Edi Rama, të fala vëllait, Kosova është shtet i pavarur

Aktuale

Edi Rama, të fala vëllait, Kosova është shtet i pavarur

Mimozë Lakna, Bota sot Nga Mimozë Lakna, Bota sot Më 29 korrik 2021 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Të enjten (29 korrik) nisi punimet në Shkup të Maqedonisë Veriore “Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal”, ndërmjet Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për tregti të lirë.

Rajoni i Ballkanit përfshin më shumë shtete se sa tri të lartpërmendurat. Kosova po refuzon të jetë pjesë e kësaj nisme me plot të drejtë.

Kur shohim përpjekjen vetëmohuese të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për ta çuar përpara iniciativën për “Mini Shengenin” Ballkanik, apo siç po mundohen ta kamuflojnë me termin “Ballkani i hapur”, atëherë na bën të dyshojmë se ai po punon prapa shpinës tonë, në të mirë të Serbisë.

Rama ka bërë thirrje që të mos mbetemi peng i së shkuarës, duke harruar apo duke e injoruar tërësisht faktin se e shkuara me Serbinë ende i dhemb popullit të Kosovës. Edi Rama po e injoron faktin se rreth 13.500 njerëz u vranë gjatë luftës së fundit në Kosovë (1999), mbi 2 mijë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur e për dëme materiale të mos flasim, Kosova ishte rrafsh me tokë kur mbaroi lufta. Serbia me Vuçiqin në krye dhe me të tjerët para tij, nuk e morën asnjëherë mundin që të kërkojnë falje për krimet makabre në Kosovë. Mbase, Rama nuk e ka provuar në lëkurën e tij luftën e as nuk ka humbur familjarë. Për këtë duhet të jetë aq i ftohtë në raport me Kosovën.

Synimi për përparimin ekonomik nuk mund të jetë justifikim. Mjafton t`i kujtojmë vitet e para të pas pavarësisë së Kosovës, kur dolën informacione se Serbia po prodhon produkte të kontaminuara ekstra për transport në Kosovë. Serbia është munduar të na helmojë përmes tregtisë së lirë, e cila me patetizëm po “ngrihet në qiell” nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Është e habitshme se si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pranon që Vuçiqi të tallet me Kosovën aq hapur.

“Nëse për ju është nënvlerësuese që Kosova të vendoset me yll, vendosni Serbinë me katror”, tha mes tjerash Vuçiq gjatë Forumit për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal.

Është qesharake ta diskutojmë edhe faktin se Shqipëria është në mesin e vendeve të para që e ka njohur shtetin e Kosovës. Por, është dëshpëruese kur shohim se pikërisht Shqipëria po ia kthen shpinën Kosovës, e po i bën argatin Serbisë në këtë nismë të ashtuquajtur rajonale.

Ylli apo fusnota e vendosur në bisedimet e Brukselit është një damkë që i është vënë shtetit të Kosovës, pikërisht me iniciativë dhe kërkesë të Serbisë. Kosova e ka të vështirë përfaqësimin ndërkombëtar për shkak të fusnotës së shtetit të Vuçiqit.

Po nuk lodhet Edi Rama për këtë punë jo, mjafton që “vëllai” i tij nga Serbia t`i përmbush egot dhe ambiciet e tij elektorale..

Kosova si duket do të rrugëtoj drejt Bashkimit Evropian, pa përkrahjen e Shqipërisë. Duke parë këtë situatë, krerët e shtetit duhet të vazhdojnë të shpresojnë e të besojnë në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miqësia e përhershme e Kosovës me SHBA-në i mund të gjitha iniciativat tendencioze të Ballkanit të kontaminuar nga politikanët me mendësi kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat