Flet Mimoza Kusari, tregon a po rrezikohen marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri pas ‘Open Balkan’

Aktuale

Flet Mimoza Kusari, tregon a po rrezikohen marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri pas ‘Open Balkan’

Më: 9 gusht 2021 Në ora: 12:39
Mimoza Kusari

E plotësuar (13:29) - Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk bisedojnë lidhur me temën e minishengenit, që tani njihet si iniciativa Open Ballkan. Sipas saj, këtë iniciativë Rama e ka nisur njëanshëm me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, por që Kosova vazhdon ta konsiderojë proces paralel dhe të dëmshëm.

Megjithatë, Kusari-Lila ka deklaruar se raportet me Shqipërinë mbesin të pakontestueshme, pavarësisht politikave ditore.

Kusari-Lila: Me kryeministrin Rama nuk bisedojmë për Open Ballkan

“Çka do që mund të jenë nismat apo politikat ditore, raportet e Kosovës me Shqipërinë mbetën të pakontestueshme, raportet më të veçanta për qytetarët e Republikës së Kosovës. Me kryeministrin Rama aktualisht, iniciativën të cilën njëanshëm ai e filloi me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, natyrisht që do të vazhdohet biseda por jo në këtë temë dhe jo për shtetet e kësaj ideje të cilën e thash edhe njëherë pa dallime në Kosovë e kanë kundërshtuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, është e pakuptimtë të shtyhet tutje kjo ide dhe nuk mund të quhet Open Ballkan, përderisa tri nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kundërshtojnë atë.

Kusari-Lila: Open Ballkan, proces paralel dhe i dëmshëm

“E kemi konsideruar si një proces e para paralel dhe e dyta të dëmshëm, në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative siç është rasti me minishengen ose Open Ballkan, ndërsa së dyti konsiderojmë që fokus duhet t’i jepet shumë më shumë pengesave të deritanishëm që janë bërë sesa iluzioneve që mund të ndryshojë i njëjti shtet në raport me ne ose në raport me të tjerët në Ballkan dhe nuk jemi i vetmi shtet që e refuzon Open Ballkan, prandaj nuk mund të quhet si i tillë përderisa tri nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kundërshtojmë një iniciativë të tillë”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka folur pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, në të cilën është vendosur që seanca e fundit për sesionin pranveror të mbahet këtë të enjte.

Më 12 gusht, Kuvendi do të vazhdojë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara për të hapur pastaj një seancë të re me disa prej pikave që janë shqyrtuar tashmë në komisionet funksionale.

Në seancën e së enjtes, Kusari-Lila ka thënë se do të shikohet mundësia për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare siç është ajo me Qeverinë e Hungarisë.

***

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari në konferencën që sot ka mbajtur pas mbledhjes së kryesisë është pyetur për raportet Kosovë-Shqipëri pas iniciativës ‘Open Balkan’.

Mimoza Kusari ka thënë se sa i përket Open Balkan, ende nuk janë arsyetuar deklarimet që e kanë iniciuar këtë nismë.

“Unë mendoj që ajo se çka është diskutuar deri tash janë informacione që nuk janë trajtuar asnjëherë, prej kur është plasuar minishengeni deri tash ‘Open Balkan’, nuk janë arsyetuar deklarimet e tyre që e iniciuan, pse duhet të jetë më mirë. Në rrethana në të cilat Kosova ka një histori tepër të rëndë, nuk mundemi ne që një farë mënyre të besojmë që Serbia ndryshon”, thotë ajo.

Kusari e ka përmendur edhe faktin se edhe partitë tjera nuk e kanë përkrahur këtë iniciativë.

“Tashmë ekziston deklarimi i të gjitha partive në Kosovë që nuk e mbështetim një ‘Open Balkan’, e kemi pas një kryeministër që ka nënshkruar për minishengenin, po e njëjta parti tash e ka kundërshtu, ne nga fillimi e kemi kundërshtuar, sepse në këtë moment, Serbia është bosht i kësaj iniciative.

Nuk jemi i vetmi shtet që po e refuzojmë, tri nga gjashtë shtetet e kundërshtojnë iniciativën”, thotë e njëjta, duke shtuar se raportet me Shqipërinë janë të veçanta, e se me kryeministrin shqiptar Edi Ramën do të diskutohet por jo për këtë ide.

“Në raport me Shqipërinë, jemi më tepër ithtar të trajtimit të problemeve aktuale, qoftë në shkëmbime tregtare, qoftë në sfidat tjera.

Çka do që mund të jenë nismat, raportet e Kosovës me Shqipërinë mbeten më të veçantat për qytetarët e Republikës, me kryeministrin Rama në iniciativën që njëanshëm e filloi ai natyrisht se do të vazhdohet biseda, por jo për këtë ide”, thotë e njëjta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat