Unë “gërnaqi”, po ti kush? Një reflektim pas tragjedisë në Kroaci

Aktuale

Unë “gërnaqi”, po ti kush? Një reflektim pas tragjedisë në Kroaci

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 25 korrik 2021 Në ora: 17:34
Foto nga vendi i ngjarjes

Një ngjarje e tmerrshme tronditi Kosovën mëngjesin e kësaj të diele.

Një autobus që po vinte nga Gjermania u vetaksidentua duke marrë me vete jetën e 10 personave, qytetarë të Kosovës që po vinin në vendlindje. Një dasmë e kthyer në tragjedi.

Diku kah ora 15-16 pasdite do të mbërrinin nëpër shtëpitë e tyre. Do të gëzoheshin prindërit për fëmijët, motrat për vëllezër, vëllezrit për motra, gjyshërit për nipër e mbesa...

Do të kishte lot gëzimi e përqafime të përmallshme. Por, ja që fatkeqësia që ndodhi nuk la vend për lotë gëzimi. Madje, trishimi ka kapluar gjithë Kosovën.

Eh.. Diaspora jonë, mysafir në vendet ku veprojnë, mysafir në Kosovë. Gjithmonë të përvuajtur e me djegie malli për vendlindjen.

Ata që punojnë gjithë vitin, që verës të vinë pran familjeve të tyre. Ani pse e kanë mundesinë që të udhëtojnë kudo në botë, Kosova për ta është prioritet mbi prioritete. Së fundi ua ngjitën edhe një nofkë palidhje, i quajtën "gërnaqa"... Po a thua vallë ata që ua dhanë këtë nofkë çka janë, pse janë e mbi të gjitha kush janë?

Fatkeqësia e sotme në Slavonski Brod të Kroaciasë, në bën të reflektojmë si shoqëri se si ne e trajtojmë diasporën.

Derisa ata sakrifikojnë çdo gjë për Kosovën, shteti ynë asnjëherë nuk arriti t`iu ofronte mirëqenien dhe kushtet që i meritojnë.

Mjafton t`i kujtojmë biletat tepër të shtrenjta të aeroplanit. Kjo i detyron mërgimtarët të marrin rrugë të rrezikshme për të ardhur në vendlindje.

Për 13 vite shtet nuk ishim në gjendje që ta rregullojmë çështjen e biletave për mërgimtarët.

Ka vite që ata i shohim vetëm si një e “mirë materiale” dhe si votë e statistikë në kohë zgjedhjesh.

Aksidenti tragjik ku humbën jetën 10 persona dhe u plagosën mbi 40 të tjerë, le të shërbejë si moment kthese mbi atë se si kjo shoqëri sillet me mërgimtarët..

Ngushëllime familjarëve që humbën më të dashurit e tyre, të lënduarit u shërofshin sa më shpejt!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat