Përfundon seanca e Kuvendit/ Kurti deklarohet për reciprocitetin e targave

Aktuale

Përfundon seanca e Kuvendit/ Kurti deklarohet për reciprocitetin e targave

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 10:56
Albin Kurti

(E plotësuar 14:32) - ​​Kuvendi I Kosovës ka formuar Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 8 (tetë) anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe 1 (një) anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së, I cili do të drejtohet nga deputeti i LDK-së, Armend Muja,

Në këtë Komision, LVV do t’i ketë pesë përfaqësues për këtë Komision, Armend Muja, nënkryetar, anëtare Doarsa Kica, Saranda Bogujevci, Ardian Gola dhe Fitim Uka.

Po ashtu dy anëtarë të Komisioni do të jenë nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe Blerta Deliu,

Ndërsa, LDK do ta udhëheq këtë Komision, më në krye Armend Zemaj. Nga AAK do të jetë Albana Bytyqi.

Më ketë votim, kuvendi ka mbyllur punimet e seancës sotme ku pati përplasje të shumta në mes të deputetëve nga pozita dhe opozita.

***

Në Kuvend është miratuar në parim Projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Projektligji i parë mori 77 vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ndërsa, projektligj mori 71 vota të deputetëve.

Për rekomandim e Projektligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit kërkoi edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Adnan Rrustemi, i cili tha se agjencisë do t’i jap të drejtë të bëjë hetime dhe në përhedhje të drejtorit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se ky Projektligj është nisur nga Qeverisja e PDK-së, teksa tha se mbështesin si të tillë.

Sot po shqyrtojmë Projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit dhe mos të harrojmë edhe ky projektligj është nder projektligjet që janë nisur nga qeverisja e PDK dhe për fatkeq kjo Qeveri asnjëherë nuk e ka ndryshuar pikë e as presje. Ky projektligj do të rriten kompetencat e Agjencisë anti-korrupsion dhe do të ketë të drejtën e hartimeve. Këtë projektligj si në komision ne e kemi përkrahur ku edhe sot do ta përkrahim”, tha ajo.

Pro këtij projektligji është shprehur edhe LDK-ja. Ndërkaq nga AAK-ja nuk ishte asnjë deputet.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 8 (tetë) anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe 1 (një) anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së.

Anëtarët nga PDK-ja janë Mërgim Lushtaku nga PDK, Armend Zemaj nga LDK,ndërsa Albana Bytyçi nga AAK-ja.

VV-ja në këtë komision përbëhet me Armend Muja, Fitim Uka, Daorsa Kica, Ardian Gola

Ky komision u vota me 63 vota për, e asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për diskutimet rreth ndërtimit të infrastrukturës në Kosovë për gazin amerikan, i cili parashihet të vjen nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut.

Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se për vendime të tilla që definojnë sektorin e energjisë për gjeneratat e ardhshme duhet kujdes dhe analizë të gjithave rrethanave. Sipas tij, janë mbajtur rreth 10 takime dhe punëtori me MCC-në amerikane për të parë modalitetet për implementimin e të njëjtit.

Kurti: Vendime të tilla definojnë sektorin e energjisë për gjenerata të ardhshme

Në mbi 10 dhjetë takime dhe punëtori të mbajtura gjatë kësaj periudhë me MCC kemi diskutuar në detaje për dizajnimin e projektet përmes të cilit do të përkrahje pjesërisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit, por edhe për opsione të tjera siç janë investimi në kapacitetet e shpërndarjes dhe akumuluese në zhvillim të shkathtësive. Në gjitha këto takime ne kemi shtruar pyetje dhe kemi diskutuar analizën preliminare të investimit. Në veçanti se cila do të ishte kosto totale, çfarë pjesë do të ishte garant dhe sa duhet të marrim kredi si shtet. Kush do të operonte dhe ndërtonte Termocentralin, çfarë kushte dhe çfarë implikime do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi dhe tarifat që do t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Vendime të tilla definojnë sektorin e energjisë për gjenerata të ardhshme, prandaj ne jemi të përkushtuar t’i marrim të gjitha të dhënat që të marrim vendime të duhura...Për neve kjo nuk është vonesë, kujt i duket vonesë le ta kuptojë se është përgjegjësi dhe seriozitet. Nuk merren kuturu dhe shpejt e shpejt vendimet kaq të mëdha”, tha ai.

Kreu qeveritar tha se nuk ka asnjë vonesë lidhur me këtë çështje dhe se nuk rrezikohet asnjë fond, derisa shtoi se raportimet për gazin rus përmes Serbisë janë të pavërteta.

Kurti: Fondet nuk rrezikohen, më shumë rrezikojmë nëse marrim vendim pa analizë

Kur po flasim për ndërtim të infrastrukturës në bashkëpunim me MCC-në, nuk jemi duke folur thjesht për gaz amerikan, por thjesht për ndërtim të infrastrukturës. Nëse do të ndërtonim një termocentral me gaz operatorët do të blinte në treg të ri gazin. Mund të jetë amerikan, por s’është e thënë. Të gjithë këta faktorë të shumtë po i marrim parasysh. Po ashtu duhet theksuar se kjo s’ka të bëjë me kërkesë të akterëve amerikan, MCC është organizatë amerikane e cila është duke përkrahur sektorin e energjisë në Kosovë, ne jemi duke falënderuar për këtë gjë dhe jemi mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm... Sa i përket ndërtimit të gazsjellësit përmes Serbisë aty nuk ka asgjë të vërtet. Ndërsa fondet që do të jenë nuk do të rrezikohen. Nuk do të rrezikojmë asgjë, më shumë rrezikojmë nëse marrim vendim pa analiza dhe studim të mirëfilltë paraprak”, shtoi Kurti.

Këtë qëndrim Kurti e shprehu pas pyetjeve të deputetit, njëherësh kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 77 vota pro kanë miratuar projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj.

I njëjti u konsiderua i rëndësishëm nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se rregullon statusin juridik të shtetasve të huaj.

Megjithëse u kritikua nga opozita qëndrimi i mëhershëm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje për MSA-në nga rrjedh ky projektligj, të njëjtit e përkrahën atë.

***

Përplasen ashpër Krasniqi dhe Bislimi për arkivat

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot në kuvend ka sqaruar deklaratën e tij të më hershme për arkivat, pasi po e ndien veten siç tha ai të kërcënuar, sidomos nga drejtues të PDK-së.

Ndonëse, Bisilimi pretendon se qëndrimi i tij për arkivat fillimisht është në interes të Kosovës.

Madje, Bisilimi në fjalimin e tij, kryetarin e ri të PDK-së, Memli Krasniqi e ka quajtur të përkohshëm, e Vlora Çitakun kryetare të ardhshme.

Bislimi: Memli Krasniqi si kryetar i përkohshëm ka nis një valë tmerrshme të sulmeve ndaj meje

Më datën 9 shator kam mbajtur një konferencë për media në ambientet e qeverisë së Kosovës ku mes tjerash kam deklaruar sa vijon: Pala serbe të paktën deklarativisht ka thënë se janë dakord të hapin të gjitha arkivat, sipas tyre kjo nënkupton të hapen edhe arkivat shtetërore që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Mendoj, se kjo fillimisht është në interes tonin për arsye se shumica e varrezave masive ku pretendohet të jenë në varreza që në informata kanë kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë. Kjo ka qenë deklarata ime. Pas kësaj deklarate një mori liderësh politik të PDK-së, duke filluar nga kryetari i tanishëm dhe i përkohshëm, Memli Krasniqi, kryetarja e ardhshme, Vlora Çitaku, Ganimete Musliu e të tjera kanë nisur… edhe Bekim Kamishi, se po të harroj ty, ka nis një valë të tmerrshme të sulmeve dhe shpifjeve, duke thënë se ne po hapim arkivat e UÇK-së. Si zëvendëskryeministër unë kam akses vetëm në arkivat shtetërore. Nuk kam akses në arkivat private”, tha ai.

Duke i reaguar kësaj deklarate të Bisilimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk ia ka përmend emrin asnjëherë zëvendëskryeministrit Bislimi, teksa e ka quajtur një korrier të kryeministrit Kurti dhe person të pa rëndësishëm.

Krasniqi: Ju jeni një korrier, ju kam injoruar, sepse nuk keni gjë në dorë

Zëvendëskryeministri Bislimi përdorni shumë terminologji të rëndë kur dilni në kuvend me fol, realisht nuk i takon dikujt që e konsideron veten profesor. Shpifjet i bëtë ju. Unë nuk jam marr me juve, sepse me gjithë respektin njerëzor, nuk iu konsideroj të rëndësishëm. Ju kam injoruar, sepse nuk mendoj që ju keni gjë në dorë. Ju jeni një kurrier i kryeministrit. Ju shpifët, se as emrin nuk ua kam përmend kurrë. Ishte një gënjeshtër, për çka nuk iu ka hije si profesor”, theksoi Krasniqi.

Por sërish zëvendëskryeministri Bislimi ka insistuar se kryeri Krasniqi e ka sulmuar dhe ia ka përmendur emrin në reagimin e tij më 9 shtator.

Bislimi: Qysh s’po të vjen marre me thënë nuk je marrë

Më 9 shtator 2021, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi i ka reaguar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se hapja e arkivave të UCK-së në këmbim të hapjes së atyre të Serbisë është në favor të Kosovës. E shenjt, e pastër, e përhershme, e paprekshme është UÇK-ja… Ti nuk je marrë me mua, a po thua, qysh s’po të vjen marre me thënë nuk je marrë. Memli Krasniqi, reagoj edhe faleminderit shumë për injorimin që ma keni bërë deri tash, ju uroj që të më injoroni edhe në të ardhmen. Për momentin më i rëndësishëm është edhe korrier i kryeministrit Kurti, se sa një kryetar i PDK-së”, tha ai.

Kritika ndaj zëvendëskryeministrit Bisilimi ka pasur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj: Bisilimi është ka i bën dëm shtetit të Kosovës

Diçka për Bislimin, se ky vërtet është një zyrtar i Qeverisë së vendit që është kah i bën shumë dëme kësaj qeverie, edhe këtij kryeministri, edhe vendit tonë me papjekurinë e tij. Nuk dyshoj se ka ndonjë qëllim të keq. Pyeti, se sa qeveri keni dhënë listat e hyrje daljeve, me thënë të drejtën kur kam qenë unë në qeveri nuk ka qenë fushatë, por s’kanë hyrë gati askush, sepse e patëm vendosur taksën 100 përqind”, tha ai. 

***

Kryeministri Kurti përplaset me Tahirin për UÇK-në

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është bërë temë e përplasjes së ashpër sot në Kuvend, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ishte ky i fundit që e konsideroi fatkeqësi dhe kompleks të Kurtit të qenit viktimë e Serbisë dhe jo luftëtarë dhe çlirimtar. Por një ndarje të tillë e kritikoi kryeparlamentari Glauk Konjfuca, derisa kreu qeveritar e mohoi të njëjtën.

Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit, tha se kryeministri Kurti është kryeministri i pari që po e bënë temë UÇK-në në Bruksel, e kjo sipas tij, është e dëmshme.

Tahiri: Kisha dashur të jesh luftëtar, por je viktimë dhe komplekset e tua s’mundesh me shëru kaq lehtë

Je kryeministri i parë i këtij vendi që fatkeqësisht e bëni temë UÇK, kjo është e dëmshme, kjo s’ka qenë asnjëherë. Hashim Thaçi si president i vendit nuk e ka pasur kompleks Serbinë sepse ka qenë fitimtarë i luftës, fatkeqësisht sot na udhëheqë një njeri që ka qenë viktima i atij regjimi. Unë kisha dashur me qenë luftëtar, por s’je fatkeqësisht. T’i komplekset tua nuk mundesh me i shëru kaq lehtë”, tha ai.

Por këtë, kreu qeveritar e quajti si dëshirë të tij dhe përpjekje për të përçarë, derisa i tha se ta pyet komandantët Sylejman Selimi dhe Rrustem Mustafa nëse ka qenë apo jo luftëtar i UÇK-së.

Kurti: A kam qenë luftëtar i UÇK-së pyetni Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën

Ju mund të vazhdoni të përpiqeni të përçani, por nuk ndahet populli siç doni ju. Prandaj ka votuar siç ka votuar në 14 shkurt të këtij viti. Nuk mund të përçani popullin në luftëtar të paepur dhe viktimave, në hierarkinë e vlerave tona nuk janë rend të parë. E dyta, a ka qenë Adem Demaçi UÇK, e nëse ka qenë, unë kam qenë sekretar i tij. E a kam qenë UÇK pyeti Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën”, shtoi ai.

Lidhur me deklaratat e deputetit Tahiri, u përfshi edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i cili i quajti të dëmshme dhe fyese për të gjitha viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Konjufca: Ky fjalor nuk duhet të jetë në gojën e deputetit të Kuvendit

Ndarja e asaj çfarë na ka ndodhur gjatë luftës, në viktimat të pavlera dhe luftëtarë me shumë vlera. Kjo asnjëherë nuk duhet të lejohet në Kuvendin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë në gojën e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Natyrisht kemi qenë edhe viktima të regjimit të Millosheviqit”, theksoi Konjufca.

Kryetarit të Kuvendit i reagoi shefi i grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se bashkëndjenë për gjitha viktimat dhe nuk e kishte në drejtim të fyerjes ndaj të tyre.

Tahiri: Nuk e thash në atë drejtim

Nuk e thash në atë drejtim, por thash se unë kisha dashtë që ky të jetë një çlirimtar luftëtar i lirisë, prandaj po e them prapë se nuk po e keqpërdori, Por bashkë ndjej me gjithë viktimat”, tha ai.

I menjëhershëm në reagim ishte sërish kryetari i Kuvendit, i cili tha se prej gjithë votuesve të PDK-së, deputeti Tahiri është i fundit që mund të fliste për UÇK-në.

Konjufca: I fundit që mund të flas për UÇK-në në PDK është Tahiri

Zotëri Tahiri s’pe di sa votues i ka PDK-ja por ti kishe me qenë i fundit që kishe me fol për vlerat e UÇK-së. Ka plotë në PDK që munden me kallxu”, deklaroi ai.

***

Ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia, ish-ministri Armend Zemaj dhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu kanë zhvilluar debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës.

Ish-ministri Armend Zemaj, tha se për faj të Qeverisë kanë vdekur 640 qytetare për pak ditë.

Zemaj më tej shtoi se Vitia është i vetmi mjek në Kosovë që nuk e ka veshur mantelin e bardhë.

640 qytetarë të kanë vdekur para syve, e ti del thua se e kemi nën kontroll këtë variant. Ka katër muaj që ky variant ka ardh në Kosovë, e ti del thua se s’ka virus. E ke zgjat orarin e qarkullimit, ke hapë totalisht klubet e natës”, tha Zemaj. 

E ministri Vitia tha se “Njëra ndër arsyet që nuk dua të merrem me juve, është se nuk keni kridibilitet. Asnjëherë nuk keni bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen”, tha Vitia.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se 10 vite iu deshën Vitisë që ta përfundojë fakultetin.

***

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se pse ka marrë vendim sot për reciprocitetin për tabelat e veturave me shtetin e Serbisë.

Në seancën e Kuvendit, Gashi tha se paraprakisht është dashur të ketë fushatë vetëdijesimi për zbatimin e kësaj mase.

Gashi: Pse sot e ndërmorët këtë masë dhe pse me njësi speciale

Pse sot zotëri kryeministër, pse me njësi speciale. A ka pas ndonjë fushatë vetëdijesimi a është dashur me ditë, ju përgëzojë për lumturinë të nderuar deputetë, por qytetarët e këtij vendi qofshin të komuniteteve duhet të dinë pse po merret një vendim dhe cilat janë pasojat. Por, show që bëri këtë kryeministri është thjesht një show që është bërë edhe nga ish kryeministri Thaçi”, tha ai.

***

Kurti: Pyetni Sylejman Selimin e Rrustem Mustafën, se a kam qenë unë në UÇK

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit, i cili e kritikoi për qëndrimet e Qeverisë së tij për hapjen e arkivave të UÇK-së.

“Deklarata e UÇK-së është lënë jashtë Kushtetutës së Pavarësisë së Kosovës. Ju mund të keni dëshirë që të kem komplekse nga kjo punë, por për besë nuk kam. Mos u fshihni pas Preshevës që të kërkoni prej meje mos të sillem si shtet. Në Kurti 1 kemi ndarë fond 500 mijë euro. Çfarëdo dëmi që do të kenë nga zbatimi i masave qytetarët atje, ne do të gjejmë mënyra dhe mekanizma për t’i korrigjuar ato. Mos u brengosni as për këtë gjë”.

Tutje Kurti i është drejtuar deputetëve të PDK-së duke thënë që “nuk mund të përçani popullin i cili ka votuar më 14 shkurt”.

“S’mund ta përçani popullin me kinse unë jam kundër UÇK-së. Se a  kam qenë UÇK pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën – dy komandantat të tregojnë. Ama, pushoni me këtë idenë e përçarjes dhe ndarjes. Dëshirën e juaj mos ma përshkruani si fakt mua”, u shpreh Kurti.

Image

Vitia: Variantin Delta e ndalëm për dy muaj, në ShBA po vazhdon tash e katër muaj

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për procesin e vaksinimit në vend.

Vitia para deputetëve tha se falë masave të Qeverisë Kurti, varianti Delta krahasuar me shtet tjera, po shkon drejtë përmirësimit.

Madje ai bëri krahasim me ShBA-në, duke thënë se në këtë shtet ky variant po vazhdon ende kurse në Kosovë është ndalë për dy muaj.

Ka qenë një muaj e gjysmë shumë i vështirë, ku i ngushëlloj familjet e viktimave. Procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, ku procesi në Kosovë. Derën e hapur e keni në ministri sepse ky virus ka agresivitet shumë më te madh. Ka shumë deputetë që janë munduar ta dëmtojnë procesin dhe nuk kanë ofruar bashkëpunim”, tha ai.

Për herë re parë kemi remdesivirin që kanë qenë mungesë që nga fillimi i pandemisë. Fal masave po arrijmë që ta kalojmë variantin Delta, më shpejtë se dy muaj. Indisë më shumë se katër muajve, ShBA më shumë se tre muaj dhe po vazhdon akoma, njëjtë edhe në Mal të Zi”.

Qeveria Kurti po vazhdon ta ulë numrin e këtij varianti. Qeveria paraprake nuk është treguar e aftë, ku si pasojë e masave nuk ka arritur ti ulë numrat, ku nuk është ndërmarrë asnjë veprim e duke bërë që të rriten numrat e vdekjeve”, tha Vitia.

***

​​Kryeministri Kurti: Në nëntor do të shkoj në vizitë zyrtare në ShBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në muajin nëntor do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për vizitë zyrtare.

Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit se pse nuk ka shkuar në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, kreu qeveritar tha se nuk ka pasur synim të shkojë atje, rrjedhimisht edhe s’ka aplikuar për vizë.

Kurti: Në nëntor do të shkojë në ShBA

“Nuk kam aplikuar për vizë në ShBA, pasi nuk kam pasur synim që të shkojë në këtë, mirëpo në ShBA do të udhëtojë në ShBA. Pra bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë. E sa për miqësinë me presidentin Biden, ju e dini se unë jam kryetari i vetëm i një subjekti politik që e ka mbështetur paraprakisht dhe publikisht ndërsa ju të tjerët keni shikuar se kush po fiton. E unë dola publikisht edhe ju bëra thirrje shqiptaro amerikanëve dhe thash votoni presidentin Biden”, tha ai.

***

Tahiri: Hapja e arkivave skenar i keq i kryeministrit Kurti

Shefi grupit parlamentar të PDK-së, Ablerat Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimet e Qeverisë së tij për hapjen e arkivave të UÇK-së.

Deputeti Tahiri tha se kryeministri i Republikës në dialog duhet shkohet për njohje dhe ulëse në OKB dhe kurrsesi nuk mund të shkoni për ta redaktuar të vërtetën e historisë tonë si popull dhe si shtet.

Tahiri: Skenar i keq hapja e arkivave

“Ndonëse qeveria jonë është e pavëmendshme dhe e pavedijshme, një skenar I tillë, dhe një agjendë kudër të vërtetesës së luftës sonë, është evidente dhe sa herë e më shumë aktive. Natyrisht se fjala është për pretendimet rreth arkivave të UÇK-së. Rreth kësaj teme nuk kam çka të flas, sepse kur nuk ka subjekt, nuk ka as trajtim. Por, megjithatë dua të flas për agjendën sit ë tillë. Të nderuar kolegë ju kujtohet dekorata e kryeministrit pas darkës me Borrelin, ku tha që Ballkani perëndimor duhet të çlirohet nga kriminelët e luftës”, tha ai. 

***

​Haradinaj ka një pyetje për Kurtin

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Hardinaj ka vazhduar pyetjet për kryeministrin, Albin Kurti, lidhur me një zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ai ka thënë se në ish qeverisjen e tij, tre ish deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë ministri gjithmonë kanë pyetur për Nexhat Krasniqin, apo siç thotë “babën e tenderëve”, derisa sot heshtin. Hardinaj ka pyetur se a ka ndryshuar ai, apo kryeministri dhe ministrat janë bërë më të këqij se i njëjti.

Haradinaj: Kryeministër dhe tre ministrat e juaj jeni më të këqij se Nexhati

“A e dini ju për Nexhat Krasniqin që me kanë pyet tre ministrat e juaj, a është ende kryekriminel dhe baba i tenderëve, apo është i mirë ai, apo ju kryeministër dhe tre ministrat e juaj jeni më të këqij se Nexhati”, tha ai.

Krahas kësaj, ai i bëri pyetje edhe dy deputetëve të LVV-së për qëndrimin e ministrit Liburn Aliu në Beograd.

Haradinaj: Qysh ka kaluar Liburni në Beograd, çka është puna e këtij korridorit të hekurudhave

“Edhe një pyetje tjetër, por këtë e kemi për dy shokë të mi, Fatmir Humollin dhe Gani Krasniqin. Qysh ka kaluar Liburni në Beograd, çka është puna e këtij korridorit të hekurudhave si diçka e re”, shtoi Haradinaj.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për vendimin e vendosjes së tabelave të përkohshme RKS për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera, e sidomos nga Serbia.

“Nga data 15 shtator Republika e Kosovës ka ndërprerë dhënien e tabelave KS. Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë për marrëveshjen e lëvizjes së lirë, MPB sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se pavarësisht se çfarë nacionaliteti janë poseduesit e automjeteve me tabela jovalide ato po konfiskohen .

“Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme . Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur 2011 për lëvizje të lirë, që nga ajo kohë Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se veprimet e ndërmarra sot nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serb apo të provokojnë ndonjë destabilizim.

“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serb, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serb apo të provokojnë çfarë do destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti.

Ai kërkoi nga qytetarët serb të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë pa shqetësime e brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë. 

​Zemaj-Kurtit: Kryeministër shkarkoje ministrin Vitia dhe kërko falje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti ta shkarkojë ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ish-ministri i Shëndetësisë në seancën e parë të Kuvendit në sesionin vjeshtor, tha se ministri Vitia ia ka ikur përgjegjësisë dhe është treguar skandaloz në menaxhimin e pandemisë COVID 19.

Zemaj: Kryeministër shkarkoje ministrin Vitia dhe kërko falje

“Njerëzit e papërgjegjshëm nuk mund ta pranojnë përgjegjësinë, ky ministër i shëndetësisë u tregua shumë i papërgjegjshëm, nuk e pranoi përgjegjësinë, por e pranoi gabimin. E gabimi kushton, këtë gabim do të duhej ta merrte për bazë edhe vetë kryeministri me shkarkimin e këtij ministri të shëndetësisë që u tregua skandaloz në rajon dhe mbarë Evropën. E bëri Kosovën vendin më të tmerrshëm në ranglistat botërore në listat e zeza duke shndërruar Kosovën me 40 minutësh të vdekjeve dhe pa asnjë fije dyshimi u zhduk në javën kryesore dhe të rëndë ku kishim 36 vdekje të qytetarëve.... i nderuar kryeministër ky ministër është treguar i papërgjegjshëm dhe duhet ta shkarkoni dhe të kërkoni falje publike neve dhe gjithë familjarëve që kanë humbur jetën nga masat dhe mos mbikëqyrja e masave”, tha ai.

***

Krasniqi me akuza ndaj Qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës sërish ka ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe udhëheqësit e opozitës që të bëhen në një front të përbashkët për menaxhimin e pandemisë e cila po vazhdon të marrë jetën e qindra kosovarëve gjatë një jave.

Krasniqi tha se kryeministri Kurti nuk iu përgjigj fare në letrën e dërguar javë më parë përmes së cilës i ka ofruar bashkëpunim në menaxhimin e tragjedisë me pandeminë.

Ai tha se përballë këtij refuzimi e mos reflektimi në këto rrethana, gjërave duhet t’iu vëmë emrin e tyre përkatës.

“Për punë të mbara nuk mjaftojnë uratat, por kërkohet angazhim, reflektim dhe përgjegjësi. Pikërisht këto cilësi që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo Qeveri. Një Qeveri e mirë do ta kishte shtruar këtë çështje në rrafsh të bashkëpunimit e jo në çështje politike. Unë i ofrova bashkëpunim Kurtit për gjendjen e rënduar që kaluam për dy muaj. Por pashë një refuzim. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë. Përballë këtij refuzimi, gjërave duhet t’ua vejmë emrin. Keq-menaxhimi i Qeverisë për gjendjen e rënduar që kaluam, keqadministrim i kësaj Qeverie që jemi gati të fundit në vaksinim. Qeveria i hapi dasmat e ahenget për të na mbyllur shkollat e çerdhet”, deklaroi Krasniqi.

Deklarata e plotë e Krasniqit në Kuvend:

Meqenëse është seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, që në fillim dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë të gjithëve, në agjendën që kemi para vetës si deputetë.

Por, meqë është seanca e parë pas një periudhe pushimi që ishte periudhe tragjike për jetën e qindra qytetarëve tanë në ballafaqim me pandeminë, për çka ju shpreh ngushellime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, nuk mund ta lë pa e thënë se për punë të mbara, nuk mjaftojnë uratat, as fjalët dhe as dëshirat.

Për punë të mbara, kërkohet reflektim, angazhim dhe ballafaqim me përgjegjësitë që kemi gjithsecili prej nesh.

Reflektim, angazhim e përgjegjësi, pikërisht këto anë, që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo qeveri gjatë kësaj periudhe.

Çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, një ballafaqim të tillë me rrethanat pandemike në të cilat gjendemi sot, do të duhej ta kishte shtruar në një rrafsh social e kombëtar, e kurrsesi jo në atë politik.

Në një rrafsh të bashkëpunimit, e jo të refuzimit.

Sepse pasojat tragjike dhe rrethanat e rënduara për qytetarët nga pandemia, nuk janë çështje politike. Janë çështje publike dhe emergjente.

Pushteti mund t’i takojë dikujt në një kohë të caktuar, por publikja na takon të gjithëve në çdo kohë, prandaj edhe kemi përgjegjësi për të, e rreth saj.

Pikërisht për shkak të kësaj përgjegjësie ndaj gjendjes së rëndë që kishim gjatë dy muajve të fundit, unë ju drejtova me një letër kryeministrit Kurti, për t’i ofruar bashkëpunimin tim dhe të PDK-së, madje duke ftuar edhe partitë tjera opozitare,
që të ulemi së bashku e të gjejmë mundësi dhe alternativë, për një përgjigje shumë më efikase ndaj rrethanave të rënduara.

Megjithëse isha në fille të drejtimit të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk doja të ndiqja shembullin që e ka vendosur vetë z. Kurti, duke krijuar ndasi politike për shkak të qëndrimeve partiake edhe për tema të rëndësisë nacionale, sepse një model të tillë e kemi parë dhe e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Një model i tillë, prodhon kriza, por nuk zgjidhë kurrfarë krize.

Prandaj përballë kësaj nevoje emergjente, unë pashë në drejtim të Kosovës, e jo vetëm në drejtim të partisë që e drejtoj.

Sepse, Kosova është emëruesi i përbashkët i të gjithë neve.

Prandaj, kam besuar e besoj se përballë kësaj gjendjeje, do të duhej të ishim një front i përbashkët përtej politik.

Por, kryeministri Kurti refuzoi një angazhim të tillë të përbashkët. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë.

Ndërsa, numri i vdekjeve, rritej e bëhej treshifror çdo javë.

Përballë këtij refuzimi e mos reflektimi në këto rrethana, gjërave duhet t’iu vëmë emrin e tyre përkatës.

Ishte keq menaxhimi i qeverisë, shkaku që i prodhoi këto pasoja.

Ishte keqadministrimi i qeverisë, shkaku që jemi ndër të fundit në Europë në procesin e vaksinimit, ndërsa hedhim vaksina që iu kalon afati pa i administruar.

Ishte keq planifikimi i kësaj qeverie, që ka lënë qindra profesionistë shëndetësorë të pa angazhuar e të pambështetur në ditët më të ngarkuara të punës së tyre.

Dhe pa asnjë dyshim, ishte leximi i gabuar i krejt rrethanave paralajmëruese rreth rrezikut të variantit Delta, pikërisht në kohën kur kjo qeveri, e kishte lëshuar përtokë obligimin për të menaxhuar rrezikun e përhapjes së këtij varianti.

Sepse, qeveria i hapi në verë dasmat e ahengjet, për të na i mbyllur në vjeshtë shkollat dhe çerdhet.

Pra, përgjegjësia për këtë gjëndje, i takon vetëm kësaj qeverie.

Por, edhe pse ne nuk do t’i mbyllim asnjëherë sytë përballë dështimeve që kanë shkaktuar këtë gjendje, nuk do të bëhemi kurrë oportunistë politikë kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve.

Prandaj, unë besoj edhe sot se duhet një front i përbashkët për t’ua lehtësuar qytetarëve tanë ballafaqimin me pandeminë COVID19.

Sepse, ndonëse fatmirësisht ka filluar të bie numri i rasteve, nuk ka garanci se gjendja nuk do të përkeqësohet më vonë.

Dhe kur jemi tek qytetarët, ata me 17 tetor, do të vendosin për qeveritë e tyre lokale. Është e domosdoshme që ata të kenë mundësi të zgjedhin e të përcaktohen mirëfilli për kandidatët në të cilët besojnë se iu përgjigjen nevojave të tyre.

Është mirë që fushata t’ju lihet kandidatëve, atyre që iu takon përgjegjësia e llogaridhënia para qytetareve të komunave të Republikës së Kosovës.

***

Kusari-Lila: E domosdoshme dhe e pa alternativë për tejkalimin e krizës mbetet vaksinimi

Kuvendi i Kosovës e ka nisur seancën e parë të sesionit vjeshtor.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që ishte një periudhë e rënduar me numra të lartë si rrjedhojë e prezencës së virusit të modifikuar Delta.

Tutje Kusari Lila theksoi që vaksinimi është e vetmja alternativë për tejkalimin e krizës.

“I gjithë gëzimi i familjeve në ahengje, fatkeqësisht për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë doli të jetë me pasoja për jetën e tyre. Pas një periudhe njëmujore kur e mbajtëm seancën e fundit, apeluam për vaksinim te qytetarët të cilët plotësojnë kriterin e moshës për vaksinim. Numri i të infektuarve me variantin Delta është rritur dramatikisht dhe fakt për tu përmendur  është se shumica e viktimave nuk ishin të vaksinuar”.

“Andaj e domosdoshme dhe e pa alternativë për tejkalimin e krizës mbetet vaksinimi”, u shpreh ajo.

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

Seanca e Kuvendit, deputetët e VV-së të parët në sallë

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, janë të parët që kanë mbërritur në sallën e Kuvendit të Kosovës ku do të mbahet seanca e parë e sesionit vjeshtor.

Në këtë seancë ndër të tjera pritet të formohet Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve në Bordin e RTK-së.

Rendi i ditës:

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-017 për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 8 (tetë) anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe 1 (një) anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat