Takimi Vuçiç-Rama-Zaev për Mini Shengenin, Nishani akuzon: Platformë e Serbisë, ka qëllim ta izolojë Ballkanin nga BE

Aktuale

Takimi Vuçiç-Rama-Zaev për Mini Shengenin, Nishani akuzon: Platformë e Serbisë, ka qëllim ta izolojë Ballkanin nga BE

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 13:43
Bujar Nishani

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me takimin e mbajtur ditën e djeshme në Shkup të Maqedonisë së Veriut, i organizuar nga kryeministri Zoran Zaev, ku të ftuar ishin edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë Aleksanda Vuçiç. 

Sipas Ramës, Zaevit dhe Vuçiçit, forumi ishte në kuadër të rritjes së bashkëpunimit mes vendeve  Ballkanike, me qëllim të ngritjes së ekonomisë.

Takimi i cili lidhej me marrëveshjen e quajtur Shengen Ballkanit, u kundërshtua nga politika në Kosovë dhe ajo në Shqipëri, të cilët akuzuan kreun e qeverisë Edi Rama, se po i nënshktrohet një nisme që do rezultojë në fuqizimin e shtetit serb, në Ballkanin Perëndimor.

Mes reagimeve kundër këtij takimi, ishte edhe ish-presidenti Nishani, i cili shkruan se marrëveshjet e nënshkruara ditën e djeshme mes Edi Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, i shërbejnë një platforme anti-shqiptare dhe se i gjithë projekti është thurur nga Jugosllavia.

Postimi i plotë:

Në Shkup vijoi përpjekja për minimin e rrugës evropiane të “Ballkanit Perëndimor” sipas platformës së Novi Sad-it !

Nga pikpamja formale bëri përshtypje të hidhur ligjërimi i Kryeministrit të Shqipërisë !

Fjala e Edi Ramës në takimin e Shkupit ishte jo thjesht diletante por dhe fyese për imazhin e Shqipërisë.

Ndiheshe keq si shqiptar tek dëgjoje Edi Ramën (Kryeministër) të fliste në një takim çerek rajonal sikur fliste para militantëve të çartur (atyre punistë) të PS në kafenenë e fshatit që presin të gajasen me batutat e “të madhit” nga Tirana !

Nuk ka asnjë dyshim se iniciativa e Novi Sad-it është një platformë e Jugosllavisë-Bis !

Platforma e Jugosllavisë së Re është kryekëput Antievropiane dhe Antishqiptare !

Pse është Antievropiane ?

I ashtuquajturi b/ekonomik me hapësira e procedura të lira e të barabarta për të gjithë ne ballkanasit brenda nesh, pa ja patur nevojën Evropës, është një retorikë boshe, e denjë për modelet qeverisëse te kampit socialist të viteve ‘60-‘70 !

Po ta shohim në aspektin “makro” ;

Në vendet e Ballkanit, jo e jo, por edhe përtej tij nuk mund të ketë ekonomi që komunikojnë, zhvillohen e prosperojnë brenda ciklit të tregjeve dhe mekanizmave rajonalë fiskale.

Kjo është diletante ta thuash !

Ekonomitë dhe dinamika financiare jo vetëm e Ballkanit të vockël por shumë më të gjera se kjo, nuk ekzistojnë dot jashtë euros dhe dollarit.

Çfarë do të na ofrojë Edi Rama (për neve në Shqipëri e kam fjalën të paktën), dimensionin e dinarit serb ???

Po ta shohim në aspektin “mikro”, askush nuk mund të thotë se ka barriera formale institucionale apo ligjore të pengojnë bisneset apo shkëmbimin ekonomik e tregëtar të lirë e të hapur sot midis bisneseve në vendet e Ballkanit.

E vetmja pengesë është korrupsioni si produkt dhe model i vetë qeverive përkatëse që tentojnë të shesin artifice të tjera për të mbuluar korrupsionin dhe objektivat e tyre antiperëndim.

Narrativa politike edhe në Shkup ishte e qartë !

“Evropa nuk mund të na mbajë peng ne ballkanasve” !!!!

Qesharake, (nuk gjen dot term tjetër ta përkufizosh) !

A thua se Evropa e Bashkuar ka kërkuar të hyjë në Ballkan e jo që vendet e Ballkanit kërkojnë të integrohen në BE !!!!

A thua se BE i ka penguar bisneset e këtyre vendeve të shkëmbejnë dinamikë ekonomike me njëri tjetrin ?!!!!

A thua se BE i ka penguar vendet e Ballkanit të ndërtojnë partneritete tregëtare e mekanizma financiare me njeri tjetrin ?!!!

A thua se BE e ka penguar Edi Ramën ta adresojë financën e Shqipërisë tek dinari serb në vend të euros ?!!!

Prandaj retorika për të bojatisur narrativën e Jugosllavisë-Bis është qesharake !

BE nuk mund të pranojë të bëj pjesë të sajën modelet antidemokratike, korruptive e hibride të Ballkanit pa u ndryshuar ato !

Siç pritej, në Shkup u nënshkruan veç disa “Memorandume”. Asnjë marrëveshje !

Praktikisht asgjë. Memorandumi është veçse  shprehje dëshire, asnjë produkt !

Retorika e “hapsirës çudibërëse ekonomike” Vuçiç-Rama-Zaev, është asgjë !

Ngjyrimi anti-perëndim i kësaj platforme është evident për këdo që e ndjek nga pak politikën !

Palët e treta e kanë platformë strategjike në politikën e tyre, mbajtjen e një terreni hibrid në Ballkan !

Synim i arritshëm ky, përmes ndalimit të proçesit të integrimit evropian dhe izolimin e vendeve të Ballkanit nga përfshirja në BE, qoftë në konceptin ekonomik, shoqëror e më shumë kulturor e civilizues.

Gjetja për realizimin e kësaj platforme strategjike është projekti i Jugosllavisë së Re.

Nuk është koicidencë që iniciativa është e Serbisë.

Serbia ka orientimin e saj strategjik tek bashkëpunimi i ngushtë në të gjitha dimensionet ; ekonomike, kulturore, ushtarake, shoqërore, ndërkombëtare me Rusinë si superfuqi !

Eshtë e qartë se Serbia nuk e ka si projekt strategjik BE, pikërisht për këtë aleancë strategjike tjetër që ajo ka.

Qartazi misioni i saj politik në kuadrin e kësaj aleance është ta mbajë të gjithë Ballkanin Perëndimor të izoluar e larguar nga BE.

Në fakt vetë koncepti politik e territorjal “Ballkan Perëndimor” është një nocion tendencioz.

Nëse autoritetet politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta kishin vërtet shqetësimin e izolimit të këtij rajoni, pamundësinë e vibrimit ekonomik dhe zhvillimit kulturor atëhere duhet të fokusoheshin pikërisht se si të dilnin nga koncepti jo vetëm “i vockël” por dhe dashakeq i “Ballkanit Perëndimor” !

Pra duhet të bënin të kundërtën e kësaj që projektuan në Novi Sad.

Askush nuk ka parë përpjekjet minimale të diplomacisë së  qeverisë shqiptare për ta fokusuar interesin e Shqipërisë në dimensionin e Evropës Juglindore, ku hapësira e bashkëpunimit, përveç të tjerave edhe me Slloveninë, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, do të ishte me më shumë interes për ekonominë dhe bisnesin shqiptar, veçanërisht në agrobujqësi e turizëm.

Asgjë nga kjo diplomaci për bashkëpunimin në Evropën Mesdhetare ku modelet dhe eksperiencat e Italisë, Spanjës, Greqisë etj., do të ishin shumë më të gjera se sa të Serbisë e Maqedonisë V.

Qëllimi nuk është ; “mundësi më të shumta e hapësira më të mëdha ekonomike e tregtare në Ballkan (madje veç atë Perëndimorin)” por platforma e Novi Sadi-it!

Pse kjo platformë është edhe antishqiptare ?

Jo thjesht për faktin se mediat qeveritare të Tiranës nxituan të sulmojnë Kosovën gjatë takimit të Shkupit duke sajuar stigmën për  “braktisjen nga A. Kurti” duke patur objektiv Kryeministrin e Kosovës për mospjesmarrje.

Në fakt ai takim nuk u braktis veç nga Kosova por edhe nga Mali i Zi e Bosnjë & Herzegovina.

As për faktin se Serbia po e tërheq edhe Shqipërinë në narrativën e saj ndaj perëndimit si “Demoni Ballkanit”.

Platforma e Novi Sad-it përmes projektit të Jugosllavisë-Bis e ka të projektuar Kosovën si një Krahinë Autonome, siç e njeh Kushtetuta e Serbisë, duke ja imponuar këtë me djallëzi edhe vendeve të tjera të cilat bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe e pranojnë duke fshehur kokën si struci !

Në këtë djallëzi kuptohet halli i Serbisë, po ashtu dhe i Maqedonisë V., por të çudit halli i Edi Ramës !

Në pamje të parë duket sikur Edi Rama me këtë përfshirje synon të paraqesë veten e tij si vizionar, liberal e mendjehapur përballë kundërshtarëve të këtyre platformave si nacionalistë të mbetur peng i folkut emocional izolacionist e mendjemykur !!!!

Në fakt ky spekullim i dalë boje nuk është arsyeja e vërtetë e Edi Ramës.

Halli i madh, në funksion të pushtetit abuzues, të paaftë për të projektuar platforma funksionale dhe moderrne, kapitulluese ndaj përgjegjësisë, të bëjnë të dorëzosh çdo integritet e interes madhor!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat