Mërgimtari që vdiq tragjikisht në Kroaci, ishte nisur për pushime me gruan dhe djemtë e tij

Aktuale

Mërgimtari që vdiq tragjikisht në Kroaci, ishte nisur për pushime me gruan dhe djemtë e tij

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 19:34
Pamje nga varrimi

Është varrosur Savdail Rrustemi nga Pakashtica e Podujevës, bashkatdhetari që humbi jetën në aksidentin tragjik me autobusin fatkeq më 25 korrik në Kroaci.

Në emër të familjes Rrustemi, axha i Sevdailit ka falënderuar të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni, si dhe institucionet lokale dhe qendrore që kanë qëndruar këto ditë afër tyre në momentet më të rënda me rastin e vdekjes tragjike të familjarit të tyre.

Rrustemi: Ju falënderoj të gjithëve që jeni afër nesh

“Në emër të familjes ju falënderoj të gjithëve, që prej momentit kur është dhënë lajmi e deri më sot na u keni gjendur në këto momente shumë të rënda për familjen tonë. E falënderoj kryetarin që në çdo moment ka qenë afër neve. Falënderoj institucionet qendrore e lokale. Perëndia ju shpërbleftë të gjithëve”, tha Rrustemi.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i cili e kishte pasur edhe mik Sevdailin, tha se është dhimbje e madhe për shkuarjen në amshim kaq herët dhe papritur, që asnjë herë nuk pushoi së punuari e kontribuuari për familjen e tij të ngushtë me të cilën pak kohë më parë u bashkua në Gjermani.

Bulliqi: Është e vështirë të gjenden fjalë për Sevdailin

“Në rastet si ky, për secilin prej nesh e sidomos për mua që e kisha mik të mirë është e vështirë të gjenden fjalë me të cilat do të përshkruajmë personalitetin e Sevdailit, i cili gjithë jetën ishte shembull i familjarit të përkushtuar, njeri i mirë e me zemër të madhe. Të gjithë ne që jemi mbledhur për Sevdailin kemi vetëm kujtime të mira, të cilat do t’i ruajmë gjithmonë”, tha Bulliqi.

Tashmë i ndjeri 47-vjecar ka qenë duke ardhur nga Frankfurti për pushime në vendlindje bashkë me gruan dhe dy djemtë e tij, të cilët arritën t’i mbijetojnë këtij aksidenti.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit kishin ardhur në ceremoni të varrimit, familjarë, të afërm, ministra nga kabineti qeveritar dhe qytetarë të shumte nga Llapi dhe vende të tjera.

Në aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Slavonski Brod të Kroacisë humbën jetën 10 bashkatdhetarë dhe u lënduan mbi 40 të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat