Përplasen anëtarët e KQZ-së, ja arsyeja

Aktuale

Përplasen anëtarët e KQZ-së, ja arsyeja

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 15:21
KQZ

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë përplasur verbalisht për votimin me letërnjoftim pa afat.

KQZ-ja ka bërë shqyrtimin e rekomandimit për aprovimin e kërkesave për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës të cilët kanë dërguar kopje të dokumentit identifikues (letërnjoftime) të Republikës së Kosovës me afat të skaduar, për të cilin Sami Kurteshi nga VV-ja ka thënë se nuk e kupton se pse është nxjerr një rekomandim i tillë.

“Një letërnjoftim ka 20 karakteristika, kurse ne vetëm një e kemi marrë parasysh, datën e skadimit. Unë e kam problem se pse ngritët kjo çështje në KQZ. E dyta që po më mundon është që prej tetori të vitit 2019 ky shtet ka problem me sigurimin e letërnjoftimit, kurse këndej thonë se na fal nuk paske letërnjoftim të vlefshëm”, është shprehur ai.

Po ashtu Kurteshi ka thënë se nuk e kupton se pse personave që janë jashtë vendit nuk u lejohet të votojnë me letërnjoftim me afat të skaduar.

Florian Dushi nga LDK ka thënë se në këtë fazë po ballafaqohemi me votues që kanë me votuar nga jashtë.

Gjithashtu Dushi ka thënë se ligji nuk e lejon votimin me letërnjoftim me afat të skaduar.

“Një dokument identifikimi nuk ua siguron të drejtën për të votuar. Pse kjo është temë edhe ishte konsideroj që nuk është faji i këtij institucioni po i tillë është për shkak se ligji e përcakton që dokumentet e pranueshme të identifikimit janë letërnjoftimi i vlefshëm, pasaportë valide, leje e vlefshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ilir Gashi i PDK-së, ka thënë se ky propozim bien ndesh me ligjin.“Kjo është një mundësi që njerëzve dashakeqës u jep mundësi me keqpërdor.
Fakti që një qytetar jashtë vendi u kërkohet një dokument valid që është qytetar i Kosovës duhet tu kërkohet edhe një tjetër nga shteti ku jeton.

Anëtari tjeter i KQZ-së, Alim Rama ka thënë se është bërë diskrimim që në zgjedhjet e 14 shkurtit votuesve brenda vendit i është lejuar votimi me dokument të skaduar kurse atyre jashtë jo.

Ibrahim Selmani ka thënë se institucioneve të Kosovës duhet tu bëhet presion për sigurim të dokumenteve për qytetarët.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se përderisa ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sfeqla ka marrë vendim që afatin e letërnjoftimeve për qytetarët të shtyhet për gjashtë muaj nuk ka arsye të bëhet i gjithë ky debat dhe SKQZ duhet thjeshtë të zbatojë atë.

Dushi ka kërkuar formulim të saktë të KQZ-së, bazuar në vendimin e ministrit.

Ky rekomandim është votuar me 6 vota për dhe 2 kundër e një abstenim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar se si do të jenë formularët për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.
Ylli Buleshkaj, në kuadër të Aktiviteteve të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka dhënë disa informata.

“I kemi tri parti politike deri tash që kanë aplikuar për certifikim, 8 iniciativa qytetare dhe 10 kandidatë të pavarur” ka thënë ai.

Arianit Elshani nga Këshilli për Operacione Zgjedhore ka njoftuar se propozojnë si rekomandim që mos të konsiderohen më si material sensitiv llambat e sprej për gishta që përdorën në procesin zgjedhor sepse sipas tij kështu edhe kursehet buxhet.

Kurse sa i përket pikës Shqyrtimi dhe miratimi i dizajnit të formularëve për Zgjedhjet Lokale 2021, Elshani ka treguar se në formularë do të përfshirën edhe gjuhë tjera veç asaj shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat