​Qeveria propozon kandidatët për bord të AKP-së

Aktuale

​Qeveria propozon kandidatët për bord të AKP-së

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 15:45
Qeveria Kurti

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e kandidatëve për bord të Agjencisë së Kosovës për Privatizim (AKP). Në mbledhjen e sotme, me vetëm këtë pikë në rend të ditës, kryeministri Albin Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së, i cili do t’i hap rrugë etapës së Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore.

Ai para kabinetit qeveritar tha se pret që bordi i ri të marrë masat për të ndaluar procese që tashmë ekzekutivi i ka paraprirë duke kërkuar ndaljen e tyre.

Kurti: Procesi i privatizimit ka paraqitur probleme në shumë nivele

“Në programin qeverisës kemi paraqitur ndryshim rrënjësor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ky transformim pritet të ndodh dhe po paraprihet nga ky propozim për një bord të ri, i cili pas miratimit në Kuvend do të ketë përgjegjësi për të nisur procesin përgatitor për këtë transformim. Është fakt i njohur që jo vetëm procesi i privatizimit ka paraqitur probleme në shumë nivele. Së pari në qasje dhe koncept dhe së dyti në mënyrën si është vepruar dhe manipuluar nga vendimet ndër vite të Agjencisë, si dhe vendimet që janë paraqitur gjatë punës së komisioneve hetimore parlamentare... Presim që bordi i ri të marrë masat për të ndaluar procese që tashmë ne si procese i kemi paraprirë duke kërkuar ndaljen e tyre”, tha ai.

Përmes kësaj mënyre, kreu i ekzekutivit tha se tjetërsimet abuzime që janë bërë në të kaluarën do të jenë një periudhë që e tejkalon Kosova.

Kurti: Ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së

“Ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore në Kosovë drejtë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore. Në këtë mënyrë tjetërsimet abuzive që janë bërë në të kaluarën, duke përfshijë edhe vdekjen enigmatike të ish-kreut të AKP-së të jenë një periudhë që e tejkalon Kosova e pavarur si shtet demokratik”, shtoi Kurti.

Emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të AKP-së që do t’i propozohen Kuvendit janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Muaj më parë, Kuvendi shkarkoi bordin e kaluar nga udhëheqja e AKP-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat