Klinaku porosi Gjykatës Speciale: Nuk ma mbyllni gojën, veç nëse...

Aktuale

Klinaku porosi Gjykatës Speciale: Nuk ma mbyllni gojën, veç nëse...

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 16:03
Faton Klinaku

Sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku në konferencë për media ka thënë se Gjykata Speciale s’mund t’ia mbyllë gojën përpos nëse e burgosin.

Ai ka thënë se asgjë nuk e lidh me të burgosurit që gjenden në Hagë nëse del dhe flet në televizion, pasi kryeprokurori i Speciales Jack Smith përdorur një deklaratë të Klinakut si argument pse Veselit duhet t’i vazhdohet paraburgimi

“Qëndrimi i OVL-UÇK-së nuk ka ndryshuar por ne vazhdojmë të konsiderojmë që kjo Gjykatë Speciale nuk ndjek krimet e luftës por pjesëtarët e UÇK-së dhe luftën çlirimtare. Çfarë ka me më lidh mu me Kadri Veselin ose të tjerët pse unë flas në televizion, nëse ata duan të na mbyllin gojën e kanë të kotë se nuk e mbyllim gojën. Edhe njëherë po e them është kollaj le ta marrin Faton Klinakun le ta burgosin dhe nuk flet atje ia ndalojnë për të folë në burg”, u shpreh ai.

Klinaku poashtu tha se s’mund ta dirigjojë se çfarë flet as Thaçi e as të tjerët pasi e thotë vetëm qëndrimin e OVL-UÇK-së.

“Mu s’mundet me më dirixhu as Hashim Thaçi as Kadri Veseli e as asnjë i burgosur atje e as Nasim Haradinaj e Hysni Gucati se çfarë jap unë për opinionin sepse unë e paraqes vetëm një qëndrim që e ka OVL. OVL-UÇK qysh me 7 janar 2011 nuk bashkëpunon dhe nuk ka bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë ndërkombëtare, pseudodrejtësisë e cila ka bërë shumë skandale që ju kanë dalë edhe me raportime të ndryshme gjatë UNMIK-ut, EULEX-it dhe tash Gjykatës Speciale. Ish-gjyqtari Malcolm Simmons ka treguar për padrejtësitë që i janë bërë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Klinaku para mediave.

Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, në një dokument të dërguar në adresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Hagës, ka listuar argumentet e tija, se pse Kadri Veseli duhet të mbetet ende në paraburgim dhe pse duhet refuzuar kërkesa e mbrojtjes për mbrojtje në liri.

Smith në argumentimet e tij ka përmendur edhe deklaratën e ushtruesit të detyrës së kreut të Veteranëve të UÇK’së, Faton Klinaku, se do të publikojë përsëri dokumente të Gjykatës Speciale në rast se i bien në dorë.

Kjo deklaratë e Klinakut të Veteranëve bashkë me fushatën “Liria ka emër, UÇK” janë dy prej argumenteve të shumta që Smith ka listuar e që sipas tij rrisin rrezikun, në rast të lirimit të Kadri Veselit nga paraburgimi.

“Më 4 qershor të vitit 2021, Faton Klinaku, kryetari në detyrë i Veteranëve, një organizatë e përbërë nga ish-vartës të të akuzuarve me një anëtarësi solide prej mbi 40 mijë ka dhënë një intervistë në të cilën premtoi se do të publikojë dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara nëse i bien në dorë. Kjo është e jashtëzakonshme, duke vënë në spikamë se z. Klinaku është kryetar në detyrë, sepse kryetari i mëparshëm dhe nënkryetari i Veteranëve të UÇK’së po ndiqen penalisht në Dhomat e Specializuara për sjellje identike”, shkruhet në dokument.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat