​Pandemia goditi rënd turizmin, bie për 70 përqind numri i turistëve të huaj

Aktuale

​Pandemia goditi rënd turizmin, bie për 70 përqind numri i turistëve të huaj

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 13:26
Foto ilustrim

Pandemia COVID-19 ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e turizmit në Kosovë. Ani pse Kosova mbetet vend atraktiv për turistët e huaj, pandemia bëri që numri i tyre të bie përreth 70 përqind.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë (UTK), Baki Hoti thotë për KosovaPress se me lehtësimin e masave ka filluar të rikthehet një gjallëri në sektorin e turizmit, megjithatë sipas tij nuk është ai trendi siç ka qenë para pandemisë.

Pavarësisht kësaj rënie, Hoti thotë se ka nis që të ketë një rritje të numrit të vizitorëve, të cilët kryesisht po i preferojnë vendet malore.

Hoti: Vizitorët preferojnë vendet malore

“Si do që të jetë ka filluar që të kemi një numër të konsiderueshëm të vizitorëve të cilët kryesisht po i preferojnë vendet e Kosovës që janë vendet malore. Pra, vendet siç është Rugova, Deçani, Juniku dhe në vendet ku kanë më shumë të zhvilluar turizmin malor. Pra, vendet saç është Rugova, Deçani, Juniku dhe në vendet ku kanë më shumë të zhvilluar turizmin malor”, thekson Hoti.

Kryetari i UTK-së tregon se çka ofron kryeqyteti, Prishtina për turistët e huaj dhe çka i mungon rreth këtij sektori.

Sipas Hotit në Prishtinë monumentet e trashëgimisë kulturore, objektet e kultit dhe Biblioteka Kombëtare mbeten vendet më të vizituara nga turistët e huaj.

Hoti: Edhe Prishtina vend atraktiv për vizitorët e huaj

“Prishtina në rend të parë dhe urgjentisht duhet për çka jemi në proces me komunën të hapim zyrën informative të turizmit. Prishtina, edhe pjesa e guidave kryesisht punojnë me grupe të organizuara që bëjnë edhe vizitat sidomos tek objektet e kultit, monumenteve të trashëgimisë kulturore, siç janë xhamitë, muzeu etnologjik, muze kombëtar, pastaj pjesa e katedrales e cila tashmë vizitohet, ku shihet e gjithë Prishtina. Por, pa anashkaluar edhe Bibliotekën Kombëtare, Newborn, dhe vendet e tjera. Njëkohësisht, Prishtina shquhet edhe për jetën e natës”, thotë ai.

Hoti po ashtu thotë se këtë vit numri i turistëve ka shënuar rënie të madhe krahasuar me dy vjet më parë, më 2019.

Hoti: Rreth 70 përqind rënie të numrit të vizitorëve në krahasim me vitin 2019

“Prej pandemisë nuk ka një numër të konsiderueshëm, kemi diku rreth 70 përqind rënie të numrit të vizitorëve në krahasim me vitin 2019, por si do që të jetë në këtë kohë pandemie gradualisht kemi filluar edhe me promovimin që kemi bërë edhe në këtë kohë pandemie, me takime me turo operatorët ndërkombëtar. Unioni ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm sa i përket mbështetjes dhe bashkërisht po kontribuojnë që Kosova të ketë sa më shumë turistë për shkak se është tepër me rëndësi kjo”, thotë ai.

Qeveria ka në prioritet zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë, ku sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari investimet janë të nevojshme, meqë Kosova nuk ka ende akomodim të mjaftueshëm për turistët.

Hajdari: Në planin e Ministrisë është përfshirë edhe kompleksi i Brezovicës

“Në planin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është përfshirë edhe resori i Brezovicës, por nuk do të mbetemi vetëm në kompleksin e Brezovicës, do të shikojmë të gjitha potencialet që Kosova i ka për zhvillimin e turizmit. Ne tani duhet të jemi pjesëmarrës ashtu siç jemi në tregun unik evropian, dhe të marrim pjesë edhe në ofrimin e ofertës turistike nga Kosova për turistët evropian dhe në botë. Ajo që është e rëndësisë të përmendi është që ne nuk kemi ende akomodim të mjaftueshëm për turistët. Ne duhet së pari të bëjmë edhe infrastrukturën akomoduese për të investuar edhe në infrastrukturën e resorëve turistik, duke përfshirë turizmin malor, turizmin rural, turizmin pse jo edhe të artizanaleve, pse mos të lidhemi bashkë me gastronominë me verën e bukur të Rahovecit e të Suharekës që kemi”, deklaron ajo për KosovaPress.

Kosova ka një sipërfaqe rreth 11 mijë kilometra katrorë, dhe posedon rreth 1 mijë vende, të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar dhe zhvilluar turizmin.

Ndonëse, përveç vendeve malore në disa pjesë të Kosovës, tërheqëse për turistët e huaj mbeten edhe monumentet kulturore dhe objektet e kultit në Prishtinë.

Ndryshe, Kosova ende nuk ka ligj për turizëm dhe strategji për zhvillimin e saj. Deri tash asnjë qeveri nuk ka ndarë më shumë se 10 mijë euro për turizëm, derisa vendet e rajonit ndajnë miliona euro për turizëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat