Nënshkruhen 11 marrëveshje, Kurti: Etapë e re e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Aktuale

Nënshkruhen 11 marrëveshje, Kurti: Etapë e re e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 09:17

(E plotësuar 14:13) - Zaev: Nuk kemi opinion të njëjtë me Kurtin për “Open Balkan”, por s’na pengon që të bashkëpunojmë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën për media pas mbledhjes së dy qeverive ka thënë se me kryeministrin Kurti nuk e ndajnë opinionin e njëjtë për “Open Balkan” por që nuk e pengon në bashkëpunimin ndërshtetëror. Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se Kosova mbështet iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda tyre.

“Sa i përket “Open Balkan”, kemi opinione të ndryshme por kjo nuk na pengon në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve. Unë mund të them se Kosova është e pavarur dhe i ka qëndrimet e veta”, tha Zaev para gazetarëve.

Ndërkaq, sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, Kryeministri Kurti ripërsëriti atë që tha në Tiranë para dy ditësh, se iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda përkrahen nga Kosova.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe zbatim të marrëveshjeve në aspektin bilateral me Maqedoninë e Veriut, jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra BE është fati ynë, anda edhe si republikë e Kosovës ne i mbështesim iniciativat rajonale që janë nga Bashkimi Evropian . Asnjëra nga marrëveshjet e nënshkruara nuk mund të cenohen në zbatim pavarësisht dallimeve që mund të kemi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tutje foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive.

“Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë.  Deri tani kemi pasur 42 marrëveshje, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm, siguri, kontrollin e transportit hekurudhor, lidhjen e Brezovicës me Kodrën e Diellit, bashkëpunimi ndërkufitar”, tha Kurti.

Kurti: Etapë e re e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka quajtur moment historik takimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Kurti theksoi se takimi u mbajt me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Maqedonia e Veriut sivjet ka kremtuar 30 vjet të pavarësisë e Kosova 13 vjet të pavarësisë dhe kjo ishte mbledhja e parë ndërmjet dy qeverive tona për të intensifikuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha”, tha ai.

Kryeministri ka shprehur edhe ngushëllime për vdekjen e 14 personave në spitalin e Tetovës.

Dialogu Kosovë-Serbi, Zaev: Do të mbështesin marrëveshjen që është e pranueshme për dy vendet

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka thënë se mbledhja e përbashkët me Qeverinë e Kosovës është shprehje e qartë e vullnetit politik për të fuqizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Derisa i paraqiti disa nga 11 marrëveshjet e nënshkruara sot ndërmjet dy qeverive, Zaev tha se interesi i të dyja shteteve është bashkëpunimi bilateral.

“Na lidhin shumë interesat e përbashkëta, por edhe ekonomia që janë të udhëzuara dhe drejtuara drejtë njëra tjetrës. Në plan të parë i kemi vendosur marrëveshjet dhe memorandumet për përmirësimin infrastrukturor që të rritet ekonomia në dy vendet”, tha ai.

Në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Zaev tha se e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“I japim një mbështetje të rëndësishme dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të mbështesin marrëveshjen që është e pranueshme për dy vendet”, tha Zaev, duke shtuar se Maqedonia Veriore e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur moment historik dhe etapë të re të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut mbledhje e sotme të përbashkët ndërmjet dy qeverive në Shkup. Ai tha se me nënshkrimin e 11 marrëveshjeve të bashkëpunimit përfitojnë qytetarët nga dy vendet.

Zaev krah Kurtit: Kosova është një nga partnerët tanë më të mirë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka konfirmuar se janë nënshkruar 11 marrëveshje në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës.

Ai në konferencë të përbashkët me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, e ka quajtur Kosovën partner të rëndësishëm.

“Për Maqedoninë e Veriut, Kosova është një nga partnerët më të mirë”, është shprehur ai.

“Shkëmbimet tregtare presim që këtë vit të kalojnë mbi 400 milionë mes dy vendeve tona. Ne i japim mbështetje dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Mbështesim një marrëveshje për normalizim që kontribuon në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ndajë me Kosovë përvojat e veta”.

***

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të enjten, në Shkup në kuadër të seancës së përbashkët, kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me sfera të ndryshme bashkëpunimi.

Të dyja vendet nënshkruan: Marrëveshjen për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren–Tetovë, marrëveshjet për bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullimin kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale.

Kjo është mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve, e cila, siç kanë thënë nga qeveria në Shkup “konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në fushate e interesit të ndërsjellë mes dy vendeve dhe shkëmbimit të përvojave për bashkëpunimi më intensiv në rajon".

Delegacioni i qeverisë së Kosovës i udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti në Shkup u prit me nderime të larta shtetërore.

***

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të nënshkruajnë 11 marrëveshje bilaterale në takimin e sotëm të përbashkët në Shkup.

Njëra ndër to do të jetë edhe studim i fizibilitetit për rrugën Prizren–Tetovë dhe rregullimi kufitar të komunikacionit hekurudhor.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, përmes një postimi në Facebook.

Image

“11 marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Disa nga marrëveshjet: studim i fizibilitetit për rrugën ’Prizren–Tetovë’; bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale”, ka shkruar ai.

Mbledhja e dy qeverive është duke vazhduar, derisa pritet që përmes një ceremonie solemne të nënshkruhet marrëveshjet.

Image

Nis mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ka filluar mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.

Kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i uroi mirëseardhje kabinetit qeveritar nga Kosova.

Pas diskutimeve do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve, derisa në orën 13:30 do të mbahet konferenca e përbashkët për medie ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev.

Image

Kurti pritet nga Zaev me ceremoni të lartë shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Pas përshëndetjeve dhe prezantimeve të dy kabineteve qeveritare pritet të fillojë mbledhja, ku do të nënshkruhet disa marrëveshje bilaterale.

Paraprakisht do të ketë një takim ndërmjet dy kryeministrave, ndërsa në orën 11:30 do të fillojë mbledhja e qeverive.

Image

Në orën 12:30 do të jetë ceremonia e nënshkrimeve të marrëveshjeve, ndërsa në orën 13:30 do të mbahet konferenca për medie e kryeministrave Kurti-Zaev.

Me ceremoni zyrtare fillon seanca e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ka filluar ceremonia e pritjes zyrtare të Qeverisë së Kosovës nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku sot të dy qeveritë do të mbajnë mbledhje të përbashkët.

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga ministrat e Qeverisë së Kosovës, janë pritur nga Zoran Zaevi dhe kabineti i tij qeveritar.

Siç njoftuan dje nga Qeveria e RMV-së, në këtë seancë pritet nënshkrimi i marrëveshjeve nga sfera e infrastrukturës, energjetikës, ekonomisë, turizmit dhe sigurisë, inovacionit teknologjik si dhe marrëveshje për diasporën.

Pas përfundimit të seancës, kryeministrat Zoran Zaev dhe Albin Kurti do të mbajnë konferencë për shtyp me fillim prej orës 13:30.

Kurti e Zaev pa maska – Thyjen rregullat antiCovid

Pas intonimit te himneve të të dyja shteteve, dhe pas parakalimit para gardës kombëtare të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, kanë përshëndetur ministrat e tyre.

Image

Përshëndetjen, ashtu siç e bënë edhe ministrat në fillim, e bënë edhe kta, pa respektuar masat antiCOVID, duke shtrënguar duart. Por tek të dy kryeministrat, u vërejt edhe mosmbajtja e maskës, edhe kjo një nga masat kryesore antiCOVID.

Përveç këtyre masave në këtë ceremoni u vërejt se nuk është respektuar as distanca sociale.

Pas pak, fillon mbkedhja e të dy qeverive, ku pritet për nënshkrim të marrëveshjeve për bashkëpunim mes të dyja vendeve.

Ministrat e Kosovës priten nga homologët e tyre në Shkup, shkelet masa kryesore antiCovid

Sapo ka filluar ceremonia e pritjes së Qeverisë së Kosocvës nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku sot të dy qeveritë do të mbajnë mbledhje të përbashkët.

Pak pa arritë kryeministrat, siq e do zakonit, ministrat e të dy shteteve janë përshëndetur njëri me tjetrin, teksa kanë shkelur masën e parë anti-COVID. Ata kanë shtrenguar duart derisa kanë zënë vendet e tyre.

Pas pak pritet të arrijn ë edhe kreministri Zaev dhe kryeministri Kurti, ku më pas edhe do të fillojë mbledhja e përbashkët.

Image

Ministrat e Kosovës priten nga homologët e tyre në Shkup

Në Shkup të Maqedonisë së Veriut kanë arritur ministrat e Qeverisë së Kosovës.

Ata janë pritur nga ministrat shqiptarë e maqedonas në prag të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Pas pak aty pritet që të arrijë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili do të pritet nga kreu i qeverisë maqedonase, Zoran Zaev.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut mblidhen në Shkup

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut sot do të mbajnë seancën e parë të përbashkët qeveritare në Shkup.

Kjo seancë do të drejtohet nga nikoqiri i takimit, kryeministri maqedonas Zoran Zaev bashkë me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti.

Për delegacion e Qeverisë së Kosovës do të ketë pritje protokollare në pikën kufitare në Bllacë nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë Bujar Osmani.

Më pas, Zaev do ta pres Kurtin me nderime të larta shtetërore.

Dy kryeministrat do të zhvillojnë edhe një takim, njëjtë sikurse takime do të ketë edhe mes ministrave të dy qeverive.

Gjatë takimit të përbashkët do të të nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme si në atë: të energjetikës, infrastrukturës, ekonomisë, turizmit, etj.

Në kuadër të kësaj, Zaev e Kurti do të kenë edhe një adresim për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat