Zaimi i VV-së: Për një gjë pajtohem me open-ballkansat serbofilë

Aktuale

Zaimi i VV-së: Për një gjë pajtohem me open-ballkansat serbofilë

Nga: A.Zh Më: 7 gusht 2021 Në ora: 19:51
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama; foto ilustrim nga "Bota sot"

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka thënë se pajtohet për një gjë me liderët e “Ballkanit të hapur”, se duhet parë ekonomia.

Ai ka pyetur se si ka mundësi që Shqipëria ëshë kaq e hapur për “Open Ballkan” dhe ka kaq shumë fukarenj.

Ai ka pyetur tutje se kush po e katandis në motel të Ballkanit, ku vijnë turistët, “pushojnë” dhe ikin, ndërkohë që vendasit emigrojnë me ritme të njëjta sikur të ishte Irak, Afganistan a Siri.

Sipas tij, Shqipërisë i duhet politikë që nxit e mbron prodhimin, që afron investime dhe avancim teknologjik, përcjell Bota sot.

Reagimi i Zaimit në Facebook:

Për një gjë pajtohem me open-ballkansat serbofilë: duhet parë ekonomia. Nuk bëhesh dot krenar kur nuk mbyll dot muajin dhe e ke barkun bosh. Duhet ndjekur interesi, e jo pasioni…!

Le ta mbajmë këtë parim fort dhe të shtrojmë pyetje:

Tash 30 vjet Shqipëria ka qenë pjesë e çdo iniciative dhe marrëveshjeje rajonale për tregti të lirë, bashkëpunim shumëplanësh me çdo vend të rajonit, e të tilla.

Si ka mundësi që pas gjithë kësaj openmindësie largpamëse të udhëheqësve të qeverive, bizneseve e opinioneve publike shqiptare Shqipëria është vendi i rajonit me varfërinë ekstreme më të përhapur, sipas statistikave vendore e ndërkombëtare? Madje dyfish më shumë varfëri ekstreme se sa Kosova e izoluar?

Si ka mundësi pra? Gjithë kjo openmindësi openballkanase dhe prapë kaq fukarenj? Gjithë këta turistë serbë dhe prapë kaq fukarenj?

Interesin duhet të ndjekim, dakord, por interesin e kujt? Nuk është interes i Shqipërisë interesi i 10-15 agallarëve dhe afendikonjve që po pasurohen nga importi dhe shitja e vendit, as ai i 100-200 “opinionistëve” që janë në borderotë e tyre apo të shërbimeve fqinjë.

Kush po e falimenton prodhimin vendor? Kush po i shet interesat energjetike shqiptare te kompani të huaja (ca thonë direkt te djali i Rankoviçit)? Kush po e katandis Shqipërinë në motel të Ballkanit, ku vijnë turistët, “pushojnë” dhe ikin, ndërkohë që vendasit emigrojnë me ritme të njëjta sikur të ishte Irak, Afganistan a Siri?

Interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, të çdo partie e feje, nuk është kjo politikë që po na shndërron në treg fundor të Serbisë e që na mban të ngecur si hallka më pa vlerë e zinxhirit global të prodhimit të vlerës ekonomike.

Na duhet politikë që nxit e mbron prodhimin, që afron investime dhe avancim teknologjik. Na duhet politikë, shtet e shkollë që edukon me kulturë pune e qytetarie. Nuk na duhet romantizimi nihilist i bukurisë së varfërisë sonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat