Milazim Krasniqi thotë se Kurti po dëmtohet nga këshillat e mbrapshta

Aktuale

Milazim Krasniqi thotë se Kurti po dëmtohet nga këshillat e mbrapshta

Nga: M.L. Më: 13 shtator 2021 Në ora: 16:53
Prof Milazim Krasniqi, kryeministri Albin Kurti

Profesori universitar, Milazim Krasniqi konsideron se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke u këshilluar mbrapsht nga këshilltarët e tij, në lidhje me çështjen e hapjes së arkivave të UÇK-së.

Në një postim në Facebook Krasniqi thotë se deklarata e Kurtit se duhet të hapen arkivat e Kosovës në mënyrë që edhe Serbia t`i hapë arkivat e saj dhe të dihet fati i të pagjeturve, është kundërthënëse.

“KËSHILLAT E MBRAPËSHTA PO E DËMTOJNË EDHE VETË KURTIN/

Deklarata e Albin Kurtit për arkivat tingëllon si ironi, por është oksimoron. Pra, është kundërthënëse në themel. Pse? Sepse Kurti insiston që të hapen arkivat në Kosovë, për të krijuar hapësirë që të gjenden të pagjeturit, për të cilët është fajtore dhe ka dijeni vetëm Serbia! Pra, të dhënat për të pagjeturit janë në arkivat serbe, jo në arkivat tona. Prandaj, arkivat serbe duhet të hapen, pa asnjë kushtëzim. Nëse ato nuk hapen, pa u hapur edhe arkivat tona, kjo do të thotë se Serbia po shantazhon qeverinë tonë, ndërsa qeveria jonë ka rënë pre e shantazhit nga Serbia”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Ai potencon se Serbia duhet të kushtëzohet nga BE, SHBA dhe NATO për hapjen e dosjeve dhe arkivave, por që një gjë e tillë sipas tij nuk po ndodhë.

“Kështu duhet të lexohet kjo çështje. Përtej kësaj situate, duhet të jetë e qartë që Serbia mund të hapë arkivat(dhe dosjet) vetëm nëse kushtëzohet fort nga BE, SHBA e NATO. Kurrqysh ndryshe. Por, BE, SHBA e NATO nuk po e kushtëzojnë fare Serbinë. Përkundrazi, po e favorizojnë edhe në dialogun në Bruksel, edhe në Procesin e Berlinit, edhe me Ballkan Open. Ndërsa Kosovën kanë arritur ta mbajnë në izolim, në varfëri, ta fusin në kurthe të konflikteve të brendshme, nga ku edhe kërkesat e saj legjitime për të pagjeturit dhe për drejtësi, duken jonormale”, shprehet ai.

Më tutje, Krasniqi rikujton se Kosova tashmë është edhe në bankën e zezë në Gjykatën Speciale në Hagë, ashtu që diskutimi për arkivat e UÇK-së e rëndon edhe më shumë pozitën e saj.

“Prandaj, deklarata e Kurtit vetëm sa e përkeqëson pozitën e Kosovës. Në instancë të fundit, e përkeqëson edhe pozitën e tij si kryeministër. Prandaj nuk arrij ta kuptoj pse në këtë temë po punon edhe kundër vetes. Kushdo që është duke e këshilluar kaq mbrapshtë, është duke e dëmtuar edhe Kurtin personalisht. (13 shtator 2021)”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat