Dukuri shqetësuese në vend vazhdon të jetë numri i vrasjeve.
Vetëm për tetë muaj në Kosovë kanë ndodhur 19 të tilla.
Prej tyre shtatë kanë qenë të raportuara nga neni 172* vrasja, dhe 12 nga neni 173* vrasja e rëndë.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Policia e Kosovës, në një përgjigje.
Ndërsa, për këtë periudhë kohore janë konfiskuar 834 armë të llojeve të ndryshme dhe 20 mijë e 525 mijë fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Të pyetur se cilat janë motivet e këtyre vrasjeve në Policinë e Kosovës, pa dashur të japin më shumë detaje kanë bërë të ditur se janë të motiveve të ndryshme.
“Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë. Disa raste te vrasjeve janë me kryes të njohur, kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia në bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sipas të dhënave të Policisë, në vitin 2020 në Kosovë janë vrarë 27 persona.
Kurse, janë konfiskuar një mijë e 135 armë të llojeve të ndryshme dhe 32 mijë e 747 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Por, numër më i vogël i vrasjeve është regjistruar në vitin 2019.
20 vrasje sipas Policisë, kanë ndodhur në vitin 2019, derisa janë konfiskuar një mijë e 439 armë të llojeve të ndryshme dhe 30 mijë e 438 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në statistikat e Policisë, të dërguara në vitin 2018 janë vrarë 34 persona, në vitin 2017 kanë qenë gjithsej 24, kurse në vitin 2016 janë vrarë 30 persona.
Vrasja e fundit në Kosovë ka ndodhur pikërisht në Gjilan mbrëmjen e së dielës.
Një person i moshës 50 vjeç nga Bujanoci është qëlluar me armë zjarri i cili ishte duke pire kafe në një kafiteri.
Para kësaj, janë vrarë edhe dy zyrtarë të PDK-së, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj.
Por, vrasja që tronditi mbarë vendin është vrasja e 18 vjeçarës nga Ferizaj Marigona Osmani pasditen e së dielës së 22 gushtit, që dyshohet se u shkaktua nga dhuna që ushtroi partneri i saj, Dardan Krivaqa.