VOA: Osmani, nuk shtyhen zgjedhjet për pushtetin vendor në Kosovë

Aktuale

VOA: Osmani, nuk shtyhen zgjedhjet për pushtetin vendor në Kosovë

Më: 13 shtator 2021 Në ora: 21:13
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, se nuk është arritur pajtim për shtyrjen e datës se zgjedhjeve për pushtetin komunal, të caktuara për 17 tetor, siç rekomandoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Ky institut i ka propozuar presidentes mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, duke theksuar se mbajtja e procesit zgjedhor, që shoqërohet me tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen e infeksioneve me COVID-19.

Përkundër rekomandimit të profesionistëve shëndetësorë për ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike, mendimi mbizotërues i subjekteve politike opozitare ishte se nuk duhet të shtyhet procesi zgjedhor. Unë kam frikë se një pozicionim i tillë mund të sjellë situata të paparashikueshme për shëndetin e qytetarëve, por e respektoj të drejtën e partive për të mbajtur qëndrim të tillë megjithëse nuk pajtohem”, tha zonja Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit se është në favor të shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të përhapjes së madhe të variantit Delta.

Për shkak që varianti Delta është eksploziv, në muajt nëntor edhe dhjetor, ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë ne nuk imponojmë qëndrimin tonë, le të merret cilido vendim që merret ne do ta respektojmë atë, por jemi të brengosur meqë nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet parlamentare, këtu nuk janë 110 kandidatë por janë nga 900 kandidatë për subjekt dhe mund të kemi edhe balotazh”, tha zoti Kurti.

Image
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Por, asnjë nga partitë opozitare nuk është pajtuar me shtyrjen, duke vlerësuar se një veprim i tillë do të ishte goditje ndaj demokracisë.

Image
Lumir Abdixhiku

Ne sot kemi marrë vendim në kryesinë e partisë sonë se pavarësisht sjelljeve të të tjerëve, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ushtrojë vullnetarisht fushatë pesë ditore ose fare asnjë ditë, për të ruajtur shëndetin e njerëzve. Sa i takon datës së zgjedhjeve ne besojmë që një skenar politik i prezantuar tash e sa kohë në studio televizive nuk bën të ekzekutohet për shkak se në pyetje është demokracia”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Image
Memli Krasniqi

Ne jemi që të shkurtohet në vetëm pak ditë fushata ose edhe të pezullohet fare fushata konvencionale, të ketë respektim rigoroz të masave të vendosura por kemi kërkuar t’i jepet përparësi vaksinimit të njerëzve të përfshirë ne proces zgjedhor. Qëndrimi ynë që shëndeti i qytetarëve është me përparësi por karshi kësaj është edhe shëndeti i demokracisë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kosova po përballet me situatë të rënduar për shkak të valës së re të infektimeve dhe numrit të lartë të vdekjeve nga pasojat e COVID-19ës. Që nga një shtatori e deri të hënën, në Kosovë janë regjistruar 305 viktima, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit 14 veta kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë konfirmuar 259 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi që shënon një rënie të numrit të të infektuarve.

Në përpjekje për të frenuar zgjerimin e infektimeve, qeveria vendosi të dielën që të vazhdojë edhe për dy javë masat kufizuese ndërsa shtoi edhe masa të reja, të cilat hyjnë në fuqi nga sot. Sipas vendimit të qeverisë, deri më 26 shtator do të vazhdojë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit, shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor dhe kufizimi i orari të punës së bareve dhe restoranteve.

Më herët gjatë këtij muaji, partitë opozitare në Kosovë u pajtuan për shkurtimin e fushatës zgjedhore dhe shmangien e tubimeve politike, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e Covid-19./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat