VOA: Debat i rreptë parlamentar për punën e qeverisë së Kosovës

Aktuale

VOA: Debat i rreptë parlamentar për punën e qeverisë së Kosovës

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 20:15
Kuvendi i Kosovës

Qeveria e Kosovës po përballet me kritika të ashpra të opozitës në një debat parlamentar që filloi pasdite në Prishtinë lidhur me 100 ditët e para të punës së saj, ndonëse ky afat është përmbushur një muaj më parë.

Parlamenti i Kosovës, votoi qeverinë e kryeministrit Kurti më 22 mars, pasi që ajo doli fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Menjëherë pas votimit kryeministriKurti i shpallidhe përparësi të punës së tij, shëndetësinë dhe arsimin.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili edhe ishte nismëtar për debatin e sotëm, tha se qeveria Kurti dështoi të përmbushë zotimet e saj përfshirë edhe ato për zhvillim ekonomik.

“Pra premtuat ekonomi që ka më shumë prodhim, eksport, më shumë punëtorë, e kontrata pune. Çka ndodhi gjatë kësaj kohe, rreth 60 mijë që mbetën pa punë gjatë pandemisë mbetën pa përkrahje. Premtuan depolitizim të institucioneve. Këto 100 ditë pamë se si kjo qeveri është shndërruar në një ndërmarrje të fuqishme për punësime familjare. Premtuan veting dhe në këto 100 ditë nuk pamë asgjë, jeni bllokuar në një koncept-dokument”, tha ai.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që kishte udhëhequr ministrinë e shëndetësisë në qeverinë paraprake kritikoi qeverinë e kryeministrit Kurti për dështim në arritjen e synimeve për të vaksinuar qytetarët kundër COVID-19.

“Po ashtu është parë çfarë përkrahje ka pasur shëndetësia nga kjo qeveri, janë ndal shtesat për mjekë dhe infermierë, është ndërprerë përkrahja e tyre, nuk është ligji për paga fare, është ndërtuar një raport përbuzës ndaj punës së tyre dhe pjesa tjetër që ndërlidhet me atë që të gjithë e dëshirojmë vaksinimi ku është theksu se 500 mijë qytetarë do të vaksinohen ndërsa akoma numri është minimal edhe nga deklarimet zyrtare dy dozat të cilat kanë marrë qytetarët nuk kanë kaluar më shumë se 140 mijë qytetërë”, tha ai.

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vuri theksin tek çështja e bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve dhe mosraportimin në parlament rreth kësaj çështjeje.

“Vazhdimi i bisedimeve me Serbinë pa asnjë platformë dhe llogaripara këtij Kuvendi. Po doni t’i thyeni këmbët kur po ju thërrasin e ndoshta për ata nuk po gjeni kohë asnjëherë që të vini e të raportoni para këtij Kuvendi për dialogun. Keni pas premtuar që si kryeministër kurrKeni mashtruar me shtresën më të dëmshme të shoqërisë sonë që janë familjet e të pagjeturve. Thoni se reciprociteti është çështja e parë dhe do të ishte çështje ditësh apo javësh. Tani keni heq dorë nga reciprociteti dhe po i bëni nderë tregtarëve serbë duke lehtësuar futjen e mallit në Kosovë", tha zoti Lekaj.

Kryeministri, Albin Kurti numëroi siç tha sukseset e qeverisë së tij që nga sigurimi i vaksinave kundër COVID-19, mbështetjën e qytetarëve dhe bizneseve nga pasojat e pandemisë dhe në goditjen e grupeve kriminale. Ai tha se qeveria e tij do të përmbushë të zotimet gjatë mandatit katër vjeçar.

“Nuk dojmë të krahasohemi se sa mirë po qeverisim me qeveritë e kaluara por se sa mirë po qeverisim me krahasim me pritjet e qytetarëve mirëpo është e vërtetë se ato zotime tona që kanë qenë për një mandate katër vjeçar ne nuk i kemi realizuar dot për 100 ditë. Qytetarët e dinë se qeveria jonë nuk krahasohet me qeveritë e mëparshme dhe gara jonë po e ritheksoj nuk është me të kaluarën por me të ardhmen e këto janë ditët e kthesës drejt zhvillimit”, tha ai.

Kryeministri Kurti nuk foli në pjesën e parë të debatit për bisedimet me Serbinë. Ai është takuar dy herë në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por takimet nuk kanë shënuar ndonjë përparim. Kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve mes tjerash një deklaratë të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", që u refuzua nga Beogradi.

Presidenti serb Vuçiç, tha se pala shqiptare ka kushtëzuar vazhdimisht procesin me kritere të reja politike, duke ritheksuar qëndrimin se Beogradi nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Të dyja vendet aspirojnë integrimet evropiane dhe normalizimi i marrëdhënieve është kusht i patejkalueshëm për përparimin e tyre në këtë rrugë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat