​Mes përplasjeve për “pazare”, Komisioni për buxhet miraton rishikimin e Buxhetit

Aktuale

​Mes përplasjeve për “pazare”, Komisioni për buxhet miraton rishikimin e Buxhetit

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 13:00
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin me amendamente të Projektligjit për rishikimin e buxhetit. I njëjti u vlerësua nga mazhoranca, derisa u kritikua nga opozita, të cilët edhe thanë se pushteti po sillet në mënyrë arrogante duke anashkaluar gjitha kërkesat e tyre.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se mazhoranca duhet ta ndërrojë qasjen, pasi sipas tij është për keqardhje mungesa e bashkëpunimit edhe për çështje të rëndësishme për vendin.

Hoti: Duhet të ndërrohet kjo qasje, shpreh keqardhje për mungesën e bashkëpunimit

“Shpresoj që të ndërrohet kjo frymë e bashkëpunimit, por shpreh keqardhje për mënyrën si i keni kalu amendamentet. Deputeti Hamza që ka qenë gjithashtu ish ministër i Financave ka dhënë plotë komente, jo amendamente që kanë implikime buxhetore, por komente se si mund të përmirësohet disa prej amendamenteve që buxheti të bëhet më funksional. Gjithashtu dy-tri propozime i kam dhënë për të përmirësuar disa amendamente të cilat ju si kryetar veç i keni qitë në votim duke i mbivotuar. Nuk është kjo mënyra e duhur dhe duhet të ndërrohet kjo qasje”, tha ai.

Por një gjë të tillë e mohoi deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, cili tha se është pikërisht opozita që nuk po reflekton për të bashkëpunuar.

Sipas tij, nëse deri më tani është mësuar të bëhen “pazare” në hartimin dhe rishikimin e buxhetit, tashmë gjëra të tilla s’do të ndodhin.

Rrahmani: Kjo mbledhje ka qenë mundësi e mirë e bashkëpunimit dhe reflektim të opozitës

“Kjo mbledhje edhe mbledhja e kaluara kanë qenë një mundësi e bashkëpunimit dhe reflektimit të opozitës për të bashkëpunuar në projekte të cilat janë në interes të qytetarit. Për shkak se ju keni qenë dëshmitarë se në mbledhjen e kaluar të komisionit janë refuzuar kërkesa të ministrive që kanë ardh. Natyrisht që refuzohen kërkesat nga komunat që kërkesat e tyre nuk kanë bazë për t’u shqyrtuar...Nëse deri tash është mësuar me një praktikë ku edhe në rishikime bëhen pazare me subjekte dhe deputetë, mendoj se tash ka kaluar kjo kohë dhe tash e tutje do të punohet ku është interesi i qytetarëve”, tha Rrahmani.

Megjithatë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se pushteti ka bërë “pazar” me rishikimin e buxhetit, pasi i vetmi amendament nga opozita që ka kaluar ka qenë i deputetes, Albena Reshitaj, që ka votuar për zgjedhjen e presidentit.

Lekaj: Aprovimi i amendamentit të Albena Reshitaj po i vjen era pazar për shkak të votimit të presidentit

“Është bërë e padrejtë për kërkesat e kryetarëve të komunave që kanë qenë projekte tri vjeçare. Po thuajse 80 përqind këtyre projekteve janë ndaluar për shkak të buxhetit. Asnjëra prej tyre, pajtohem për projekte të reja, por ato kode që janë ekzistuese që ka kontrata dhe kontraktuesi ka obligime ndaj punëdhënësit është dashur të jenë më realiste. Të kemi bashkëpunim ndërmjet veti...(Deputetja) që ka votuar për presidenten dhe kërkesa e saj është aprovuar në këtë komision, Albena Reshitajt iu është aprovuar në këtë komision, këtu çka po i vjen era. Mendoj se ne nuk kemi bërë pazare me askënd. I vetmi amendament që ka kaluar është i Albena Reshitaj. Kjo është e padrejtë kur të tjerat as nuk janë marrë parasysh”, theksoi ai.

Këtë e mohoi kryetari i Komisionit nga radhët e LVV-së, Armend Muja, i cili tha se “pazari” i vetëm ka qenë minimizimi i borxhit publik.

Muja: Nuk kemi bërë asnjë pazar

“Ne nuk kemi bërë asnjë pazar të mundshëm. I vetmi ka qenë kushtimisht të thuhet ka qenë minimizimi i borxhit publik”, tha Muja.

Kritika ndaj këtij projektligji adresoi edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili tha se nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat