Profesori amerikan jep lajmin: SHBA do të emërojë përfaqësues amerikan për dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Profesori amerikan jep lajmin: SHBA do të emërojë përfaqësues amerikan për dialogun Kosovë-Serbi

Nga: G.B Më: 27 korrik 2021 Në ora: 14:53
Alon Ben-Meir

Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir, ka thënë se me aq sa ka informacione, do të emërohet një përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.

Duke folur në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai ka thënë se një përfaqësues i tillë është ndihmë për dialogun, derisa ka shtuar se Biden është njeri fisnik që do të bëjë gjëra të mira, përcjell Bota sot.

“Mendoj se për aq gjatë se SHBA-ja është një fuqi dhe partner i rëndësishëm në hemisferën perëndimore, SHBA-ja, sidomos tani e përfaqësuar nga presidenti, Joe Biden që krahasuar me ish-presidentin, Donald Trump, çfarë mund të them?! Presidenti Biden është një njeri fisnik që mund dhe do të bëjë shumë gjëra të mira. Pra të kemi një përfaqësues të tij në këtë dialog, gjithmonë është një ndihmë. Është mirë të kemi një përfaqësues të tillë dhe me sa kam informacione, do të emërohet një i tillë”, ka thënë Alon Ben-Meir.

Lidhur me kompromisin në mes të dyja shteteve në kuadër të dialogut, profesori amerikan ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën, duhet të pranojë para botës krimet që i ka kryer ndaj Kosovës.

“Kjo i nevojitet Kosovës dhe Serbisë, proces pajtimi. Serbia duhet t’i pranojë para botës krimet që i ka kryer ndaj kosovarëve. Kjo është fundamentale. Nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh kur ke këtë të kaluar historike e cila nuk është adresuar plotësisht. Mendoj se është shumë kritike për SHBA-në dhe BE-në që të vendosin këtë lloj presioni mbi Serbinë që të ballafaqohet me realitetin, të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Kjo është tepër me rëndësi në procesin e pajtimit sepse ndryshe pavarësisht sesa ke shkëmbime tregtare e kulturore e të tjera, përderisa ajo tragjedi historike nuk është adresuar, do të ketë gjithmonë njerëz që do të rezistojnë normalizimin e plotë të raporteve në mes të të dyja vendeve”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat