Deklaratat për Kosovën - befason Blerim Latifi: Edi Rama nuk është proserb, ai vetëm ...

Aktuale

Deklaratat për Kosovën - befason Blerim Latifi: Edi Rama nuk është proserb, ai vetëm ...

Nga: A.Zh Më: 29 korrik 2021 Në ora: 18:30
Blerim Latifi

Profesori universitar i Filozofisë Blerim Latifi, i është kundërpërgjigjur kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të cilët kërkuan sot përmes iniciativës “Ballkani i hapur” që e kaluara e Kosovës të lihet pas.

Latifi ka thënë se Kosova nuk mund të harrojë historinë nga viti 1912 deri në vitin 1999, e gjitha e mbushur me terror e akte gjenocidale, të kryera nga shteti serb mbi gjysmën e kombit shqiptar.

Ai ka thënë se kryeministri Rama nuk është kolaboracionist ose proserb, por është naiv që beson se në Serbi njerëzit dhe politika kanë ndryshuar për mirë, përcjell Bota sot.

Por, sipas Latifit, Serbia do të ndryshojë vetëm atëherë kur kombi shqiptar aftësohet për t'ia thyer dhëmbët çdo agresioni të mundshëm serb mbi Kosovën.

Reagimi i Latifit në Facebook:

Po e nisi këtë tekst me një koincidencë historike e cila rastësisht m'u kujtua:

29 korrik 1913: Konferenca e Londrës e Fuqive të mëdha njeh shtetin shqiptar, por duke lënë jashtë tij Kosovën, që i jepet shtetit serb, pasi ky e kishte pushtuar me dhunë në vjeshtën e vitit 1912. Jashtë shtetit shqiptar mbetet edhe qyteti më i madh shqiptar i asaj kohe, Shkupi.

29 korrik 2021: kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Serbisë nënshkruajnë në Shkup, tani kryeqytet i një shteti sllav, iniciativën "Ballkani i hapur" dhe bëjnë thirrje që e kaluara të lihet pas. E kaluara në këtë rast nënkupton historinë e Kosovës nga viti 1912 deri në vitin 1999, e gjitha e mbushur me terror e akte gjenocidale, të kryera nga shteti serb mbi gjysmën e kombit shqiptar.

Pra, na kërkohet që të lëmë pas këtë histori, ta harrojmë atë për hir të një iniciative të kotë, e cila po bëhet thjesht dhe vetëm për të zëvendësuar në mënyrë iluzore integrimin evropian që tanimë duket aq i largët për shtetet e Ballkanit perëndimor.

Na kërkohet të lëmë pas të kaluarën, në kushtet kur shteti serb që është përgjegjësi i krimeve të saj jo vetëm që i mohon ato, por çdo ditë kujdeset që të na tregoj dëshirën e tij për t'u kthyer në vendin e krimit dhe nuk lë gjë pa bërë që ta minojë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Në këtë situatë është e pamoralshme të na kërkohet t'i besojmë Serbisë dhe shefit të saj autoritarist.

Ne mund të dukemi si jodiplomatikë, jopragmatistë, jokonstruktivë, joaktualë, njerëz që shikojmë nga e kaluara ose që jetojmë diku në një univers paralel, por në realitet ne vetëm po respektojmë diçka që është e pashmangshme dhe e domosdoshme për qenien tonë: të vërtetën e vuajtjeve tona njëshekullore, mbi të cilat mbështetet arsyeja e vetme pse Kosova e ka meritur lirinë dhe pavarësinë. Solzhenjicin tek "Arkipelagu Gulag" e ka një shprehje të goditur: Nëse jeton në të kaluarën e humbet njërin sy, por nëse e harron të kaluarën do t'i humbësh të dy sytë!

Edhe një gjë: unë nuk pajtohem hiç me ata që e quajnë Ramën kolaboracionist ose proserb, e me të tjera epitete të ngjashme. Rama nuk është i tillë. Nuk ka nevojë të jetë ose të bëhet i tillë. Ai është thjesht një kryeministër i Shqipërisë që nuk e njeh Serbinë, e as diktatorin e saj të ri. Ai është naiv në raport me Serbinë dhe ky naivitet bazohet në bindjen e gabuar se në Serbi njerëzit, politika dhe gjërat kanë ndryshuar për mirë. Serbia ndryshon veç atëherë kur kombi shqiptar aftësohet për t'ia thyer dhëmbët çdo agresioni të mundshëm serb mbi Kosovën. Por që t'ia arrijmë asaj dite, na duhen burrështetas të vërtetë, e jo politikanë të cilëve mendja u punon veç për pushtetin e tyre personal dhe të shpurës që u shkon pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat