Krerët institucionalë aktivë në samite dhe forume ndërkombëtare, por pa rezultate të mëdha

Aktuale

Krerët institucionalë aktivë në samite dhe forume ndërkombëtare, por pa rezultate të mëdha

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 09:52
Vjosa Osmani

Vizitat bilaterale dhe pjesëmarrjet në samite dhe forume ndërkombëtare nuk iu munguan krerëve institucionalë gjatë këtij viti. Ani pse shihen si pozitive dhe të rëndësishme në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, vlerësohet se munguan rezultatet konkrete, veçmas në lobimin për liberalizimin e vizave.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë për Kp se pavarësisht rëndësisë së pjesëmarrjes në arenën ndërkombëtare, krerët institucionalë duhet të fokusohen edhe në arritjen e rezultateve nga çdo takim.

Sipas tij, përveç presidentes Vjosa Osmani që arriti një rezultat për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë me shtetin e Zvicrës, nuk ka parë diçka të prekshme nga vizitat dhe pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në forumet ndërkombëtare.

Arifi: Duhet të ketë rezultate konkrete në arenën ndërkombëtare

“Duhet pasur parasysh se duhet të ketë rezultate nga çdo takim. Sa e di unë vetëm presidentja e ka arritur një rezultat të vogël, ku do të nënshkruhet një marrëveshje për tregti të lirë me shtetin e Zvicrës. Ky është një hap shumë i madh pozitiv kurdo që të arrihet. Ndërsa sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, kryeministri ende nuk e ka arritur atë qëllim, ai duhet të jetë shumë më aktiv, agresiv në politikën e jashtme që vizat mos të jenë më kushtëzim”, thotë ai.

Krahas kësaj, profesori universitar apelon tek institucionet që të fokusohet në takimet multilaterale në forumet ndërkombëtare, pasi sipas tij në këtë formë fuqizohet pozita e Kosovës.

Arifi: Të kultivohet politika multilaterale

“Çdo përfaqësim i nivelit të tillë si kryeministri dhe presidentja është nivel shumë i mirë se e përfaqëson shtetin e Kosovës, mirëpo duhet të ketë kujdes, sepse duhet jemi edhe më shumë prezentë dhe ta kultivojmë politikën multilaterale, aleatët tanë duhet t’i kyçim më shumë në politikën e Kosovës”, thotë ai.

Por, pjesëmarrjen e krerëve institucionalë në forume dhe samite ndërkombëtare po e sheh si shumë të rëndësishme, njohësi i integrimeve ndërkombëtare, Demush Shasha.

Shasha: Kosova ta fuqizojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare

“Është shumë e rëndësishme që Kosova të fuqizojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare, qoftë përmes forumeve të ndryshmeve, takimeve bilaterale, multilaterale edhe tjera. Është shumë e mirëseardhur që tani Kosova mund të shërbejë si storie e suksesit në kuptimin e ndryshimeve që kanë ndodhur. Në këtë drejtim duhet gjykuar edhe pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti (Forumin e Bledit-Slloveni), i cili pa marrë parasysh cilit krahut politik i takon ishte një përfaqësim i mirë”, thotë Shasha.

Së fundmi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në forumin e Bledit në Slloveni, ku pjesëmarrës ishin liderët evropianë dhe krerët rajonalë.

Më herët kreu i qeverisë mori pjesë edhe në Samtin e Tiranës, po ashtu ishte edhe pjesëmarrës në një samit në Greqi. Derisa ka pasur takime bilaterale me krerët kryesor të BE-së, Belgjikës dhe është pritur në një takim zyrtar në Francë nga presidenti Emmanuel Macron.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në samitin e Bërdo-Brijonit në Slloveni, teksa ka pasur takime bilaterale me krerët shtetërorë në Zvicër, Estoni, Japoni dhe Gjermani.

Në vizita jashtë shtetit të Kosovës aktiv ka qenë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u takua me homologun e tij, po ashtu edhe zhvilloi vizitë edhe në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat