Kimete Berisha reagon ashpër pas vrasjes makabre të 18 vjeçares - ka një mesazh për përkrahësit e vrasësit

Aktuale

Kimete Berisha reagon ashpër pas vrasjes makabre të 18 vjeçares - ka një mesazh për përkrahësit e vrasësit

Nga: A.M Më: 23 gusht 2021 Në ora: 23:00
Kimete Berisha

Opinionistja Kimete Berisha ka reaguar pas vrasjes së 18 vjeçares në Ferizaj.

Berisha tha se është bizarre se si qindra talibanë shqiptarë me komentet e tyre në rrjete sociale janë duke i përkrahur vrasësit e vajzës 18-të vjeçare.

Ajo kërkoi që policia të ndërhyjë, pasi janë duke e instaluar botëkuptimin e talibanëve për vajzat dhe grate.

“Në shoqërinë shqiptare, vajzave gjithmonë u mveshet lakmia si vesi më i madh. Kur kam qenë në gjimnaz, meshkujve të asaj kohe u pëlqente të konstatonin se si vajzat 'e sotit' i mashtron mashkulli i veshur me një jakne të lëkurës.

Gjithmonë vajza 'mashtrohet', e djali 'mashtron', sipas mentalitetit shqiptar. Por, lakmia nuk ka përkatësi gjinore. Lakmitarët më të mëdhenj janë burrat”, shkroi Berisha në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Lakmia e vetme e vajzave është dashuria!

Qindra talibanë shqiptarë me komentet e tyre në rrjete sociale janë duke i përkrahur vrasësit e vajzës 18-të vjeçare.

Kjo është bizare dhe policia duhet të ndërhyjë, sepse, janë duke e instaluar botëkuptimin e talibanëve për vajzat dhe gratë!

Pra, sipas tyre, gruaja e meriton vrasjen, sepse ose 'lakmon ose është budallaqe'!

Në shoqërinë shqiptare, vajzave gjithmonë u mveshet lakmia si vesi më i madh.

Kur kam qenë në gjimnaz, meshkujve të asaj kohe u pëlqente të konstatonin se si vajzat 'e sotit' i mashtron mashkulli i veshur me një jakne të lëkurës.

Gjithmonë vajza 'mashtrohet', e djali 'mashtron', sipas mentalitetit shqiptar.

Por, lakmia nuk ka përkatësi gjinore.

Lakmitarët më të mëdhenj janë burrat.

Ekziston termi 'prostitucion mashkullor', por në shoqërinë shqiptare nuk e përdorin, anipse e praktikojnë sa të munden.

Edhe meshkujt e 'shesin' nderin: për një punë, për një pozitë, për një kerr dhe për një orë dore, ama kjo është 'temë tabu', sepse kështu kanë vendosur meshkujt.

Gra që 'flasin e shkruajnë' kundër mentalitetit të qelbur dhe hipokrizinë kemi mbetur aq pak, sa tash edhe mua po më duket jam mërzitur, se më nuk ia vlen gjithë kjo vetmi!

Prej Abelit e Kainit, kur vëllai e ka vrarë vëllain për lakmi dhe për pushtet, e deri në ditën e sotit pushtetin e kanë burrat,

- Luftojnë pamëshirshëm për të qenë të fortë;

- E fshijnë këdo që u del përpara për të qenë të pushtetshëm;

- Nuk kanë lënë krim pa bërë për t'u bërë të pasur.

Burrat i punësojnë vajzat në sektorin privat e jo anasjelltas.

A e merr kush me mend çfarë do të thotë të jesh vajzë e të punosh sot për skllavopronarët e Kosovës!

Dhe tregtarët shqiptarë 'njerëzit i shfrytëzojnë' kurse 'pasurinë e dashurojnë', në vend se të ishte e kundërta.

Buxhetin e shtetit e vjedhin burrat (dhe u bënë të pasur);

Tokën e Kosovës e falën burrat (për të qenë të pushtetshëm);

Pushtetin e mbajnë burrat (për të qenë të 'fortë).

Cila grua shqiptare lakmoi aq shumë pushtetin, famën dhe pasurinë, sa ia pa sherrin shoqëria, Kosova dhe historia?

Asnjëra!

Vajzat dhe gratë shqiptare (përjashtimet nuk numërohen) janë të nënshtruara, sepse as pasuria e as pushteti nuk janë në dorën e tyre.

Si mund të jesh 'dikushi' kur s'ke gjë në dorë, e as fatin tënd!

Për të arritur këtu diçka në jetë, shumë pak për të arritur, duhet luftë e madhe, aq e madhe dhe e rëndë është kjo luftë, sa të mërzitet jeta...se nuk shtyhet bjeshka me gjoks...!

Prandaj, ata që lakmojnë dhe i materializojnë lakmitë e tyre janë burrat.

Çka i ka motivuar burrat të jenë të pushtetshëm?

Lakmia!

Çka i ka motivuar burrat të jenë të pasur?

Lakmia!

Çka e motivon burrin të bëhet Kryeministër?

Lakmia.

Çka i ka motivuar burrat të tradhtojnë shokun më të ngushtë dhe shtetin?

Lakmia.

Çka e motivon një burrë të jetë i dhunshëm me grua?

Urrejtja.

Çka e motivon të urrejë gratë?

Pafuqia e gruas!

A ka zgjidhje?

Jo. Derisa gruaja nuk di të jetoj pa burrë. Dhe derisa gruaja e pranon burrin si pushtues!

Me 'mashkullin e keq' sillu si 'mashkull i keq' dhe e sheh qysh menjëherë ikë prej teje!

P.S. Trëndafili i egër, ku rritet!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat