​Synohet takim pozitë-opozitë për marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

​Synohet takim pozitë-opozitë për marrëveshjet ndërkombëtare

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës të premten do të mbajë dy seanca plenare, ku ndër të tjera deputetët e pozitës synojnë miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Lidhur me këtë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se do të kërkojnë takim me shefat e grupeve parlamentare në mënyrë që të dakordohen me partitë opozitare për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila ka thënë që synojnë një takim koordinues me partitë opozitare para seancës që do të mbahet të premten.

Kusari-Lila: Takim koordinues me opozitën për marrëveshjet ndërkombëtare

“Do të synojmë si pozitë që të kemi një takim koordinues paraprakisht me partitë opozitare, gjegjësisht me shefat e grupeve parlamentare, një ditë më herët në mënyrë që ajo çfarë është e rëndësishme dhe pritet nga ne si deputetë të Kuvendit, që të miratojmë marrëveshje ndërkombëtare të cilat zakonisht e kanë mbështetjen edhe të pozitës edhe të opozitës, të miratohen në seancën e 6 gushtit”, ka thënë ajo.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes ka bërë të ditur që më 6 gusht seanca e parë nga ora 11:00 do të jetë vazhdim i pikave të mbetura dhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë dështuar dy herë me radhë, ndërsa pas përfundimit të saj pritet të mbahet seanca e re.

Kusari: Të premten Kuvendi mban seancë të re, në agjendë dy projektligje

“Pas përmbylljes së seancës me vazhdimin e pikave nga seancat e papërfunduara, do të fillojmë me një seancë të re të Kuvendit të Kosovës e cila përveç pikave të zakonshme të cilat janë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, gjithashtu do të ketë në agjendë shqyrtimin e dy projektligjeve të reja të cilat vijnë në Kuvend, atë për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe shqyrtimin e Projektligjit për mbeturina nga industritë nxjerrëse të mineraleve”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, ekzekutivi i ka dorëzuar kryesisë për miratim materialin për anëtarët e propozuar për bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për të cilën Komisioni për Ekonomi do të mblidhet nesër për t’u vendosur pastaj në rend dite më 6 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat