Ja çfarë thotë infektologu Ramadani për infektimin e fëmijëve me COVID-19 dhe variantet e reja të virusit

Aktuale

Ja çfarë thotë infektologu Ramadani për infektimin e fëmijëve me COVID-19 dhe variantet e reja të virusit

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 23:08
Ilustrim

Një numër i madh i fëmijëve nga 0 deri në 9 vjeç kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, gjatë ditëve të fundit në Kosovë, teksa Ministria e Shëndetësisë ka dhënë dritën e gjelbër për t’u vaksinuar edhe fëmijët mbi moshën 12-vjeçare.

Në lidhje me infektimin e fëmijëve me coronavirus, pasojat që mund të kenë ata më vonë, gjendjen e tyre shëndetësore gjatë përballje me këtë sëmundje dhe mundësinë që edhe fëmijët nën 12 vjeç të marrin vaksinën, ka folur infektologu Hamdi Ramadani.

Ramadani ka theksuar se deri më tani, moshat e reja e kanë kaluar me simptoma më të lehta këtë virus, teksa tha se situata në Kosovë në përballje me COVID-19 është vështirësuar shumë ditëve të fundit.

“Tash për tash nuk mund të themi se mund të ketë ndërlikim ose pasojë, në muajt apo vitet e mëvonshme tek kjo moshë, por të dhënat e deritashme, tregojnë se tek fëmijët ecuria e sëmundjes kalon më lehtë, për shkak se virusi tek mosha fëmijërore, zakonisht nuk mund të kapet shumë në receptorët respiratorë, nuk mund të bëj dëmtime të rënda, patologjike që mund të shkoj në ndërlikim të rëndë e serioz”, u shpreh Ramadani.

Ai u shpreh se “Bazuar në këto të dhëna, organizata ndërkombëtare nuk e kanë bërë programin e vaksinimit për moshat deri në 12 vjeç, për faktin se është menduar se ky grup i moshave është me një tablo klinike më të lehtë. Përkundër faktit se ende nuk ka hulumtime në nivel botëror se si do të sillet ky virus”.

Sipas tij, nëse sëmundja lë pasoja të rënda edhe tek fëmijët, në një të ardhme më të largët ata do të mund të vaksinohen me vaksinë anti-COVID.

“Në këtë kuptim asnjë organizatë të jap një mendim se çfarë do të bëhet me moshën deri në 12 vjeç, nëse do të bëhet ose jo vaksinimi. Por, nëse ky Delta në gjithë botën bën veprime të rënda edhe në moshën pediatrike mund të ketë një mundësi në një të ardhme të largët të bëhet vaksinimi edhe i mosha fëmijërore, nëse Delta paraqet dëmtime serioze dhe që dokumentohet me të dhëna të sakta. Pra, mbetet të shihet pas disa kohe”, tha Ramadani.

Infektologu Ramadani tha se përgjegjësinë për infektimin e fëmijëve e kanë të rriturit që kanë kontakt me ta, duke bërë thirrje që ata të mbajnë gjithmonë maskën kur kanë kontakt me fëmijët.

“Mendoj që masat të cilat duhet ndërmarrë tek kjo moshë është që personat që jetojnë e punojnë me fëmijët, duhet të marrin masa. Prindërit, arsimtarët, profesionistët shëndetësor, ata që punojnë në çerdhe. Ata duhet ta mbajnë maskën gjithmonë, sepse është e ditur që ky infeksion transmetohet nga të rritur tek fëmijët, ka shumë raste të rralla që fëmijët e bartin virusin tek fëmijët. Të rritur e bartin atë përgjegjësi, duhet të mbajnë maskën gjithsesi”, tha infektologu Ramadani.

Ramadani tutje shtoi se, “virusi i COVID-19, po kalon nga një variant në tjetrën, nga ai kinez, tek ai anglez, e tash edhe virusi Delta”.

Sipas tij, ashtu siç ndërron varianti, mund të ketë ndryshime edhe në ndikimin e tij në organizëm.

“Mendoj që të gjitha këto variante mund të kenë ndryshime të veprimi patogjen tek të rriturit dhe fëmijët. Tash virusi Delta po atakon të rinjtë nga 20 deri në moshën 40 vjeç që ka qenë ndryshe nga ajo variante angleze apo kineze që atakonte ata mbi 50 vjeç”, u shpreh ai.

Ramadani theksoi se, “për shkak të kësaj nuk mund të japim të dhëna të pa dokumentuara, pasi virusi po e ndërron variantin, secili variant ka reflekse të ndryshme te organizmat të moshave të ndryshme”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës pritet që nesër të merr vendim për masat e reja të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar gjatë konferencës për medie se do të shtohen ekipet e vaksinimit, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësor nëpër sektorë të ndryshëm.

Ai u shpreh se kanë marrë miratim nga Ministria e Financave që të shtojnë resurset njerëzore, në mënyrë që të jenë të përgatitur.

“Do të rekrutojmë me procedura sa më të shpejta 1 mijë punonjës shëndetësor në SHSKUK, në IKSHPK, ne inspektorat e vende të tjera”, tha Vitia.

Vitia u shpreh se “Qysh nesër do t’i propozojmë Qeverisë për marrjen e masave kufizuese që do të prekin disa sektorë, por që janë të domosdoshme”.

“Do të propozojmë të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë. Ndërsa do të propozojmë edhe një zgjidhje për dasmat, me shumë kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme që kanë bërë qytetarët tanë”, tha ministri Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat