​Dështon votimi për themelimin e institucionit të Operës, mungojnë deputetët në seancë

Aktuale

​Dështon votimi për themelimin e institucionit të Operës, mungojnë deputetët në seancë

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 14:35
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë propozim vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelin e Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik. Me 63 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 53 votuan, për çka votimi për themelimin e këtij institucioni është shtyrë për pjesën tjetër të seancës e cila pritet të vazhdojë pasditen e sotme.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me themelimin e institucionit të Operës e çojnë përpara programin qeverisës.

Kurti derisa ka arsyetuar propozimin e ekzekutivit, ka thënë se ka ardhur koha që Kosova të themelojë operën e saj, që do të hap dyert gjatë vitit 2022 dhe do të jetë në shërbim të Filarmonisë, operës dhe baletit.

Kurti: Qeveritë e kaluara nuk kanë arritur të realizojnë premtimin për themelimin e Operës

(Video)

“Duke themeluar Operën e Kosovës ne qojmë përpara programin tonë qeverisës duke përkrahur artin, artistët dhe artdashësit dhe duke zhvilluar infrastrukturën e nevojshme e cila po kërkohet me ngulm tash e sa vjet dhe është premtuar shumë herë nga qeveritë e mëpasshme por që megjithatë nuk kanë arritur ta realizojnë premtimin”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se themelimi i këtij institucioni nuk do të ketë implikime financiare në buxhetin e vitit 2021.

Kurti: Deri në ndërtimin e objektit, institucioni i operës do të sistemohet në një objekt ekzistues

“Sa i përket lokacionit, meqenëse kjo është një çështje që ka marrë rëndësi të madhe viteve të fundit, ne do të ndërtojmë një objekt të përshtatshëm por kjo do të marrë pak më shumë kohë në mënyrë që të përzgjidhet një projekt i denjë i cili e pasuron në planin urban e arkitekturor Prishtinën. Por deri në ndërtesën e këtij objekti të ri ne megjithatë do të përzgjedhim një objekt ekzistues dhe do të sistemojmë aty institucionin dhe trupën artistike në mënyrë që pa vonesë artistët të fillojnë shfaqjet e të kemi mundësi edhe ne si publik që t’i shijojmë ato”, ka shtuar Kurti.

Siç ka deklaruar Kurti, përzgjedhja e objektit do të bëhet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës.

Deputetët kanë shkuar në pauzë dhe seanca pritet të vazhdojë në orën 15:30, ku në rend dite është edhe debati parlamentar lidhur me 100 ditët e Qeverisë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat