​Deputetët kërkojnë sqarime, ARKEP arsyeton IPKO-n për mesazhet e mirëseardhjes në Serbi

Aktuale

​Deputetët kërkojnë sqarime, ARKEP arsyeton IPKO-n për mesazhet e mirëseardhjes në Serbi

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të enjten vizitoi ARKEP-in për të marrë më shumë informacione sa i përket mesazheve që operatori IPKO u ka dërguar klientëve të vet në pjesë të caktuara të Kosovës, e ku u urohej mirëseardhje në Serbi.

Me këtë rast, deputetët kërkuan nga ARKEP që ta mbikëqyr MTS që të mos interferojë tek operatorët tjerë.

Kryetari i bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi, tha se ky problem ka qenë teknik si rezultat i marrëveshjes së roaming-ut mes operatorëve IPKO dhe Telekom Serbija.

Ai bëri të ditur se me të lexuar lajmin në media menjëherë kanë kontaktuar IPKO-n për të marrë sqarime për atë që ka ndodhur, teksa shtoi se IPKO e ka zgjidhur brenda ditës këtë çështje.

Rahimi: Kjo ka ndodhur si çështje e marrëveshjes së roaming-ut

“Ai tekst ka qenë si shenjë identifikimi që konsumatori ka hyrë në një zonë roaming (ndërkombëtar)... Në momentin që e kemi marrë informatën ne kemi komunikuar menjëherë, brenda ditës, me IPKO-n dhe kemi kërkuar sqarime për këtë çështje. Ata brenda ditës, po atë ditë kur është publiku lajmi, na kanë informu që e kanë rregullu. Këtë e kanë konfirmu edhe me shkrim, edhe gojarisht. Megjithatë, ne si ARKEP që të nesërmen kemi organizuar monitorim të MTS-it në pjesët ku është shfaqur kjo dukuri dhe në disa pika tjera[...]Pastaj ne si ARKEP kemi mbajtur një takim si bord dhe kemi kërkuar nga MTS dhe IPKO, dhe kemi marrë përgjigje që kjo ka ndodhur si çështje e marrëveshjes së roming-ut. Stacioni bazë i cili ka dhënë sinjalin për telefoninë mobile nuk është programuar në atë mënyrë që të ndalë dërgimin e sms-ve dhe ky problem është eliminuar menjëherë”, tha ai.

Në rast se kjo dukuri përsëritet edhe njëherë, Rahimi tha se do të sanksionojnë të dy operatorët.

Rahimi: Do t’iu shqiptojmë vërejtje me shkrim edhe IPKO-s edhe Telekom Serbija

“Ne kemi marrë prej tyre përgjigjet dhe do t’iu shqiptojmë vërejtje me shkrim të dy operatorëve që në rast se një dukuri e tillë përsëritet me automatizëm ne do t’i sanksionojmë”, shtoi ai.

Deputetët pyetën sesi ka mundur një operator MTS të dërgojë mesazhe të tilla ‘mirëseardhje në Serbi’, tek qytetarët që posedojnë numra të operatorit IPKO.

Lidhur me këtë anëtarja e bordit, Rrezarta Duraku Rizaj, bëri të ditur se mesazhet janë dërguar nga IPKO dhe jo nga MTS, për shkak që numrat e IPKO-s atë ditë janë lidhur automatikisht me roaming të Telekomit të Serbisë si rezultat i marrëveshjes për roaming mes këtyre dy palëve.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari pyeti se pse MTS aktivizohet menjëherë dhe jo Vala.

Ajo pyeti anëtarët e bordit të ARKEP se a janë të sigurt se nuk ka denominim në marrëveshjen e IPKO-s me Telekomin e Serbisë. Një gjë të tillë e mohoi kryetari i bordit, Nazim Rahimi.

Kusari: A mundeni me garantu që s’ka denominim Kosovo i Metohija në marrëveshjen e IPKO-s me Telekomin e Serbisë

“Marrëveshja e IPKO-s me Telekomin e Serbisë, në këtë rast që qenka e vetmja, është nënshkruar me premisat se IPKO ka nënshruar marrëveshje me një operator që Kosovës i referohet me denominimin ‘Kosovo e Metohija’... A mundeni me garantu që s’ka denominim Kosovo i Metohija që një operator funksional në Kosovë nënshkruan me Telekomin e Serbisë”, pyeti ajo.

Rahimi mohoi se në marrëveshjen konfidenciale të marrë nga IPKO, nuk i referohet në asnjë vend Kosovës si territor i Serbisë.

Rahimi: Unë nuk pash që ka ‘Kosovë dhe Metohi’, është vetëm fjala Kosovë

“Në atë që unë pash dje në atë marrëveshje, që e kanë të gjithë operatorët ndërmjet vete, unë nuk pash që ka ‘Kosovë dhe Metohi’, është vetëm fjala Kosovë. Unë e kam këqyr atë... 11:00 Ky është ai mesazhi i famshëm që ka ardhë ‘që thotë mirë se vini në rrjetin e operatorit MTS’”, tha ai.

Kurse deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se dyshon se ka antena të cilat nuk mund të kontrollohen.

Lekaj: Kam dyshim që ka antena që nuk mund të kontrollohen

“Kam dyshim që ka antena që nuk mund të kontrollohen. Argumentojeni që ju keni mundur me hi në brendi të kultit fetar për t’u bërë inspektimi, përpos prej një largësie të caktuar. Në asnjë kult fetar kjo nuk është lejuar”, tha Lekaj.

Përgjigjen lidhur me këtë çështje e dha shefi i Departamentit të Radiomonitorimit, Astrit Ajvazi, i cili tha se matjet e shfrytzueshmërisë së frekuencave të operatorit MTS janë të vazhdueshme.

Ai tha se as antena e vendosur në Manastir të Deçanit nuk e ka as pozitën dhe as mundësinë për mbulimin e territoreve për shkak të specifikave të kësaj antene.

Ajvazi: Antenat në kultet fetare janë të kufizuara në monitorim

“Ky operator ka infrastrukturë të kufizuar, mirëpo matjet janë të vazhdueshme, veçanërisht sa i përket operatorit MTS. Lidhur me antantat që u specifikua, në Deçan (manastir), kjo antenë operon në brezin frkuencor 900 mgh, është e kufizuar, nuk ka mundësi me punu në brezin 1800 as 2100[...]Antenat që janë të vendosura ën kultet fetare janë të kufizuara në shfrytëzim edhe në brezet frekuencore edhe në shërbime. Kur po them që monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme po ashtu, me pajisjet që ARKEP ka në dispozicion është e sigurt dhe verifikohet shfrytzueshmëria e saktë që ka kjo antenë dhe të gjitha antenat e MTS”, sqaroi ai.

Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë ose jo të përgjimit të telefonatave të rrjetit MTS që ndodhin në Kosovë në rast se institucionet e sigurisë e shohin të arsyeshme deshifrimin e një bisede, por që u tha se kjo nuk është kompetencë e ARKEP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat