A e refuzoi Qeveria projektin e gazpërçuesit?

Aktuale

A e refuzoi Qeveria projektin e gazpërçuesit?

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 22:15
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës i ka mohuar raportimet se e ka refuzuar projektin amerikan të gazpërçuesit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se nuk ka asgjë të re sa i përket gazpërçuesit që lidh Kosovën me Greqinë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Jo, nuk është e vërtetë. Nuk ka asgjë të re që nga konferenca për media të cilën e ka mbajtur sot Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku i ka sqaruar të gjitha detajet rreth çështjes”, ka thënë Kryeziu.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka sqaruar se ky plan nuk e sjell gazin amerikan në Kosovë, por vetëm e ndërton infrastrukturën për gazin natyror.

“Po flitet për gazin amerikan, jemi duke folur për ndërtim të infrastrukturës dhe në këtë rast është opsioni i ndërtimit të gazsjellësit. Nuk jemi duke folur për gaz amerikan apo ndonjë shteti por jemi duke folur për mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës për sjelljen e gazit nga Greqia, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut”.

Rizvanolli tha se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ende vendim pasi nuk dihet kostoja totale e projektit, edhe pse Korporata Amerikane e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) tashmë ka kryer studim fizibiliteti dhe ka ndarë 200 milionë dollarë.

“Strategjia e energjisë, në infrastrukturë të gazit, siç e kemi thënë prej fillimit të mandatit, qëllimi ynë është që vendimet qe i marrim në energji të jenë mirë të informuara dhe në këtë sektor, konsiderojmë që është e rëndësishme t’i kemi informata më të sakta”.

Ka gjasa që projekti që përfshin tubacionin dhe termocentralin e gazit të kushtojë rreth 600 milionë euro dhe shumica të financohet nga MCC, Banka Evropiane për Zhvillim dhe nga Korniza e investimeve në Balkanin Perëndimor.

Megjithatë, Rizvanolli tha se Kosovës mund t’i bie të shpenzojë mjaft para edhe më pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat