Inspektorati ndërmerr masa pas dënimit të çiftit që u puthën në Prishtinë

Aktuale

Inspektorati ndërmerr masa pas dënimit të çiftit që u puthën në Prishtinë

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Menaxhimit të Ankesave, ka inicuar rast pas shqiptimit të gjobave me nga 450 euro, për çiftin që u zunë nga policët duke u puthur në afërsi të një klubi të natës në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar IPK me anë të një përgjigjeje me shkrim, teksa thuhet se rasti është duke u trajtuar dhe analizuar nga Departamenti i Menaxhimit të Ankesave.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se pas publikimit të këtij lajmi, IPK respektivisht Departamenti i Menaxhimit të Ankesave ka inicuar rast sipas detyrës zyrtare.  Rasti në fjalë është duke u trajtuar dhe analizuar nga ky Departament”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Një burrë dhe një grua janë gjobitur me nga 450 euro nga Policia e Kosovës, të mëkurën pak pas mesnatës kur ishin puthur në afërsi të një klubi të natës në Prishtinë. Ky dënim nxiti shumë reagime, e në media u raportua si skandaloz.

Avokati i burrit të gjobitur, Edis Kuraja thotë se me veprimin e zyrtarëve policor janë shkelur të Drejtat e Njeriut dhe se Kosova nuk është në Lindjen e Mesme për sanksionimin e këtyre veprimeve.

Ndërsa, drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se sjellja e çiftit mund të konsiderohet e pranueshme dhe normale në klube të natës, ku mosha e personave që i frekuentojnë është e moshës madhore.

Miftaraj thotë se sjellja mund të konsiderohet e pahijshme nëse do të ndodhte në një vend publik, i cili frekuentohet nga fëmijet apo të miturit.

Gjoba e shqiptuar është bazuar në Nenin 6 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike. Neni 6 i këtij ligji parasheh dënim me gjobë për sjelljet e pahijshme seksuale nga 100 deri në 700 euro, apo dënim më burgim prej 50 ditësh.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat