Votohet rishikimi i buxhetit për vitin 2021

Aktuale

Votohet rishikimi i buxhetit për vitin 2021

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 07:37
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 16:04) -​Kuvendi dështon të mbajë seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të mbajë seancën plenare në të cilën në rend ditë ishte votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo për shkak se nuk kishte deputetë të mjaftueshëm në sallë, çka edhe ka pamundësuar votimin e këtyre marrëveshjeve për të cilat nevojiten dy të tretat e deputetëve, apo më shumë se 80 deputetë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka thënë se do të njoftojnë me kohë për mbajtjen e seancën në të cilën do të hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare.

Bogujevci: Nuk kemi numra të mjaftueshëm për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

“Tani për tani nuk kemi numra të mjaftueshëm, nuk kemi kuorum. Propozoj që këtë diskutim ta kthejmë në mbledhje të kryesisë dhe të caktohet një seancë kur plotësohen kushtet që të vazhdojmë me këto pika të mbetura nga dy seancat e mëhershme, ju njoftojmë me kohë për datrën dhe vazhdimin e këtyre seancave”, ka thënë Bogujevci.

Në rend ditë ne seancën e cila dështoi të mbahet, ndër të tjera ishin për votim edhe këto projektligje: Votimi i projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore; Votimi i projektligjit për amendamentimin 02 të marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II); Votimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+); Votimi i projektligjit për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Gjithashtu në këtë seancë ishte paraparë propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Mospjesëmarrjen në këtë seancë e ka paralajmëruar paraprakisht Partia Demokratike e Kosovës, sipas së cilës, rishikimi i buxhetit i cili u miratua sot paradite në kuvend, nuk adreson nevoja dhe shqetësimet e qytetarëve, madje as vet programin qeverisës të partisë në pushtet.

Sipas PDK-së, si rezultat i shqetësimeve që kanë ngritur sa i përket rishikimit të buxhetit, kjo parti nuk merr pjesë në seancën e sotme plenare.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë në të cilën, pa përkrahjen e opozitës, është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kuvendi i Kosovës për sot kishte paraparë edhe vazhdimin e seancës për votimin e Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.

***

 Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 69 vota për kanë miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Fillimisht të zgjedhurit e popullit miratuan disa nga amendamentet që kanë pasur mbështetjen nga komisionet funksionale, nga 35 sosh. Ndërsa u miratuan vetëm dy amendamente të propozuara nga partitë opozitare. Për këtë arsye, partitë opozitare nuk morën pjesë në vendimmarrje.

Ishte amendamenti i deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj, i plotësuar dhe ndryshuar nga komisioni për Buxhet që fliste për nisjet e ndërtimit të një shkolle në fshatin Samadrexhë në Suharekë.

Megjithëse amendamenti i saj në tërësi nuk kaloi, deputetja opozitare tha se është e rëndësishme që punimet për vitin 2021 të fillojnë në këtë shkollë, ndërsa në vitin 2022 të alokohen mjetet tjera.

Reshitaj: Për mua ka rëndësi që ky projekt të fillojë

“Për mua ka rëndësi që ky projekt të fillojë dhe në kodin buxhetor për vitin 2021 të jetë i alokuar buxheti. Por shpresoj që në vitin e ardhshëm të ketë buxhet për këtë buxhet”, tha ajo.

Ndërsa, mazhoranca përkrahu edhe amendamentin e deputetes së PDK-së, Blerta Deliu për ndërtimin e çerdhes për fëmijë në komunën e Skenderajt.

Deliu: Ndërtimi i çerdhes për fëmijë në komunën e Skenderajt

“Ndërtimi i çerdhes për fëmijë në komunën e Skenderajt në shumën e planifikuar prej 80 mijë eurosh për vitin 2021, të shtohet shuma prej 50 mijë eurosh”, tha ajo.

***

Me 69 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi e miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2021.

Vetëm një amandament i opozitës ka kaluar nga 35 sa ishin gjithsej. Amandamenti i opozites u bë nga deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra për ndërtimin e një kopshti femijësh në Skenderaj.

***

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kundërshtuar debatin që po bëhet në Kuvendin e Kosovës derisa në rend dite është shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore.

Sipas saj, në këtë seancë është dashur të kalohet drejtpërdrejt në votim të amendamenteve.

“E kam goxha bezdi të flas si ‘kofini pas të vjelave, se debatet sot janë këtu debate shterpë, gjithçka ka kaluar, por mua më befasoni ju zotëri kryetar pse po lejoni kaq shumë debat me një përvojë tuajën mbi 10 vjeçare në Kuvend e dini se është dashur të futemi direkt në votimet e amendamenteve dhe arsyetimet e amendamenteve”, ka thënë Musliu.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i është përgjigjur deputetes Musliu duke lexuar nenin 58 të rregullores së kuvendit i cili përcakton se në shqyrtimin e dytë të projektligjit përveç paraqitjes së raportit nga komisioni funksional dhe diskutimit të grupeve parlamentare, mund të flasin edhe përfaqësuesit r qeverisë dhe deputetët e tjerë.

Ndërsa deputetja e PDK-së kërkoi nga deputetët që të jenë më produktiv.

“Faleminderit kryetar për kohën që morët që të lexoni rregulloren e Kuvendit, përkatësisht me këtë çështje. Është plotësisht ajo që thoni ju, por e thash që jeni deputet më 11 vite ndoshta përvojë dhe i dini shumë mirë praktikat që i ka ndjek ky kuvend dhe kërkova të jemi më praktik në çështje të tilla dhe mos të harxhojmë kohë koti sepse edhe ju e dini që ky debat nuk prodhon asgjë përveç polemikave politike që mund të kenë sot këtu. Dhe ju e pat që në këtë sallë sot u hap edhe fushata elektorale për tetorin që na pret për zgjedhjet komunale, dhe duke u nis nga kjo kërkoj nga kuvendi që të jemi më produktiv në punën që ne bëjmë”, ka thënë Musliu.

***

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu është përplasur me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë seancës së sotme plenare.

Deputeti opozitar ka ngritur dyshime për një vjedhje të re në Thesarin e Shtetit në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe ka akuzuar ministrin për fshehje të rastit. Ndërsa, ky i fundit tha se i njëjti nuk është fshehur, por ka ndodhur në një organizatë tjetër buxhetore dhe jo përmes thesarit. Ai tha se gjitha mjetet janë kthyer dhe rasti është në prokurori.

Haxhiu: A ka ndodhur një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në thesarin e shtetit

“A ka ndodhur një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në thesarin e shtetit prej 200 mijë euro. A janë paguar një kompanie 200 mijë euro edhe pse është mbajtur fshehtë. 2.1 milionëshi nuk është mbajtur fshehur, por e ka marrë vesh krejt bota. Por pse këto 200 mijë euro duhet të mbahen fshehur dhe a ka kallëzime penale për zyrtarët e thesarit që kësaj kompanie ia kanë qitur 200 mijë euro. Emrin e kompanisë e kam këtu, e dini edhe ju. E di që keni qenë në presion, më kanë treguar zyrtarët e ministrisë. Por pse duhet të mbahet fshehur”, tha Haxhiu në seancën e sotme plenare.

Në kundërpërgjigjen e tij, ministri Murati e akuzoi për shpifje deputetin Haxhiu, derisa dha sqarime për rastin.

Murati: Ka ndodhur një rast i pagesës së dyfishtë, mjetet janë kthyer, rasti është në Prokurori

“Një rast i pagesës së dyfishtë për shkak të sistemit ka ndodhur nga një organizatë buxhetore, e cila ka qenë e paligjshme. S’ka ndodhur në Ministri të Financave, ka ndodhur nga një organizatë buxhetore tjetër, jo përmes thesarit. Ne si Ministri e Financave kemi marrë gjitha masat, gjitha mjetet janë kthyer deri në centin e fundit, rasti është në prokurori. Nuk është fshehur, kemi pasur konferencë për medie lidhur me këtë çështje”, tha ai.

***

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti, lidhur me rishikimin e buxhetit për vitin 2021.

Gjatë seancës plenare, ku po diskutohet për të njëjtin, Bajrami tha se nuk reflekton programin qeverisës dhe s’janë të parapara asnjë nga premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja opozitare pyeti edhe kryeministrin Kurti për deklarimet se është kthyer besimi i bizneseve në institucione. Ajo përmendi tenderët një burimore, që sipas saj në të kaluarën janë quajtur korrupsion nga partia e tij.

Bajrami: Deri më tani kemi dhjetëra tender një burimore kryeministër, më herët i keni quajtur korrupsion

“Të thuash se të hyrat buxhetore janë rritur sepse bizneset po paguajnë dhe është kthyer besimi është e pasaktë. Me çka me cilin veprim është kthyer besimi, me atë tenderin e tiketave ngjitëse. Apo me tenderët një burimore. Deri më tani kemi dhjetëra tender një burimore kryeministër. Kur keni qenë në opozitë kryeministër këto i keni quajtur korrupsion”

Krahas kësaj, Bajrami tha se me anë të rishikimit të buxhetit janë 73 milionë euro më pak investime kapitale.

Bajrami: Ky rishikim i buxhetit nuk e reflekton programit qeverisës

“Ky rishikim i buxhetit nuk e reflekton programit qeverisës. Nuk janë para as fondi sovran, banka zhvillimore, nuk është parapa as buxhet shtesë te ministria e Arsimit për 160 kopshte që i keni në program dhe pavarësisht që diku te shtylla e 5 thonë se i keni 100 milionë për investime kapitale, te tabela 1 e buxhetit kemi 73 milionë euro më pak investime kapitale”, shtoi ajo.

Lekaj: Rishikimi i buxhetit është ndërtuar mbi baza politike dhe injoron qytetarët

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se rishikimi i buxhetit i cili pritet të votohet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, nuk është bërë mbi nevojat e qytetarëve.

Në seancën e sotme të Kosovës ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore, Lekaj ka thënë se rishikimi i është ndërtuar mbi baza politike.

Lekaj: Rishikimi i buxhetit nuk ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve

“Ky rishikim i buxhetit është ndërtuar kryekëput dhe puro mbi baza politike. Me vite të tëra në këtë kuvend, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me kryeministrin e sotëm Albin Kurtin keni folur kinse për ndarje të padrejtë dhe pulitke të buxhetit. Deklaronit se me ardhjen e juaj në pushtet, kjo praktikë kinse do të merr fund. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha komunat e Kosovës janë të barabarta, ky rishikim i buxhetit që ka ardhur sot, mund të jetë gjithçka por jo i barabartë, këtë rishikim të buxhetit e keni krijuar me qëllim që të përfitoni politikisht. Pra nuk keni marrë për bazë nevojat e qytetarëve tanë”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka thënë se me këtë buxhet do të dëmtohet gjysma e qytetarëve të Kosovës.

Lekaj: Rishikimi i buxhetit ushqen vetëm egot e kryeminsitrit

“Ky buxhet është kryekëput politik dhe i ushqen vetëm egot e liderit dhe kryeministrit Albin Kurti. Ky buxhet e lë më shumë se gjysmën e qytetarëve të vendit tanë në mëshirën e fatit dhe i injoron ata skajshmërish. Me këtë buxhet e keni vërtetuar që nuk dini të udhëhiqni dhe çdo veprim që e ndërmerrni e bëni vetëm për përfitim të votave, Ky buxhet ju demaskon dhe i tregon qytetarëve të Kosovës sa cinik jeni, ky buxhet i dëshmon qytetarit të vendit që e keni gënjyer vetëm që të vini në pushtet”, ka shtuar Lekaj. 

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka deklaruar se me anë të rishikimit të buxhetit do të rriten të hyrat për vendin, ndërsa do të zvogëlohet borxhi publik.

Duke arsyetuar të njëjtin në seancë plenare, Muja tha se ministritë do të kenë më shumë fonde në dispozicion për t’iu dalë në nevojë qytetarëve.

Muja: Ne e mbështesim këtë rishikim të buxhetit

“Ne e mbështesim këtë rishikim të buxhetit për disa arsye. Fillimisht shpenzimet në kuadër të ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021 ishin të parashikuara të ishin 2.4 miliardë euro. Në ndërkohë, në bazë të rishikimit pritet që shpenzimet të rriten për 63 milionë euro për të financuar prioritetet për ringjallje ekonomike, po ashtu edhe për prioritetin e financimit të nevojave shëndetësore. Kjo është arsyeja e parë, e dyta është rishikimi i të hyrave të përgjithshme. Duhet t’iu rikujtojë të nderuar se në bazë të ligjit të hyrat e përgjithshme ishin parashikuar të ishin rreth 1.8 miliardë euro, në ndërkohë me rishikimin e buxhetit kjo shumë është rritur. Të hyrat e buxhetit janë rritur, e tejkalojnë 2 miliardë euro. Ky rishikim ka ardhur për shkak të performancës dhe rritjes së tatimeve direkte dhe indirekte. Kemi pas një performancë të mirë në tvsh që aplikohet brenda vendit, po ashtu në kufi. Bizneset si tatimi për të ardhura si në korporata kanë filluar të japin kontribut. Kjo ar ardh për shkak të performancës ekonomike dhe besimit të shtuar në qeverinë e re”, tha Muja.

Deputeti i mazhorancës tregoi edhe cilat ministri në ekzekutiv do të kenë mjete shtesë me anë të rishikimit të buxhetit.

Muja: Kemi rreth 34 milionë euro më shumë për Ministrinë e S shëndetësisë

“Kemi rreth 34 milionë euro më shumë për ministrinë e shëndetësisë dhe shërbimin spitalore, kemi 60 milionë euro për trasnfere për grupe shoqërore që janë në nevojë. Kemi 22 milionë euro më shumë për Ministrinë e Tregtisë, kemi 12 milionë euro më shumë për ministrinë e Bujqësisë, 11 milionë euro më shumë për nivelin lokal më shumë dhe ka pas një reflektim disa kontrata të dëmshme janë anuluar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mbrojtjes dhe fondet e njëjta janë për financim të nevojave imediate”, shtoi ai.

Ndërkohë tha se me rishikimin e buxhetit do të rriten të hyrat dhe zvogëlohet borxhi publik.

Muja: Të hyrat rriten, zvogëlohet borxhi publik

“Borxhi publik, në bazë të Ligjit për ndarje buxhetore ishte parashikuar të ketë një vrimë buxhetore prej 563 milionë euro, por me rishikimin e buxhetit ky borxh është paraparë të zvogëlohet në 473 milionë euro. Në kuadër të projektligjit, të hyrat rritet ndërsa vrimat(borxhi publik) do të zvogëlohet”, tha ai.

(E plotësuar 11:00) - Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ajo që e karakterizon dokumentin e projektligjit për ndarjen buxhetore 2021, është diskrepanca ndërmjet programit të qeverisë dhe projektligjit të hartuar. Sipas tij ky projektligj nuk e reflekton as programin e qeverisë as nevojat e qytetarëve.

“Kemi një mos reflektim të ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ose duhet të plotësohet ai ligj ose duhet të zbatohet. Mos zbatimi i ligjit dëmton bizneset dhe sektorin provat”, tha Hamza mes tjerash.

Hamza i ka thënë qeverisë se me këtë projektligj do të identifikoheni për rritje të borxhit publik.

Kurse, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se që nga paslufta nuk ka pasur regres përvec kohës së pandemisë.

Edhe vitin tjetër të hyrat do të pësojnë rritje.

“Sa herë që bëni krahasime është mirë që të merret për bazë viti 2019 e jo viti 2020”, u shpreh ajo.

LIVE: Fillon seanca e Kuvendit të Kosovës me 1 minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Kroaci

(E plotësuar 10:55) - Seanca e Kuvendit për  Shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, ka filluar me një minutë heshtje për nder të viktimave të aksidentit në Kroaci.

Kuvendi përpos buxhetit do të shqyrtojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

***

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot nga ora 10:00 seancën plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Ndërsa, nga ora 14:00 do të vazhdojnë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Të hënën, më 2 gusht, po ashtu, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, ku pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, pritet të debatohet lidhur me punën 100-ditore të qeverisë.

Në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Qeverisë për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik, si dhe të zgjidhen kryesuesi dhe dy anëtarë të ZRRE-së, si dhe tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat