Osmani: Investohuni në ne, e jo në stabilokraci

Aktuale

Osmani: Investohuni në ne, e jo në stabilokraci

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 11:43
Vjosa Osmani dhe Wolfgang Ischingei

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar në Berlin mbështetje më të fortë për Kosovën. Në ditën e dytë të takimeve të saj të mërkurën, ajo pati edhe një prezantim për publikun me ambasadorin, Wolfgang Ischinger.

Në ditën dytë të vizitës së parë zyrtare në Berlin, Vjosa Osmani u takua me ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, por dy institucionet i bënë të ditura temat e bisedës nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Patëm një bisedë të hollësishme për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dialogun me Serbinë. Me rëndësi është që Kosova të vijojë axhendën e reformave, Gjermania e mbështet atë plotësisht", bëri të ditur në rrjetin Twitter Ministria gjermane e Punëve të Jashtme.

Ndërsa presidentja Osmani e vuri theksin te lidhjet e forta të Kosovës me Gjermaninë:  "Në një shkëmbim dypalësh me ministrin gjerman Maas theksova se Kosova do të mbetet gjithmonë një partnere e besueshme e Gjermanisë, që vlerëson jo vetëm mbështetjen historike, por gjithashtu pret që të hapen kapituj të rinj bashkëpunimi".

Më parë, në drekë, Osmani kishte pasur një prezantim në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme, (DGAP) , moderuar nga eksperti për Ballkanin, Milan  Niç dhe në prani të ambasadorit gjerman, Wolfgang Ischinger 

Ballkani i Hapur rrezik për rajonin

Osmani bëri aty një panoramë të situatës aktuale në Kosovë, sfidat me reformat dhe përballjen e pandemisë. Kur erdhi puna te bashkëpunimi rajonal, ajo shfrytëzoi rastin ta kritikonte edhe një herë nismën Ballkani i Hapur: "Nuk  është vetëm e rrezikshme, por ajo po e vonon integrimin në rajon," tha Osmani. "Ajo kujtoi se tre shtete e kanë refuzuar, dhe se kjo nismë qysh në krye të herës nuk ishte bërë për të përfshirë Kosovën: 

"Kjo nismë që është nisur në Novi Sad të Serbisë, nuk ka pasur kurrë ndër mend të përfshijë Kosovën", tha Osmani. Ajo shtoi rëndësinë e Procesit të Berlinit për integrimin e Kosovës në BE. 

Image
Wolfgang Ischinger, Milan Nič dhe Vjosa Osmani ne Këshillin Gjerman per Marrëdhënie me Jashtë.

 

"Sa i përket dialogut me Serbinë, si unë, ashtu edhe kryeministri i Kosovës kanë thënë se ne kurrë nuk do të pranojmë të negociojmë integritetin territorial të Kosovës e të lejojmë të krijohet një Republika Srpska e dytë në rajon". Osmani tha, se "ka vetëm një zgjidhje që do të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon: Dhe kjo është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë".

Jo Republika Srspka në Kosovë

Ajo u shpreh edhe një herë kundër krijimit të një Asociacioni të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive për Kosovën, siç është pjesë e marrëveshjes së negociuar në vitin 2015 në Bruksel, duke kujtuar se kështu ka filluar edhe Republika Srspka në Bosnjë Hercegovinë, dhe se një konstrukt i tillë është jo vetëm kundër kushtetutës së Kosovës, por edhe kundër vlerave demokratike.

Ajo  i bëri thirrje Gjermanisë dhe BE-së që ta mbështesë më shumë Kosovën::"Mos u investoni vetëm në stabilokraci, siç e keni bërë për 30 vjet, por investohuni në demokraci dhe vlera demokratike", tha Osmani, duke pasur parasysh sidomos mbështetjen që i bën Gjermania presidentit të Serbisë, Alexandar Vuçiç. 

Image
Merkel ia ka bërë të gjatë Alexandar Vuçiqit se nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën, thotë ambasadori Ischinger. Angela Merkel, më 13 shtator 2021, në Beograd.

 

Wolfgang Ischinger, diplomat me një karrierë të gjatë të lidhur me Ballkanin dhe deri para pak kohësh drejtues i Konferencës së Sigurisë në Mynih, kujtoi se në diplomaci shumë shpesh  më të rëndësishme janë faktet se perceptimet. Ai tha se Kosova duhet të jetë më aktive me nisma të veta, e të mos krijojë përshtypjen sikur nuk është e interesuar në një zgjidhje: "Koha është një instrument shumë i rëndësishëm i diplomacisë: Nuk ka në diplomaci asgjë të pamundur dhe çdo gjë është e mundshme", tha Ischinger, duke kujtuar, se "Serbia ka më shumë kohë se Kosova për të zgjidhur marrëdhëniet me Kosovën dhe se Kosova është në pozitë më të pafavorshme. 

Serbia e di që duhet të njohë Kosovën

Ischinger kujtoi edhe një element tjetër të diplomacisë, duke sqaruar kështu politikën gjermane ndaj Serbisë: Mbështetja në publik nga njëra anë dhe kritika dhe kërkesa të qarta nga ana tjetër. Kështu vepron edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, me Alexandar Vucic, tha Ischinger. "Ajo ia ka bërë të qartë atij se pa e zgjidhur konfliktin me Kosovën, pra, pa e njohur Serbinë, nuk do të hyjë në BE". Ischinger tha se kjo politikë do të mbetet edhe pas zgjedhjeve në Gjermani, më 26 shtator. 

Në ditën e tretë të vizitës në Berlin, Vjosa Osmani do të takohet në pasdite me përfaqësues të biznesit gjerman ku do të promovojë për më shumë investime në Kosovë. Të martën presidentja e Kosovës u prit nga homologu i saj gjerman Frank-Walter Steinmeier. /DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat