​Kuvendi dështon të mbajë seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Aktuale

​Kuvendi dështon të mbajë seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 16:04
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të mbajë seancën plenare në të cilën në rend ditë ishte votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo për shkak se nuk kishte deputetë të mjaftueshëm në sallë, çka edhe ka pamundësuar votimin e këtyre marrëveshjeve për të cilat nevojiten dy të tretat e deputetëve, apo më shumë se 80 deputetë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka thënë se do të njoftojnë me kohë për mbajtjen e seancën në të cilën do të hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare.

Bogujevci: Nuk kemi numra të mjaftueshëm për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

“Tani për tani nuk kemi numra të mjaftueshëm, nuk kemi kuorum. Propozoj që këtë diskutim ta kthejmë në mbledhje të kryesisë dhe të caktohet një seancë kur plotësohen kushtet që të vazhdojmë me këto pika të mbetura nga dy seancat e mëhershme, ju njoftojmë me kohë për datrën dhe vazhdimin e këtyre seancave”, ka thënë Bogujevci.

Në rend ditë ne seancën e cila dështoi të mbahet, ndër të tjera ishin për votim edhe këto projektligje: Votimi i projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore; Votimi i projektligjit për amendamentimin 02 të marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II); Votimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+); Votimi i projektligjit për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Gjithashtu në këtë seancë ishte paraparë propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Mospjesëmarrjen në këtë seancë e ka paralajmëruar paraprakisht Partia Demokratike e Kosovës, sipas së cilës, rishikimi i buxhetit i cili u miratua sot paradite në kuvend, nuk adreson nevoja dhe shqetësimet e qytetarëve, madje as vet programin qeverisës të partisë në pushtet.

Sipas PDK-së, si rezultat i shqetësimeve që kanë ngritur sa i përket rishikimit të buxhetit, kjo parti nuk merr pjesë në seancën e sotme plenare.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë në të cilën, pa përkrahjen e opozitës, është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kuvendi i Kosovës për sot kishte paraparë edhe vazhdimin e seancës për votimin e Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat