“Si me pas humb do mall”/ U bën tre muaj e tri javë nga zhdukja misterioze e biznesmenit nga Lipjani

Aktuale

“Si me pas humb do mall”/ U bën tre muaj e tri javë nga zhdukja misterioze e biznesmenit nga Lipjani

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 17:29
Bedri Rexhepi

Tre muaj e tri javë janë bërë prej kur nuk dihet asgjë për fatin e Bedri Rexhepit nga Lipjani. Familja e tij nuk ka asnjë informatë se çka ka ndodhur me rastin e tij, e as deri ku kanë shkuar hetimet e institucioneve të rendit, të cilat deri më tani nuk kanë arritur ta zbardhin rastin e 38-vjeçarit

Asnjë gjurmë, thirrje a informatë, nuk ka shkuar në derën e familjes Rexhepi nga Lipjani qe gati katër muaj. Qysh prej 8 prillit kur edhe u shpall i zhdukur, askush më nuk di gjë për fatin e Bedri Rexhepit.

Vëllezërit e tij kanë deklaruar se Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ju ka dhënë asnjë informatë lidhur me zhdukjen e Bedriut, ani se kanë kërkuar.

“Bash hiç kurrgjë s’po na tregojnë. Po na thonë janë informata konfidenciale, por s’është n’rregull kjo, qe katër muaj nuk kemi asnjë informacion për Bedriun”, ka deklaruar vëllai i tij Adnani.

Ai thotë se rasti i zhdukjes së vëllait të tij është neglizhuar qysh nga fillimi.

“Rasti është neglizhuar prej fillimi. S’po e kuptoj qysh munden me veprua si me pas humb do mall, veç thonë ‘hetimet po vazhdojnë’ edhe asgjë deri më tash nuk po shihet’”, ka deklaruar ai.

E vëllai tjetër, Vedati, ka deklaruar se familja është e dëshpëruar me Prokurorinë, pasi i dyshuari për rrëmbimin e Bedriut, Jeton Vllasaliu, është në paraburgim por pavarësisht kësaj, nuk po nxirret asnjë informatë nga ai.

“E kam pasur një takim në prokurori, na e ka bë kryeprokurori me prokurorët dhe hetuesit. Në përfundim s’kanë mund me u përgjigj në as ja pyetje që ua kam bë. Unë ua kam bë një kërkesë, pse s’merret në pyetje më gjatë i dyshuari, janë procedurat sipas Ligjit të cilat e specifikojnë dhe e mundësojnë këtë, por ata s’e kanë bë. Çka neve na bën mos me u ndje mirë është se të dyshuarin e kanë brenda dhe nuk po ndërmarrin asgjë. Janë mbyllë në vete, po thonë konfidenciale”, ka deklaruar ai.

Ai tutje thotë se familja shpreson që Bedriu është i gjallë.

“Ne si familjarë nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e rastit. Shpresa vdes e fundit, me shpresën që është gjallë jemi”, ka deklaruar ai.

Familjarët e Bedriut, përmes telefonisë mobile kishte dërguar mesazhe tek qytetarët, për të kërkuar ndihmë në gjetjen e tij.

Për këtë, ata kishin ofruar edhe shpërblimin prej 20 mijë eurove. Por, as kjo metodë nuk pati sukses në gjetjen e gjurmëve të Bedriut.

E lidhur me zhdukjen e Bedri Rexhepit dhe hetimeve rreth rastit të tij, media dërguar disa herë pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur më 8 prill të këtij viti. Të nesërmen në arat e Janjevës së Lipjanit është gjetur vetura e tij, por jo edhe Bedriu.

Dyshimet e organeve të rendit ishin se Bedriu u rrëmbye, ndërkaq lidhur me këtë, u arrestua Jeton Vllasaliu, i cili ishte klient i Bedriut, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

Sipas informatave të deritanishme zyrtare nga institucionet e rendit, Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim qe gati katër muaj, është i vetmi i arrestuar lidhur me rastin e zhduljes së Bedriut.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Vllasaliut, thuhej se ai dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e Bedriut.

“I pandehuri J.V. është ndaluar ngase ekziston dyshimi i bazuar se është i implikuar në rrëmbimin e tani të dëmtuarit B.R., ashtu që me datë 08.04.2021, rreth orës 21:00, i dëmtuari B.R. është zhdukur në rrethana deri me tani të panjohura dhe deri me tani nuk dihet vend ndodhja dhe gjendja e tij shëndetësore, kurse me datë 09.04.2021 rreth orës 07:00, është gjetur vetura e të dëmtuarit e braktisur e tipit Xhip Grand Shirok, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, po ashtu viktima nga data 08.04.2021 rreth orës 21:30, nuk ka qasje në telefonin e tij celular”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat