“Situata është e qetë”, ministri Sveçla flet për gjendjen në Jarinje, publikon vendimin për targat

Aktuale

“Situata është e qetë”, ministri Sveçla flet për gjendjen në Jarinje, publikon vendimin për targat

Nga: G.B Më: 20 shtator 2021 Në ora: 08:49
Tabelat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se MPB bashkë me Policinë, po kryejnë veprime në të gjitha pikat kufitare, për zbatimin e marrëveshjes për targat e automjeteve.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se MPB ka nxjerrë vendimin për pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se që nga 15 shtatori nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe targat e vetme janë “RKS”.

Ministri ka thënë se gjendja është e qetë dhe policia po i merr masat e nevojshme operative dhe logjistike.

Postimi i plotë në Facebook:

Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të zakonshme si dhe me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues, është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare. Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve.

Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare.

Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”.

Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat