Gjykata e Mitrovicës fton për dëshmitarë dy persona të vdekur

Aktuale

Gjykata e Mitrovicës fton për dëshmitarë dy persona të vdekur

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 15:55
Gjykata e Mitrovicës

Në gjykimin kundër Ahmet Hasanit, i akuzuar nga Prokuroria për veprën penale të vrasjes dhe tentim vrasjes, Gjykata e Mitrovicës ka thirrur dy dëshmitarë të cilët kishin vdekur kohë më parë.

Për Bahri Brahimi dhe Dibran Berisha që ishin ftuar në cilësinë e dëshmitarëve, nga letra e cila i është kthyer gjykatës, konstatohet se kanë ndërruar jetë, tha kryetari i trupit gjykues Velko Vuçetiq.

Prokuroria e Mitrovicës po akuzon Ahmet Hasanin se më 2 qershor 1998 në fshatin Kçiç i Madh në Mitrovicë i kishte ndihmuar të akuzuarit Shaqir Hasanit që është babai të akuzuarit Ahmet Hasani, në vrasjen e Aziz Berishës, tentim vrasjen e Esat Berishës dhe plagosjen Reshat Berishës duke i dërguar armën e tipit TT të cilën me kërkesën e Shaqir Tahirit e kishte marrë në shtëpinë e tyre.

Lidhur me këtë ngjarje në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Fahri Berisha.

Dëshmitari Fahri Berisha fillimisht deklaroi se me të akuzuarin Ahmet Hasani kanë qenë fqinj dhe shtëpitë i kanë pasur vetëm 50 metra larg njëri tjetrit, ndërsa viktimën Aziz Berisha e kishte djalë të axhës.

Rreth ditës kritike ku kishte mbetur i vrarë Aziz Berisha, ai deklaroi se kishte qenë në bahçen, e tij duke ujitur perimet.

Kam qenë në shtëpi duke punuar në bahçe t’u i ujit perimet dhe para se të ndodhë ngjarja, një kushëri i imi ka ardhur dhe më ka thënë se u vra Aziz Berisha, djali i axhës tim dhe në atë moment kam shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kam parë të shtirë pa shenja jete”, tha ai.

Dëshmitari Berisha deklaroi se kur kishte shkuar në vendin e ngjarjes ku ishte vrarë Aziz Berisha kishte gjetur Zejnullah Brahimin, që tashmë ka ndërruar jetë dhe disa kushërinj të tjerë.

Aty kam gjetur edhe dëshmitarin, që tani ka ndërruar jetë, Zejnullah Brahimin, pastaj kanë ardhur kushërinj të afërt të mi dhe vëllezërit e të ndjerit Aziz Berisha”, tha Berisha.

Ai tregoi se kur kishte shkuar në vendin ku ishte vrarë Aziz Berisha i ishte afruar të njëjtit dhe i kishte hequr rrobat për ta parë ku ishte plagosur.

“Të ndjerit ia kam hequr rrobat për ta parë se ku ishte plagosur, ku prej tri vrima të plumbave njëra ka qenë afër zemrës”, tha ai.

Në pyetjen e prokurores Fetije Bajrami, se a e kishte parë të akuzuarin Ahmet Hasani dhe sa ishte përafërsisht ora, dëshmitari u përgjigj:

“Distanca nga e kam parë Ahmet Hasanin ishte 50 metra. Atë e kam parë për 2-3 sekonda dhe nuk më ka interesu nga ka shkuar, ora ishte 16-17 pas dite”.

Ndërsa në pyetjen e avokatit Ahmet Tahiri se kush ju ka treguar për vrasjen e Aziz Berishës dhe a ju ka treguar emrin e personit që e ka vra Aziz Berishën, dëshmitari Berisha deklaroi se “Hysni Berisha më ka thënë se Azizi u vra nga dora e Shaqir Hasanit”.

Prokurorja Bajrami, në mohimin e pyetjes se a kishte qenë atë ditë i akuzuari Ahemti me vëllain Valdetin e ballafaqoi dëshmitarin Berisha me deklaratën e tij të dhënë me 14 gusht 2002 ku kishte thënë se “unë në një moment shiqova në drejtim të rrugës së fshatit që kalon afër shtëpisë sime dhe Shaqirit dhe pashë se nga rruga e asfaltume në drejtim të shtëpisë së Shaqirit, larg dyerve të oborrit 3 metra, ishte duke ardhur djali i Shaqirit, Ahmeti ai ecte shpejtë pas 3 deri në 5 minutave në dyert e oborrit të shtëpisë së Shaqirit kam parë duke dalë i pari Ahmeti pas tij vëllau i tij Valdeti me shati në dorë dhe pas tij vëllau i Shaqirit, Ismeti me shati në dorë”.

Lidhur me këtë deklaratë dëshmitari Berisha në seancën e sotme tha se e ka parë vetëm Ahemtin.

Lidhur me deklaratën e vitit 2002, dëshmitari tha se më të freskët e ka sot kujtesën se sa në vitin 2002.

Në pyetjen e anëtarit të trupi gjykues Mentor Hajra se a qëndron dëshmitari pranë deklaratave që ka dhënë me herët ai u përgjigj shkurt me jo.

Seanca e radhës u caktua për datën 22 tetor do të vazhdohet më dëgjimin e të dëmtuarve Esat Berisha dhe Reshat Berisha.

Aktakuza thotë se me 2 qershor 1998 rreth orës 18 e 10 minuta, në vendin e quajtur “Livadhet e Bekovitëve” në fshatin Kçiç i Madh në Mitrovicë, Shaqir Hasani me dashje ka vrarë Aziz Berishën duke shtënë 4 herë me revolen e tipit TT.

Sipas aktakuzës vrasja kishte ndodhur si shkas i kullojës së bagëtive nga ana e viktimës Aziz Berisha.

Aktakuza thotë bagëtitë kanë qenë duke i ruajtur fëmijët Ardita dhe Fahri Berisha, ndërsa viktima Aziz Brrisha dhe të dëmtuarit Reshat dhe Esat Berisha ishin duke kositur livadhet.

Tutje aktakuza thotë se pasi i akuzuari Shaqir Hasani ka gjuajtur në Aziz Berishën 4 herë duke e lënë të vdekur, ka gjuajtur edhe në drejtim të Reshat Berishës 3 herë duke e plagosur në zonën gjenitale dhe regjionin e krahrorit të majtë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Prokuroria akuzon Ahmet Hasanin se me dashje i ka ndihmuar Shaqir Hasanit në vrasjen e Aziz Berishës, tentim vrasjen e Reshat Berishës dhe plagosjen e Esat Berishës, duke ia dërguar armën të akuzuarit Shaqir Hasanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat