Ipeshkvia e Kosovës kërkoi vaksinim të organizuar nga MSH-ja

Aktuale

Ipeshkvia e Kosovës kërkoi vaksinim të organizuar nga MSH-ja

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 20:22
Don Mikel Sopi

Don Mikel Sopi, famullitar nga Ipeshkvia e Kosovës, ka treguar se shumica e famullitarëve, priftërinjve dhe krerëve të këtij institucioni fetar janë të vaksinuar.

Ai ka thënë se kanë bërë një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që përmes ekipeve mobile të bëhet vaksinimi i organizuar në Ipeshkvi të Kosovës, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Edhe ne jemi pjesë e shoqërisë kosovare dhe botërore. Një pjesë e madhe janë vaksinuar, por sigurisht që jo të gjithë. Ne kemi dhënë rekomandimet tona për të gjithë ata që janë pjesë e komunitetit tonë”.

“Gjithsesi ne e kemi bërë punën tonë dhe kemi dhënë edhe sugjerimet tona që ta bëjnë një gjë të tillë, sidomos kategoritë që janë më të rrezikuara. Kemi pasë kontakte me përfaqësuesit e Qeverisë dhe me ministrin e Shëndetësisë duke kërkuar një organizim të përbashkët me organet kompetente që të bëhet një vaksinim më i organizuar sa i përket bashkësive tona që janë gjithsej 25 në gjithë territorin e Kosovës, por deri më tani nuk ka pasë ndonjë përgjigje konkrete. Sido që të jetë edhe besimtarët tanë, si gjithë qytetarët e Kosovës, i janë përgjigjur apelit tonë dhe shumica më e madhe janë vaksinuar derisa është duke vazhduar ende procesi i vaksinimi”.

Don Mikeli ka treguar, se si i kanë bindur besimtarët katolikë që duhet të vaksinohen.

“Ne jemi thirrur në një dokument të rëndësishëm të qeverisjes së Vatikanit që duhet t’i aplikojmë rekomandimet e tyre që besimtarët kanë përgjegjësi për shëndetin publik dhe meqë tashmë është një gjë shumë e qartë se COVID-19 paraqet rrezik për shëndetin publik dhe çdo individ”.

“Ne nga afër kemi përjetuar momente të vështira të të infektuarve që kanë kaluar në ferr. Duke filluar nga ky realitet të gjithë duhet të ndërtojmë strategji të përgjegjësi duke parandaluar situatat e vështira. Kemi stimuluar ata që ende nuk e kanë provuar ose edhe ata që e kanë kaluar këtë duke thënë se rruga më e mirë është që të binden për t’u vaksinuar si një preventivë, por edhe rekomandimet e strukturave më të larta të Kishës Katolike kanë qenë që të vaksinohemi, derisa edhe vetë Papa Françesku deklaroi se është vaksjinuar dhe kërkoi nga besimtarët që të mbrohemi sado pak nga kjo e keqe”.

Famullitari i Ipeshkvisë së Kosovës ka treguar se cilat janë arsyet kryesore që besimtarët katolikë (me të cilët ka pasë kontakt) ngurrojnë për ta marrë njërën nga vaksinat kundër COVID-19.

“Arsyet janë të ndryshme dhe deri diku ato që mundohen t’i paraqesin si arsye janë që efekti nuk është 100 %, masat mbesin pothuajse të njëjta edhe pas vaksinimit derisa ka edhe nga ata që kanë thënë se përbërja e vaksinës vjen nga fitues që janë të dhunshëm dhe që janë privuar nga e drejta e tyre për jetë. Ka pasë paqartësi të efektit dhe përbërjes së vaksinës, por mendoj që në ndërkohë ka pasë sqarime në këtë drejtim”.

A është mëkat, sipas fesë katolike, nëse një besimtar katolik nuk e merr vaksinën kundër COVID-19 dhe a kanë të drejtë ata të cilët nuk duan ta marrin atë?

“Sigurisht se liria nuk mund të cenohet, së paku nuk duhet të cenohet, nga askush dhe ndaj askujt. Liria ngërthen në vete edhe një lloj përgjegjësie meqë po ballafaqohemi me një të keqe që rrezikon të mirën e përgjithshme tonë personale dhe atë publike. Deri tani kemi qenë si mjeku që nuk e di diagnozën e pacientit dhe duhet të aplikojë një terapi dhe padyshim se ka pasë paqartësi të cilat janë edhe akoma duke pasë parasysh edhe që koha ka qenë shumë e shkurtër për ata që kanë punuar në zbulimin e vaksinës”.

“Ne nuk e kemi marrë vetë jetën. Jeta është dhuratë e Zotit dhe duhet të mendojmë që jeta do t’i kthehet Zotit dhe ne duhet të mundohemi prej momentit kur jemi të vetëdijshëm për jetën tonë deri në momentet e fundit të jetës kalimtare të jemi të ndërgjegjshëm, të jemi edhe ndaj Zotit, vetes dhe të tjerëve korrekt. Këtu duhet ndërtuar edhe liria dhe përgjegjësia jonë dhe në kuadër të kësaj duhet t’i qasemi edhe vaksinimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat