“Njeriu është vrarë në ballkonin e shtëpisë së vet”/ Bahtiri e akuzon PDK-në për bandat kriminale në Mitrovicë

Aktuale

“Njeriu është vrarë në ballkonin e shtëpisë së vet”/ Bahtiri e akuzon PDK-në për bandat kriminale në Mitrovicë

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 00:03
Agim Bahtiri

Kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili po synon mandatin e tretë për të qenë në krye të kësaj komune ka folur rreth grupeve të organizuara kriminale që thotë të kenë ekzistuar në Mitrovicë në kohën kur kjo komunë po qeverisej nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai në emisionin “Context” foli për kohën kur ishte sulmuar fizikisht nga një 25-vjeçar në vitin 2015-të dhe dha detaje për një sulm me automatik ndaj objektit të komunës, gjersa shtoi se ende vazhdon të marrë kërcënime verbale por edhe në rrjetet sociale.

“Kam pasur kërcënime, edhe n’Facebook edhe verbale. Hetuesia dhe policia është në ndjekje, ka marrë pak masa, por s’ka zbulu ende. A e dini ju që mu ka gju mua komuna me automat? Janë ardhur Policia nga Prishtina, por a u zbulua kush? A u dënua kush? Janë ardhur dhe më kanë sulmuar fizikisht, a u dënua kush? (…) Po iu tregoj, kjo ka ndodhur më 2014-ën, nuk është zbuluar asnjëherë,” – u shpreh Bahtiri.

Tutje, ai tregoi se në kohën kur e kishte marrë nën qeverisje Mitrovicën kishte hasur në probleme të shumta me ‘haraqin’ dhe me mungesën e zhvillimit të një demokracie të vërtetë.

Bahtiri për këtë e ka hedhur fajin tek Qeverisja e kaluar pasi që, sipas tij, kush ka guxuar ta ngrejë zërin kundër qeverisjes së asaj kohe, ose ka përfunduar në spital, ose në arkivol.

“Ju them unë se çka ka qenë në Mitrovicë për arsye se çdo njeri që ka guxuar ta ngritë zërin kundër qeverisjes, atë ose e kanë rrahur shumë dhe ju e dini që njeriu është vrarë në ballkonin e shtëpisë së vet e ende nuk është zbuluar se kush e ka varë atë njeri,” – tha Bahtiri gjersa shtoi se Mitrovica ka ende nevojë për një zot shtëpie.

“Unë po e them me fakte, bizneset kanë qenë të uzurpuara, të shantazhuara dhe ishte një largim i intelektualëve nga Mitrovica, thua se është një tokë e ndezur në Mitrovicë. Mitrovicës i vyente një njeri i cili është zot shtëpie dhe ende i vyen të jetë zot shtëpie.(…) Para ardhjes time kanë qenë në funksion kontrabanda të fuqishme të kriminelëve të cilët gjuheshin me automat brenda qytetit për hesapet e veta personale, grupore, partiake,” – tha ai.

Pas kësaj deklaratë, atij iu kërkua nga Pozhari që të jetë më konkret se për kë e ka fjalën.

“Për grupe që kanë bërë kontrabandë të fuqishme, për të cilët asnjëherë nuk ngrihej zëri nga Partia Demokratike (PDK) për t’i shuar ato, për t’i bllokuar ato. (…) Po sigurisht, si të heshtë, është përkrahje.” – u përgjigj Bahtiri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat