Xhelal Sveçla: Pa ndihmën e shtetit kroat, numri i viktimave mund të ishte më i lartë

Aktuale

Xhelal Sveçla: Pa ndihmën e shtetit kroat, numri i viktimave mund të ishte më i lartë

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 00:31
Pamje nga konferenca

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se sjellja e trupave të pajetë të dhjetë bashkatdhetarëve tanë që humbën jetën në një aksident trafiku në Kroaci do të bëhet nesër në mëngjes.

Ai në një konferencë për media sonte në Aeroportin e Prishtinës tha se trupat e pajetë janë në ardhje e sipër në Kosovë dhe se arritja e tyre pritet në orët mëngjesit.

Sveçla: Besoj në orët e hershme të mëngjesit do të arrijnë në Prishtinë

“Po ashtu, pas të gjitha procedurave formale për transportimin e dhjetë viktimave kanë përfunduar dhe trupat e tyre janë duke ardhur në Kosovë dhe ne besojmë që herët në mëngjes do të mbërrijnë këtu... Besoj në orët e hershme të mëngjesit do të arrijnë në Prishtinë dhe pastaj do të dërgohen në familjet e tyre. Ju e dini që kemi një rast ku nënë e bijë kanë vdekur, do të thotë të gjithë do të përcillen në familjet e tyre për varrim”, tha Sveçla.

Ai aksidentin e së dielës e ka quajtur një moment të rëndë për të gjithë popullin e Kosovës, derisa ka falënderuar shtetin kroat për ndihmën e pakursyer që t’iu dalin në ndihmë të lënduarve.

Sveçla: Pa ndihmën e shtetit kroat, numri i viktimave mund të ishte më i lartë

“Në këtë rast besoj se të gjithë duhet të shprehim mirënjohje dhe falënderime për këtë ndihmë të shtetit të Kroacisë që na ka ofruar. Ne jemi të bindur se po të mungonte ndihma e tyre apo të vonohej, numri i viktimave do të ishte më i lartë, prandaj në vazhdimësi iu kemi shpreh falënderimin tonë...”, tha Sveçla.

Për gjendjen shëndetësore të të lënduarve, ka folur ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Vitia: 28 veta janë liruar dhe 15 të tjerë vazhdojnë trajtimin në spitalin e Slavonski Brodit

“28 veta tanimë janë liruar nga spitali dhe 15 të tjerë vazhdojnë trajtimin në spitalin e Slavonski Brodit. Njëri nga pacientët është transferuar në spitalin e Zagrebit, por gjendja e saj është stabile dhe në vizitën që sot ne i bëmë me Sveçlën, gjendja e pacientes është stabile dhe duhen edhe disa ditë derisa të rikuperohen. 15 bashkatdhetarët në spitalin në Slavonski Brod janë në gjendje stabile, ndërsa dy të tjerë janë në kujdes intensiv, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa tjetri në gjendje jashtë rrezikut për jetë. Katër nga bashkudhëtarët kanë shkuar për shërim në Gjermani, ndërsa 6 të tjerë pritet të lirohen në ditët në vijim. Kanë lëndime të lehta dhe autoritetet në Slavonski Brod kanë parë të arsyeshme që të lirohen deri të enjten ose të premten nga ky spital, ndërsa 9 veta do të vazhdojnë trajtimin dhe kur të jenë të gatshëm për transport, në koordinim me autoritetet kroate do të shohim nëse dëshirojnë të vijnë në Kosovë, apo të vazhdojnë në Gjermani për trajtim të mëtejmë. Shumica e të lënduarve janë lëndime poli-trauma, me fraktura të gjymtyrëve, por edhe të brinjëve në disa raste”, ka thënë Vitia.

Sa i përket gjykimit të shoferit të arrestuar ndaj të cilit është shpallur një muaj paraburgim nga autoritetet kroate, ministri Sveçla tha se do të shikohen të gjitha mundësitë që shoferi të kthehet në Kosovë në mënyrë që të përgjigjet para institucioneve të drejtësisë.

Sveçla: Do të shohim të gjitha mundësitë që shoferi të sillet në Kosovë

“Ne jemi në kontakt me autoritetet kroate dhe do të shohim të gjitha mundësitë që shoferi të sillet në Kosovë. Ne nuk kemi marrëveshje ekstradimi me Kroacinë, por do të shohim për një marrëveshje të veçantë, nuk mund të premtoj asgjë. Por janë çështje gjyqësore dhe ne jemi bindur të zbatojmë ligjet e shtetit kroat dhe të shikojmë mundësitë që të transferohet në Kosovë dhe pastaj të përgjigjet para institucioneve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ndryshe, e diela e 25 korrikut ishte një ditë tragjike për të gjithë Kosovën pasi në një aksident trafiku në Kroaci humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë që ishin duke u kthyer në vendlindje. Në autobus ishin 69 pasagjerë, përfshirë dy shoferët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat