“Dje n'Drelaj u varros nji rugovas i vogël”, Çun Lajçi rrëfen për vdekjen e mërgimtarit nga CoVID-10

Aktuale

“Dje n'Drelaj u varros nji rugovas i vogël”, Çun Lajçi rrëfen për vdekjen e mërgimtarit nga CoVID-10

Nga: M.L. Më: 9 shtator 2021 Në ora: 11:34
Çun Lajçi

Aktori Çun Lajçi përmes një postimi në Facebook ka rrëfyer për vdekjen dhe varrimin e një bashkëvendësi të tij në Drelaj të Rugovës.

Personi sipas Lajçit kishte ardhur nga Gjermania në vendlindje, ndërsa ka ndërruar jetë për shkak të virusit CoVID-19.

Ai tregon se varrimi ishte bërë nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Ky është postimi i plotë:

Dje n'Drelaj u varros nji rugovas i vogël

Dje e takova n'Drelaj. Ai tue kapërcye Sheun e Dardhave unë tue kapërcye gardhin me ra ndër vorre! Ai i përcjellun me dy polic, unë me Mustafën, Ramizin e Isufin!

Njiherë m'shkoi mendja me i folë kështu: Ç'punë kanë policia me vdekjen tande? Zbrit prej arkivolit e mos e zvogëlo edhe ket grimë dekë, se vorrin s'ta ka falë kurkush! Virusin s'e prune ti. E gjete aty ku e la nji tjetër, si ti i mbyllun n'arkivol! Zbrit, se dy dërrasa ti maroj edhe vet. Edhe nji shall t'bardhë për qefin ta gjej!

Mbasi e shikova n'sy Isuf Salihun e ndrrova mendjen! I fola butë.

Kam t'dvetë për ty Azem! Jo nji herë, jo. Shumë herë!

Jemi rritë bashkë. Ti përtej sheut e unë këndej. Qelan unë e ti topall! Unë tue krua kryet e ti tue mbajtë kamën me dorë!

Ky asht qelani i Alisë thojshin e ky topalli i Rexhepit!

Por neve s'na ndrronte qehërja!

N'Gjermani po rrin m'thojshin. Por n'Gladbach ta takova vetëm vajzën. Ti the prit se po vi e s'erdhe. Por ja që erdhe këtu ku u linde. Këtu po takohemi. Ti n'arkivol, i përcjellun me masa sigurie, unë me pak dreljanë që kanë mbetë me vjeshtua n'ket shtator!

Kur ta mbuluen trupin me dhe e kur thanë me kaq e pat Azemi i Rexhepit, pësheretina!

E di se asht pandemi, e di se nuk ishte i madh, por pse duhet t'ia zvogëloni kaqë shumë edhe vdekjen?!

Dje n'Drelaj u varros nji rugovas i vogël. Unë i shkova me maskë të vorri, edhe pse m'thanë ik, se mund t'infektohesh!

Drelaj(Rugovë), 08.09.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat