Osmani takon Lajçak: Dialogu të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë-Serbi

Aktuale

Osmani takon Lajçak: Dialogu të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë-Serbi

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 07:19
Miroslav Lajçak dhe Vjosa Osmani

(E plotësuar 15:37) - Presidentja Vjosa Osmani, deklaroi sot se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të vazhdojnë dialogun, i cili duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, pa prekur rendin kushtetues dhe territorin e vendit tonë.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me të cilin diskutoi për procesin e dialogut me Serbinë.

Osmani potencoi se Republika e Kosovës është pala konstruktive në dialog, e cila është duke ofruar propozime konkrete në këtë proces, dhe e cila i ka zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani, për dallim nga Serbia e cila nuk respekton marrëveshjet e arritura me Republikën e Kosovës.

Lajçak tha se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj të brendshëm.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Malin e Zi, por edhe në Bosnje e Hercegovinë, presidentja Osmani ngriti shqetësimin e saj për ndërhyrjen e Serbisë në çështje të rregullimit të brendshëm të vendeve fqinje, gjë që po shkakton trazira dhe një valë të re jo stabiliteti në rajon.

Ajo potencoi që Kosova ka qenë vazhdimisht pre e tendencave të tilla për destabilizim, por fakti që diçka e ngjashme po ndodhë tashmë edhe në vendet për rreth, është thirrje për nevojën për reagim të menjëhershëm të Bashkimit Evropian në drejtim të dënimit dhe parandalimit të zhvillimeve të tilla.

Në këtë takim, presidentja Osmani përmendi po ashtu edhe procesin e liberalizimit të vizave.

"Perceptimi i qytetarëve të Kosovës për dialogun është i ndërlidhur ngushtë me vendosmërinë e BE-së që të krijojë perspektivë të qartë integruese. Për më tepër, liberalizimi i vizave për Kosovën është jetik sa i përket kredibilitetit të BE-së”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani takohet me Lajçak-un

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në ditën e tretë të vizitës në Kosovës është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani në zyrën e saj.

Lajçak  po qëndron në Kosovë në përpjekje për të përafruar qëndrimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat në takimin e fundit, ishin shumë larg.

Lajçak është takuar gjatë qëndrimit në Kosovë edhe me përfaqësues të partive politike nga pozita dhe opozita. Nga Kosova ai udhëton për në Beograd. 

Image

Osmani takohet me Lajçak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot në ora 10:10 do të ketë takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Takimi do të mbahet në Kabinetin e Presidentes.

Për ta përcjell këtë takim, gazetarët janë të obliguar të dëshmojnë se janë vaksinuar, në të kundërtën nuk do të lejohen.

Kujtojmë se Lajçak vizitën në Kosovë e ka filluar të mërkurën, ndërsa ka takuar kryeministrin Albin Kurti, kryekuvendarin, Glauk Konjufca, partitë politike dhe përfaqësuesit e bizneseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat