimësi me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, kolegët ministra, komandantin e KFOR-it, gjeneral Federici, stafin tim ministror dhe të FSK-së.

Përveç angazhimit të pandërprerë të atasheut tonë të mbrojtjes në Kroaci, kolonel Hoxha, kam autorizuar edhe një oficer të FSK-së, si anëtar i Shtabit Emergjent Qeveritar, i cili do të jetë ndërlidhës me Qendrën tonë operative për të koordinuar ofrimin e të gjitha kapaciteteve tona në shërbim të menaxhimit të tragjedisë.

Duke bashkëndjerë thellë me familjarët që humbën më të dashurit e tyre dhe tanë si dhe të lënduarit, Ministria e Mbrojtjes me të gjitha kapacitetet e veta dhe të FSK-së, ju sigurojmë se do të jemi pranë tyre dhe me ta, si një trup i vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat