Lamtumira e fundit, mes lotëve e dhimbjes varrosen viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci

Aktuale

Lamtumira e fundit, mes lotëve e dhimbjes varrosen viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci

Nga: Bota sot Më: 28 korrik 2021 Në ora: 08:52

(E plotësuar 19:35)  - ​Varroset 18 vjeçarja Anjeza Bellanica

Në mbrëmjen e së mërkurës i është dhënë lamtumira e fundit, Anjeza Bellanicës, 18-vjeçares që humbi jetën në aksidentin në Kroaci.

Familjarë dhe miq të shumtë janë mbledhur në Krushë të Madhe të Rahovecit për ta varrosur viktimën më të re në moshë nga aksidenti i autobusit që po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë.

Dhimbja te familjarët është e madhe për Anjezën, megjithëse s’pranuan të flasin para kamerës dhe nuk lejuan të xhirohet procesi i varrimit. Ata jashtë kamerës thanë së kjo tragjedi është e rëndë për familjen e tyre.

E ndjera së bashku me 9 qytetarë të tjerë humbën jetën si pasojë e një aksidenti në Kroaci, rrugës për atdheun e tyre. Ndërsa mbi 40 të tjerë u lënduan.

***

Ka filluar ceremonia e varrimit të Anjeza Bellanicës.

Varrimi i saj po të bëhet në Krushë e Madhe, shkruan "Bota sot".

Këtë të mërkurë është varrosur edhe Kujtim Kastrati nga Malësia e Madhe e Rahovecit.

**

Ceremonia e varrimit të Anjeza Bellanicës

Edhe Anjeza Bellanica pritet të varroset.

Varrimi i saj do të bëhet në Krushë e Madhe, shkruan "Bota sot".

Gjatë ditës, janë zhvilluar edhe varrimet e tjera të viktimave të cilët kanë ndërruar jetë gjatë aksidentit në Kroaci.

Mërgimtari që vdiq tragjikisht në Kroaci, ishte nisur për pushime me gruan dhe djemtë e tij

Është varrosur Savdail Rrustemi nga Pakashtica e Podujevës, bashkatdhetari që humbi jetën në aksidentin tragjik me autobusin fatkeq më 25 korrik në Kroaci.

Në emër të familjes Rrustemi, axha i Sevdailit ka falënderuar të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni, si dhe institucionet lokale dhe qendrore që kanë qëndruar këto ditë afër tyre në momentet më të rënda me rastin e vdekjes tragjike të familjarit të tyre.

Image

Rrustemi: Ju falënderoj të gjithëve që jeni afër nesh

“Në emër të familjes ju falënderoj të gjithëve, që prej momentit kur është dhënë lajmi e deri më sot na u keni gjendur në këto momente shumë të rënda për familjen tonë. E falënderoj kryetarin që në çdo moment ka qenë afër neve. Falënderoj institucionet qendrore e lokale. Perëndia ju shpërbleftë të gjithëve”, tha Rrustemi.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i cili e kishte pasur edhe mik Sevdailin, tha se është dhimbje e madhe për shkuarjen në amshim kaq herët dhe papritur, që asnjë herë nuk pushoi së punuari e kontribuuari për familjen e tij të ngushtë me të cilën pak kohë më parë u bashkua në Gjermani.

Bulliqi: Është e vështirë të gjenden fjalë për Sevdailin

“Në rastet si ky, për secilin prej nesh e sidomos për mua që e kisha mik të mirë është e vështirë të gjenden fjalë me të cilat do të përshkruajmë personalitetin e Sevdailit, i cili gjithë jetën ishte shembull i familjarit të përkushtuar, njeri i mirë e me zemër të madhe. Të gjithë ne që jemi mbledhur për Sevdailin kemi vetëm kujtime të mira, të cilat do t’i ruajmë gjithmonë”, tha Bulliqi.

Tashmë i ndjeri 47-vjecar ka qenë duke ardhur nga Frankfurti për pushime në vendlindje bashkë me gruan dhe dy djemtë e tij, të cilët arritën t’i mbijetojnë këtij aksidenti.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit kishin ardhur në ceremoni të varrimit, familjarë, të afërm, ministra nga kabineti qeveritar dhe qytetarë të shumte nga Llapi dhe vende të tjera.

Në aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Slavonski Brod të Kroacisë humbën jetën 10 bashkatdhetarë dhe u lënduan mbi 40 të tjerë.

 ​I jepet lamtumira e fundit edhe Leonora Gjotaj Komlmekshajt

Në varrezat e fshatit Lipovec të Gjakovës këtë të mërkurë iu dha lamtumira e fundit Leonora Gjotaj Kolmekshaj e cila humbi jetë në aksidentin tragjik në Kroaci.

Me lot në sy familjarët varrosën të ndjerën e cila pas la dy fëmijët e tyre me të cilët ishte edhe në autobus.

Image

Familjari Gëzim Komekshaj nuk i besohet se e ndjera nuk do të jetë më. Ai tha se një humbje si kjo është e vështirë dhe e dhimbshme.

Kolmekshaj: Për ne ditë e dhimbshme, qenka shumë e vështirë

“Për ne është ditë shumë dhimbshëm se kemi pas një kunatë shumë të mrekullueshme dhe kemi pas një jetë si vëllezër ndërmjet vete. Qenka shumë e vështirë por po dufka me përballu. Ka lënë pas dy djem, djemtë na kanë pshtu me na hek pak mërzinë dhe me u çmallë. Ata kanë qenë me nënën e tyre, por nëna e tyre vdiq”, tha ai.

Në ceremoni të varrimit në mesin e shumë qytetarëve që morën rrugë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Leonorës, ishte edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Gjini tha se në këtë ditë të vështirë do të qëndrojnë pranë familjarëve që humbën jetë në Kroaci.

Gjini: Sot po i varrosim viktimat, një ditë shumë e dhimbshme

“Sot është edhe një ditë në vazhdën e disa ditëve që i kemi pas shumë të dhimbshme pas fatkeqësisë së komunikacionit që ka ndodhur në Kroaci. Sot familja e varrosi njëri prej viktima Leonora Kolmekshaj, ju shpreha ngushëllime familjes dhe ju shpreh ngushëllime gjithëve. Sot do t’i varrosim viktimat dhe do të jetë një ditë shumë e dhimbshme për familjet, për më të afërmit mirëpo vetëm çka duhet të bëjmë është të shpresojmë që raste të tilla mos të na ndodhim më. Atyre që janë ende duke u shëruar iu uroj shërim të shpejtë dhe atyre që kanë mbetur në Kroaci një kthim më të shpejtë. Por për familjet që i kanë humbur të dashurit janë ditë të dhimbshme duhet të provojmë të iu gjendemi pranë”, tha Gjini.

Këtë të mërkurë është varrosur edhe Kujtim Kastrati nga Malësia e Madhe e Rahovecit dhe Sevdail Rrustemi nga Pakashtica e Podujevës.

Varrosen edhe nënë e bijë nga Gjakova që vdiqën në Kroaci

Nënë e bijë nga komuna e Gjakovës po qe humbën jetën në aksidentin tragjik në Kroaci po varrosen sot në vendin e tyre tyre të lindjes.

45-vjeçarja, Valentina Binakaj dhe e bija 18-vjeçare, Erlinda Binakaj, fatkeqsisht nuk arritën t’i mbijetojnë tragjedisë të dielën në mëngjes në Slovonski Brod të Kroacisë.

Mes dhimbjes e lotëve para pak çastesh atyre iu dha lamtumira e fundit.

Image

Dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Image

I jepet lamtumira e fundit mërgimtarit Kujtim Kastrati

Është varrosur, Kujtim Kastrati, bashkatdhetari që humbi jetën në aksidentin e javës së kaluar në Kroaci.

Familjarë, miq dhe qytetarë janë mbledhur në Malësi të Vogël të Rahovecit për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Kujtimit, i cili la pas vetes dy fëmijët.

Image

Vdekja e të ndjerit po përjetohet rëndë nga familjarët, megjithatë shprehin falënderime për Qeverinë për kujdesin ndaj viktimave dhe të lënduarave në aksidentin me autobus në Kroaci.

Sadik Kastrati, axha i Kujtimit tha se tragjedia që ndodhi të dielën e javës se kaluar është kombëtare, jo vetëm e familjes së tyre.

Kastrati: Kjo nuk është tragjedi vetëm e jona, por kombëtare

“Kjo nuk është tragjedi vetëm e jona, por edhe e kombit. E falënderoj edhe Qeverinë, që për hir të popullit ditën e hënë ka pasur ditë zie. S’kemi çka të flasim. Falënderime, dhimbja mbetet dhimbje”, tha ai.

Edhe familjarë të tjerë jashtë kamerës së kp shprehën dhimbjen për vdekjen e të afërmit të tyre.

Pjesë e ceremonisë së varrimit ishte edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili tha se ngjarja tragjike e së dielës ka goditur rëndë gjithë popullin tonë.

Latifi: Tragjedia e ka goditur tërë kombin tonë

“Po e mbulojmë me dheun e Kosovës Kujtimin, i cili është pjesë e tragjedisë ku humbën jetë edhe 9 qytetarë tjerë. Tragjedia që ndodhi e ka goditur tërë kombin tonë”, tha ai.

Kujtim Kastrati së bashku me 9 viktima të tjerë humbën jetën të dielën e javës së kaluar në një aksident në Kroaci duke ardhur në Kosovë.

 ​I jepet lamtumira e fundit 46-vjeçarit nga Podujeva

Sevdail Rrustemi, 46-vjeçar, nga Pakashtica e Podujevës mbeti i vdekur në aksidentin tragjik që ndodhi ditën e diel në Kroaci.

Bashkë me të ndjerin, në autobus ishin edhe bashkëshortja dhe dy djemtë e tij, të cilët pësuan lëndime trupore dhe të njëjtit kanë marrë edhe mjekësor në shtetin kroat, ka njoftuar vëllai i të ndjerit.

Image

Para pak çastesh mes dhimbjes e lotëve iu dha lamtumira e fundit 46-vjeçarit.

Dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Hoxha: Vëllain e përcolla për në Gjermani para 10 ditëve, u kthye i vdekur

Këtë pasdite i është dhënë lamtumira e fundit Ahmet Hoxhës nga Randobrava në Prizren, njërit nga viktimat e aksidentit të së dielës në Kroaci.

55-vjeçari që për 10 vite po jetonte në Gjermani po vinte në Kosovë vetëm 10 ditë pas vizitës së fundit këtu, për të marrë pjesë në një gazmend familjar, por që gjeti vdekjen në aksidentin tragjik ku humbën jetën 10 mërgimtarë.

Sot kur iu dha lamtumira e fundit, vëllai i të ndjerit, i cili po martonte vajzën, Rafet Hoxha thotë se as që e kishin ditur që Ahmeti po vinte në Kosovë.

Mes lotësh Hoxha thotë se nuk i besohet që vetëm 10 ditë pasi e përcolli, i vëllai u kthye në Kosovë, por në arkivol.

Hoxha: Vëllain e përcolla për në Gjermani para 10 ditëve, u kthye i vdekur

"Unë nuk jam kanë i informuar që vëllai po vjen prej Gjermanisë, pasi ka ndodhur aksidenti më ka tregu djali i vëllait që po vjen ai, kishim shpresë që nuk është aty, por qe[...]Vëllain e kam përcjell për Gjermani para 10 ditëve, u kthye në kufomë", thotë ai.

Për t'i dhënë lamtumirën e fundit 55-vjeçarit nga Prizreni kishin dal familjarë, të afërm e qytetarë të shumtë.

Djali i hallës së të ndjerit, Sabri Morina tregon për KosovaPress se Ahmet Hoxha kishte virtyte të larta.

Morina: E kemi prit me e taku, por u takuam ndryshe

"Mashkull i vyeshëm ka qenë, që në çdo punë e ki gjet[...]E kemi prit se nip e kemi, e kemi prit me u taku, por u takuam ndryshe", thotë familjari.

Ndërsa Elez Elezi nga Prizreni e kujton bashkëvendasin si një njeri të urtë e punëtor.

Elezi: Jemi shumë të prekur, por fati paska dashtë kështu

"Mirë e njoh, vendas jam. Ka qenë djalë i mirë, i sinqertë, punëtor. Të gjithë jemi demoralizu, jemi shumë të prekur, shumë të lënduar. Por, çka të bësh, fati e ka dashtë ashtu", thotë ai.

Ahmet Hoxha u varros të mërkurën në varrezat e fshatit Randobravë të Prizrenit.

***

Varroset 55-vjeçari nga Randobrava që vdiq në aksidentin tragjik

Është varrosur njëri nga viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e së dielës në Slavonski Brod të Kroacisë.

Në këtë aksident janë regjistruar 10 viktima.

Hamet Hoxha, 55 vjeçar nga Randobrava është përcjellur sot për në banesën e tij të fundit.

Hoxha u varros në Prizren, ku familjarë e miq të shumtë i dhanë lamtumirën e fundit.

Gjatë ditës së sotme në Kosovë kanë arritur edhe trupat e viktimave të tjera nga ky aksident që padyshim ishte një nga tragjeditë më të mëdha për të gjithë vendin.

Image

Trupat e pajetë të mërgimtarëve nga aksidenti mbërrijnë në Kosovë, dërgohen në morgun e Spitalit të Prizrenit

Trupat e dhjetë viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci, janë dërguar në morgun e Spitalit të Prizrenit.

Media po qëndron te morgu i Spitalit të Prizrenit dhe sjell foto prej atje.

Ndryshe, sjellja e trupave të viktimave është bërë me tri vetura, nën përcjelljen e policisë.

Image

Në vendkalimin kufitar janë parë edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipër, Nait Hasani dhe ai i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Prej kompanisë që po e kryen transportin kanë deklaruar se këtë po e bëjnë vullnetarisht.

“Gjithë përgatitjet janë bërë nga kompania. Ne e kemi kry transportin vullnetarisht”, ka deklaruar një prej përfaqësuesve të kompanisë.

Image

Varrimi i viktimave pritet të bëhet në orët e pasditës.

***

Kanë arritur në Kosovë trupat e mërgimtarëve të vdekur në aksidentin e së dielës në Kroaci.

Janë tri vetura që sapo kanë kaluar kufirin në Vërmicë e që do të asistohen nga 5 vetura të tjera ndihmëse.

Në secilën veturë janë vendosur nga një lule në shenjë nderimi për jetë ne tyre.

Trupat e mërgimtarëve të vdekur në aksidentin e të dielës në Kroaci pritet që fillimisht të dërgohen në morg, e më pas t'iu dorëzohen familjareve për varrim.

Varrimi i trupave të pajetë do të bëhet pasditen e sotme.

Latifi: Dola t’i pres viktimat në shenjë solidarizimi, bashkëndjejmë dhimben me familjarët

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka shkuar në Vermicë për t’i pritur trupat e pajetë të personave që humbën jetë në aksidentin tragjik në Slavnako Brod të Kroacisë.

Latifi tha se ai doli t’i presë viktimat në shenjë respekti dhe solidarizimi, ku shtoi se bashkëndjenë dhimbjen me familjarët e tyre.

Në mesin e viktimave janë edhe dy persona nga Komuna e Rahovecit, njëra është 18-vjeçarja Anjeza Bellacia nga Krusha e Madhe.

Latifi: Dola t’i pres viktimat, bashkëndjejë dhimbjen e familjarëve

“Dola në shenjë të respekti, mirënjohës dhe solidarizimi dhe bashkëndjejë me dhimbjen e familjarëve dhe qytetarëve të Kosovës për këtë tragjedi që ka ndodhur në Slavnoski Brod. Janë 10 qytetarë që kanë vdekur, dy janë nga komuna jonë, dhe njëra është vajza 18 vjeçare, Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe tjetri është Kujtim Kastrati 40 vjeçar nga Malësia e Madhe. Kemi edhe qytetarët që tragjikisht e kanë humbur jetë”, tha Latifi.

Latifi ka treguar edhe kohën e varrimit për Kujtim Kastratin, Anjeza Bellanica dhe Ahmet Hoxhën nga fshati Randubravë

Latifi: Janë të gjitha viktimat

“Nuk janë tetë viktima, por janë 10 viktima dhe ata me siguri do të ndalojnë në morgun e spitalit të Prizrenit dhe do të ju dorëzohen familjeve për t’i varrosur në ora 18:00 është varrimi i Kujtim Kastratit në Malësi e Vogël, në ora 19:00 është varrimi i Anjezës. Po besojmë që në ora 16:00 bëhet varrimi i Ahmet Hoxhës në Fshatin Randubravë”, tregoi ai. 

Trupat e dhjetë viktimave të aksidentit tragjik në Sllavonski Brod të Kroacisë s’do të arrijnë në Kosovë edhe një orë.

Kështu ka deklaruar  pronari i kompanisë së funeraleve që po bën transportin e kufomave.

Ndryshe, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

***

Trupat e pajetë të mërgimtarëve që pësuan nga aksidenti në Kroaci kanë arritur në pikën kufitare të Morinës.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, po qëndron në Morinë në përcjellje të trupave të pajetë të aksidentit tragjik të së dielës në Kroaci.

Ndryshe mbrëmë në Aerportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur 21 nga të mbijetuarit e aksidentit që janë në gjendje më të mirë shëndetësore.

Image
Image

Në këtë orë pritet të arrijnë trupat e viktimave të aksidentit që tronditi Kosovën, mblidhen mërgimtarët për t’i nderuar

Trupat e viktimave që vdiqën në aksidentin tragjik në Kroaci, pritet që të arrijnë në Kosovë sot rreth orës 12:00.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar  nga kompania e funeraleve që po e kryen transportin.

Në vendkalimin kufitar në Vërmicë ka qëndruar gazetarja e cila ka biseduar me një mërgimtar, i cili ka dal atje për t’i nderuar viktimat.

Mërgimtari Mentor Zekolli ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndë për ta, derisa i ka lutur shoferët që të kenë shumë kujdes gjatë vozitjes.

“Jam vetë gurbetqar e di dhimbjen se kur i ndodh dicka familjes. Pata dëshirë të jem këtu. Një ngjarje e tillë është shumë e randë për neve gurbetqarëve. E dijmë dhimbjen shumë. Një rast shumë tragjik për neve shqiptarëve kudo që janë, dhe i kisha lut shoferat që të kenë shumë kujdes”, ka thënë Zekolli.

Përveç Zekollit, në këtë vendkalim kufitar janë grumbulluar edhe qytetarë të tjerë, të cilët kanë dashur t’i nderojnë viktimat e këtij aksidenti.

Ndryshe, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

Në Kosovë pritet të arrijnë trupat e viktimave të aksidentit Kroaci

Në Kosovë pritet të arrijnë sot trupat e viktimave që pësuan të dielën në aksidentin në Kroaci.

Dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin - nga Frankfurti për në Prishtinë - doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

Në spitalin e Sllavonski Brodit vazhdojnë trajtimin edhe 15 pasagjerë të lënduar - njëri prej tyre në gjendje të rëndë, tha ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.

Sipas tij, një pasagjere po trajtohet në spital të Zagrebit.

Vitia tha se nga pasagjerët e liruar nga spitali, katër prej tyre kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani.

Radio Evropa e Lirë mori vesh se transporti i viktimave të aksidentit po bëhet përmes Malit të Zi dhe jo Serbisë, pasi kjo e fundit nuk e njeh dokumentacionin për këtë rast.

Një kompani private është duke bërë transportimin e dhjetë kufomave nga Kroacia në Kosovë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat